Fitim Zekthi: Jemi bërë shoqëri pornografike

Mendimtarët e mëdhenj liberalë të shekullit 18-19, Adam Smith, Vilhelm von Humbold etj., që mbrojtën me forcë idenë e një rendi ku konkurrenca e lirë do të ishte zemra e zhvillimit ekonomik duke çuar përpara lirinë dhe respektimin e të drejtave, i trembeshin shumë shndërrimit të njeriut në një qenie materialiste dhe të drejtuar vetëm nga fitimi. Për ta, “homo ekonomikus”, një zgjedhës racional i asaj që i prodhon fitim, do të ishte një qenie pa kapital social, që nuk do të ishte bartës i asnjë gjëje të trashëguar dhe i asnjë norme morale apo shpirtërore. Edmund Burke e quante homo economicus-in, njeriun ideal të revolucionit jakobin. Rreth dy shekuj më pas, kjo frikë duket u bë realitet. Homo economicus-i prodhoi totalitarizmat më të tmerrshëm të njerëzimit, si nazizmin dhe komunizmin, prodhoi vrasjet, genocidin, shfarosjet dhe gjithçka tjetër në mënyrë të organizuar dhe të sistematizuar.

 

Në “Letër mbi Humanizmin”, filozofi gjerman, Martin Heideger flet për tëhuajësim të njeriut si pasojë e makinave moderne dhe teknologjisë që kishte mundësuar ndërtimin e sistemeve të sofistikuara, mbi të cilat njerëzit nuk kanë kontroll. Një anë shumë e errët e kësaj kulture dhe një element i këtij sistemi është seksualizimi i njeriut dhe i shoqërisë. Homo economicus, në përpjekje për të kthyer gjithçka në mall, ka seksualizuar prej kohësh një pafundësi mallrash me qëllim që seksi të kthehet në mall. Sara Bragg, Dejvid Bakingam, Rahel Rassel, tre profesorë të universiteteve  në Lughborgudhe të Glasgov, shpjegojnë me detaje në librin “Fëmijët, seksualizimi dhe kultura e konsumit” se si prej vitesh prodhohen mallra dhe reklama me kontekst seksin, që të sjellin në mendje seksin, që i kërkojnë imagjinatës të shkojë tek seksi.

 

Pa hyrë në detaje, se ato nuk kanë fund, po themi se bluzat për shembull kanë buzë femre, ose deri edhe shum,ë më keq. Më e rënda është se edhe mallrat për fëmijë prodhohen masivisht me këtë qëllim. Kukullat janë miss-e, janë modele, kanë fustane të shkurtra, kanë dekolte etj. E njëjta gjë edhe me librat, kopertinat deri edhe stilolapsat, vizoret dhe gomat që mbushen me pamje seksiste. Këngët po ashtu janë të mbushura me tekste në qendër të së cilave është seksi.

 

Në Britaninë e Madhe është zhvilluar një debat mjaft i madh tre katër vite më parë ku deputetë, sociologë, filozofë, artistë etj., ndërtuan një mjedis mjaft kritik për çdo shfaqje të seksualizmit të fëmijëve. Në Francë debati ishte edhe më i ashpër. Asambleja Kombëtare miratoi një ligj kundër asaj që e quajtën hiperseksualizmi i fëmijëve. Shqipëria për shkak të një zhvillimi me ndërprerje, me trauma ku totalitarizmi komunist zhduku çdo moment natyrshmërie në shoqëri është zhytur kryekëput në këtë tëhuajësim, duke humbur çdo ndjesi të përmasës reale të njeriut. Seksi është kudo.

 

Në zyra vishen si në konkurse bukurie. Studentët në shkolla janë në garë për minifundin më të shkurtër, dekoltenë më të hapur, pantallonat më të ngushta etj. Gjimnazet edhe më keq. Shkollat 9-vjeçare janë një tmerr i vërtetë. Edhe fëmijët e klasës së parë në festën e abetares vishen me fustane nuseje, me vello. Televizionet e kanë kthyer seksualizimin e fëmijëve në normë. Ka festivale ku fëmijët vishen si gra të rritura, me fustane modelesh, me grim ku shkëlqejnë faqet dhe vetullat. Seksi në të vërtetë e përkufizon sot televizionin në Shqipëri në gjithçka, deri edhe tek paraqitja e motit ose dhënia e lajmeve. Televizioni Publik Shqiptar, një ent jo vetëm mediokër, e shtyu gjithçka shumë më larg.

 

Pak ditë më parë ai transmetoi një sfilatë mode fëmijësh të një stilisteje nga Kosova. Fëmijët ecnin duke u tundur dhe duke bërë lëvizje të mësuara në mënyrë që të shfaqnin veshjet dhe trupin. Vetëm mendjet e bjerra të homo economicus-it mund të bëjnë gjëra të tilla. Seksualizmi ka pasoja shumë të rënda sidomos tek fëmijët. Shoqata amerikane e Psikologjisë publikoi në viti 2008 një raport ku thotë se “91 për qind e femrave vuajnë nga ideja se ato nuk kanë trupin e duhur. Mbi 30 për qind e vajzave nga mosha 20 në 30 vjeç kanë çrregullime me të ngrënët dhe çrregullime të tjera. Seksualizimi i hershëm i çon në depresion dhe i bën të kenë vlerësim të keq apo të ulët për veten”, thotë raporti.

 

Nga ana tjetër, seksualizimi i kthen femrat në objekte seksuale, e kufizon qenien e tyre vetëm tek seksi dhe bukuria trupore duke zhbërë përmasën e tyre si qenie që mendojnë, ndjejnë, kanë dinjitet etj.

 

Në qoftë se vajzat dhe gratë shihen vetëm si qenie seksuale dhe jo si qenie të komplikuara me interesa të ndryshme, dhunti, identitet dhe botë të mrekullueshme atëherë djemtë dhe burrat nuk mund të hyjnë në marrëdhënie të tjera me to, veçse ato seksuale. Ky realitet në Shqipëri është i frikshëm. Në pikëpamje kulturore duket se ne po zhytemi në një botë pornografie! I gjithë ky peizazh pornografik në lokale, zyra dhe shkolla është dëshmi e marramenthit të çmendur të shoqërisë sonë që ka shndërruar në mall gjithçka duke u bërë skllave pikërisht e kësaj sjelljeje.

 

Në emër të lirisë është prodhuar një robërim i plotë që redukton rënien në objekt seksual. Pornografia provokon regres seksual, kënaqësia që dikush merr nga pornografia është autoerotike. Ajo është më së shumti një ushtrim masturbimi i imagjinatës. Njerëzit që masturbohen, shkruante Irving Kristol vite më parë, – nuk mërziten me masturbimin, bash ashti si sadisti nuk mërzitet me sadizmin dhe voujeristi nuk mërzitet me voujerizmin. Gjithnjë e më tepër ajo përforcohet dhe bëhet eurozë. Dhe pikërisht në këtë gjendje jemi.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …