UCK

UÇK-ja është kategori historike kombëtare dhe nuk mund të reduktohet roli i saj duke e trajtuar si ish-Ushtri, ish-UÇK

Në tekstet e Historisë së Popullit Shqiptar, nuk ekziston paravënia  “ish” për luftërat  e së kaluarës, sikur i vihet Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kombëtare.

 

Nuk shkruhet, as nuk thuhet:

Ish-Lufta Nacional-Çlirimtare,

Ish-Lufta Partizane,

Ish-Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare

Ish- lufta kundër Perandorisë Osmane,

Ish-lufta kundër shtypjes e skllavërisë,

Ish-Lidhja Shqiptare e Prizrenit,

Ish-Lidhja e Pejës etj.

 

Për dimensionet e luftërave tona çlirimtare thuhet e shkruhet:

Ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës,

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm,

Ish-luftëtari i lirisë,

Ish-ushtari i UÇK-së,

Ish-i burgosuri politik…

 

Më e drejtë do të ishte të shkruhet e të thuhet shqip:

Luftëtari i lirisë, gjatë luftës çlirimtare…

Eprori… gjatë luftës së UÇK-së,

Komandanti i Zonës Operative… gjatë luftës e kështu me radhë.

Nuk mund të thuhet ish-populli shqiptar i Kosovës që ka marrë pjesë në luftë, apo që është dëbuar nga Kosova.

Ne shqiptarët gjithmonë kemi pasur probleme me pasojat që kanë sjellë pushtimet, sepse mujsharët kanë shkelur mbi ne duke na trajtuar si racë e dobët, si qytetarë të rendit të dytë dhe mjerisht një pjesë të shqiptarëve edhe e kanë bindur për ta pranuar status-quonë, rezignatën, adaptimin.

Pavarësisht arsimimit unanim në kohën e regjimit jugosllav, politika me tendenca asimiluese ka intervenuar kudo ku ka gjetur shtigje, ndërsa klasa politike shqiptare, kishte pranuar në radhët e veta edhe metodologjinë e koncepteve politike të pushtetit, klisheve dhe adaptimeve, duke u njëzuar me frazeologjinë ekzistuese sllave dhe duke e përkthyer atë në formë të njëtrajtshme, në gjuhën shqipe. Kështu ka ndodhur që nën ndikimin e frazeologjisë sllave të kemi përvetësuar jo vetëm terme, e frazeologji, por edhe metodën e punës, pa vërejtje lidhur me specifikat.

Në kohën e pas Luftës së Dytë Botërore, gjithçka kishte ndodhur në të kaluarën, shënohej me ish të kaluarën, si  ish-Jugosllavia, ish monarkia, ish regjimi i Zogut e kështu me radhë, në përpjekje për të ndarë dy botë, ish botën e kaluar të shtypjes e mjerimit dhe botës së re që po ndërtohej në vend të saj. Kjo trajtë në Kosovë u përvetësuar nga trajta sllave: Bivsha Jugoslavia, bivshi regjim, bivsha monarkia etj.

Nga e kryera e thjeshtë e foljes ndihmëse  “Jam”, ishte përfituar  trajta e shkurtër e vetës së tretë njëjës, “ishte” në “ish”, për të shënuar më lehtë ndarjen e epokave. Mirëpo nuk ndodhi asnjëherë që Lufta Nacionalçlirimtare, të quhej ish-lufta Nacionalçlirimtare, apo ish-lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, apo ish-Lufta Partizane, aspo ish-lufta e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sepse të gjitha këto janë kategori ekzistuese historike dhe nuk mund të mbahen mbyllur, apo  të trajtohen si antikitete që i përkasin së kaluarës.

Por te ne në Kosovë ndodhi ky paradoks, pas transformimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, në verë të viti 1999, mediet me prejardhje nga koha e bashkim vëllazërimit në Kosovës, kundërshtare  të hapura të luftës, filluan të vënë në përdorim, fjalën paravënëse “ish”,  si ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ish-luftëtarët e lirisë, madje edhe  ish-eprorët, ish-ushtarët e kështu me radhë. Ky adaptim antihistorik, kishte për qëllim përmbylljen qoftë edhe virtuale të kapitullit të luftës si diçka të mbaruar, të shkruar, të ngujuar në histori, edhe pse në vitet pasuese 2000-2001 kishim formuar  edhe dy ushtri  çlirimtare: UÇPMB-në dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.

Kjo ndodhi edhe me  fjalëformimin ish të përnjekurit, ish- të burgosurit, ish të dënuarit e ish-ishet e shumta.

Sot, me raste të rralla në të gjitha mediet, në shkolla e në Universitete, në gojët e çdo politikani pa dallim për luftën e UÇK-së flitet duke i paravënë ish-in, me qëllim për ta shënuar një epokë të mbyllur, të kyçur në histori.

Po realiteti, ligjet e jetës dhe të zhvillimit na tregojnë të kundërtën.

Ato tregojnë se lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është pjesë e historisë së djeshme e të sotme, të lidhur në mënyrë dialektike, si pjesë integrale e saj në sinkroni e diakroni, sepse historia e asnjë populli, por edhe as historia e njerëzimit nuk mund të trajtohen të mbyllura, meqë jeta vazhdon si ligj kauzal i së djeshmes së sotmes dhe të ardhmes.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dëshmorët, martirët, të përndjekurit, të dëbuarit, të rrëmbyerit, të zhdukurit nuk janë ish kategori, sepse janë trupi, gjaku qenia jonë, ekzistenca transidente që shënon epokën dhe jo ish-epokën, sepse epoka e UÇK-së është kategori e substancës kombëtare sot e në vazhdim  dhe nuk mund të kyçet me çelës, si diçka e kaluar dhe e papërsëritshme. Ajo është de facto vetë Kosova, shteti i Kosovës, pavarësia e saj. Përderisa nuk mund të thuhet ish-Republika e Kosovës, nuk mund të thuhet as ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

 Shikoni sot mediet “copy past” si e përdorin dhe si e përtypin “ishin”  e UÇK-së po jo ish Ushtria Partizane, as ish-Lufta Nacional-Çlirimtare, edhe pse ajo luftë ka mbaruar qe 75 vjet.

Në vend se të thuhet ish-Komandanti i Zonës, mund dhe duhet të thuhet, Komandanti i Zonës, gjatë luftës, sepse akëcili komandant është gjallë dhe nuk e pranon dot -ishin për ta trajtuar të vdekur për së gjalli.

Është koha e fundit që kësaj papërgjegjësie në dukje të papërfillshme t’ ia ndalim hovin, sepse në Kosovë, në Kosovën Lindore, në Maqedoni, jetojnë me mijëra pjesëtarë të tri ushtrive tona çlirimtare dhe ata nuk janë “isha” por janë gjallë, janë dhe përjetë do të trajtohen, luftëtarë të lirisë, të kësaj lirie që e kemi dhe që nuk është pak. Nuk mund t’i  thuhet një luftëtari të lirisë, ti je një ish-luftëtar i lirisë, duke paragjykuar se edhe pse je gjallë, je një ish i luftës. Nuk mund t’ i thuhet një  eprori të luftës, ti je një ish epror dhe tanimë nuk je, tani je diçka tjetër… (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …