Fitim Selimi: HESHTJA QË USHQEN DEFORMIMIN

Nëse pushteti aktual në Kosovë do të duhej të përkufizohej me një fjalë, ajo nuk do të quhej “reformë”, por shpërdorim i besimit. Dhe nëse opozita do të duhej të përkufizohej me një fjalë, ajo do të quhej heshtje.
U pa qartë që qeverisja e Albin Kurtit nuk është ajo që u premtua. Nuk është ajo që u shit si alternativë morale ndaj të së kaluarës. Ajo që kemi sot është një pushtet që ka përvetësuar të gjitha praktikat që dikur i denonconte, madje i ka bërë ato më të rafinuara.
Premtimet elektorale nuk janë thjesht të papërmbushura; ato janë shkelur me një lehtësi që tregon mungesë të plotë të respektit ndaj vetë qytetarit. Kur fjala publike zhvlerësohet në këtë mënyrë, politika shndërrohet në mashtrim të institucionalizuar.
Institucionet, që do të duhej të ishin mburojë e shtetit, po përdoren si instrumente të pushtetit. Nuk kemi më administratë neutrale, por një mekanizëm që i përgjigjet interesit politik të radhës. Ky nuk është devijim i vogël – është shndërrim i shtetit në vegël.
Paraja publike, në vend që të jetë mjet zhvillimi, po përdoret si levë ndikimi. Kur qytetari fillon të besojë se taksat e tij po kthehen në mjete për të blerë heshtjen ose votën e tij, atëherë kemi hyrë në terren të rrezikshëm për vetë demokracinë.
Ndërkohë, po normalizohet një klimë ku veprimet e koordinuara kundër vlerave themelore kombëtare nuk po trajtohen si alarm, por si diçka e zakonshme. Kjo është mënyra më e rrezikshme e degradimit: jo përmes përplasjes së hapur, por përmes topitjes së ndjeshmërisë kolektive.
Por problemi nuk është vetëm pushteti.
Problemi edhe më i madh është mungesa e reagimit.
Opozita në Kosovë është shndërruar në spektatore të një procesi të cilin do të duhej ta sfidonte çdo ditë. Në vend të artikulimit të qartë, kemi deklarata të vakëta. Në vend të mobilizimit dhe përballjes kemi kalkulime dhe heshtje.
Kjo nuk është thjesht dështim politik – është dorëzim.
Sepse kur pushteti devijon dhe opozita hesht, nuk kemi më garë demokratike.
Dhe në këtë sistem, qytetari mbetet i vetmuar.
Dhe në vend të një reagimi të arsyeshëm e të kontrolluar, krijohet terren për shpërthim të pakontrolkueshëm!
Nëse opozita nuk e kupton urgjencën e këtij momenti, atëherë ajo nuk është më alternativë – është pjesë e problemit.
Nëse nuk ka guxim për të emërtuar abuzimin, nuk ka të drejtë të kërkojë besimin. Dhe nëse nuk ka vizion për të ndërtuar një rrugë tjetër, atëherë çdo kritikë e saj është boshe.
Sepse e vërteta është e thjeshtë dhe e hidhur:
Nuk mjafton të konstatohen gabimet e pushtetit. Dikush duhet ta ndalë atë.
Dhe sot, askush këtë nuk po e bën.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Skënder Demaliaj: BIZNESMENI PUNËSHUMË E FJALËPAK, RAMË GECI NGA BYTYÇI

Dr. Skënder Demaliaj: ÇELËSI I SUKSESIT TË BIZNESMENIT RAM GECI ËSHTË: ÇDO DITË, ÇDO ORË, ÇDO ÇAST ËSHTË I RËNDËSISHËM PËR TË REALIZUAR PUNË TË MËDHA PËR VETEN E NË DOBI TË KOMUNITETIT

Ram Geci është ndër ata biznesmenë që krijojnë punë, mirëqenie, ushqejnë familje, sjellin të ardhura …