Fjala e drejtoreshës së Institutit të Hisorisë znj. Teuta Shala mbajtur sot në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për rolin e gruas në Kosovë

Drejtoresha e Institutit të Hisorisë znj. Teuta Shala në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për rolin e gruas në Kosovë ka folur për rëndësinë e kësaj konference me c’rast ka thënë:

Shumë të nderuar kolegë të dyja Instituteve Prishtinë dhe Tiranë, profesorë, studentë, përfaqësues të institucioneve shkencore, arsimore e kulturore, të mediave, kolegë e gjithë ju të pranishëm, Organizimin e kësaj Konference Shkencore Ndërkombëtare nga dy Institutet e Historisë Tiranë dhe Prishtinë ku do të diskutohet lidhur me rolin e gruas në jetësimin e shtetit të Kosovës duke përfshirë aspekte sociale, kulturore, politike nga viti 1980 deri në ditët e sotme, do ta veçoja si një ngjarje shumë të qëlluar dhe më se të domosdoshme, pikërisht për faktin se në përpjekjet dhe rrugëtimin për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, gruaja shqiptare ishte pjesë përbërëse dhe e pandashme e të gjithë atyre proceseve. Prandaj, konsiderojmë se Konferenca është unike pasi për herë të parë studiuesit do të diskutojnë rreth një teme dhe subjekti të patrajtuar sa duhet në lëmin e studimeve të thelluara profesionale e historike. Për këtë qëllim edhe kemi ftuar  edhe bashkëpunëtorët, përfshirë studiues të huaj që kanë fokus dhe interes studimor për të trajtuar aspekte të ndryshme që lidhen me temën bosh të kësaj Konference. Jam e bindur se punimet e kësaj Konference do të sjellin rezultate të cilat  do të argumentojnë se kur flitet dhe shkruhet për  ngjarjet të cilat shpien në shtetëndertimin e Kosovës, nuk mund të lihet anash kontributi i grave.  Kjo Konferencë, po mbahet në një vit që përkon me shumë  përvjetorë të rëndësishëm nga historia jonë, nga të cilët do veçoja dy ngjarje të cilat ndryshuan për së miri rrjedhën e historisë,  25 vjetori i Epopesë së UÇK-së dhe 15 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, andaj edhe përkufizimi kohorë i temës së Konferencës ka ardhur në frymën e këtyre dy jubileve. Nëse kthehemi në retrospektivë, gruaja shqiptare  në përgjithësi gjatë të gjitha periudhave të historisë së popullit shqiptarë ishte pjesë përbërëse e të gjitha proceseve historike, në periudha të ndryshme kohore atë e ndeshim në pozita udhëheqëse, si prijëse dhe pjesëmarrëse në luftë, si heroinë, humaniste, intelektuale, politikane etj. Në Iliri kishim një Mbretëreshë e cila jo vetëm që e drejtoj një mbretëri por edhe udhëhoqi me sukses lufta duke mbrojtur shtetin Ilir. Ajo u shqua si një stratege e zonja përball një Perandorie të fuqishme të kohës  siç ishte ajo Romake. Në trojet Arbërore gjatë mesjetës kishim shumë gra të cilat mbajtën tituj dhe pozita të rëndësishme, ato kishin fituar një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike, kulturore dhe sociale. Gruaja gëzonte të drejta të avancuara, të tilla siç ishte edhe e drejta e saj për trashëgimi dhe për hartimin e testamenteve, ku vajzat kishin të drejtë të trashëgonin pasuri nga prindërit.

Gjatë Rilindjes gratë shqiptare u dalluan para se gjithash si intelektuale të denja të kohës, ato ishin aktive në përpjekjet për dije e arsimim të kombit, përpjekje të cilat kulmuan me hapjen e shkollës së parë shqipe për vasha. Si prijëse dhe pjesëmarrëse në luftë, si heroina, humaniste, nobeliste, intelektuale, politikane gruaja shqiptare u shqua sidomos  përgjatë shekullit XX.

Kontribut të dukshëm ato dhanë në grupet dhe organizatat e fshehta atdhetare me karakter nacional çlirimtar, si dhe në demonstratat  studentore të vitit 1981. Siç dihet, pas demonstratave të vitit 1981, shërbimet sekrete jugosllave u angazhuan në zbulimin dhe dëmtimin e veprimtarisë së organizatave të fshehta duke i burgosur veprimtarët e tyre, të cilët përveçse dënoheshin me  burg njëkohësisht u nënshtroheshin maltretimeve nga më të ndryshmet, në mesin e të burgosurve kishte edhe shumë gra dhe vajza. Në vitet e fundit të shek. XX, ato ishin pjesë e të gjitha proceseve për çlirimin e Kosovës, sidomos gjatë luftës në Kosovë duke ju bashkuar radhëve të UÇK-së, madje shumë nga to ishin pjesë e organeve më të larta komanduese,siç ishin shtabet e zonave operative, ku kanë kryer detyra nga më të ndryshmet, si; Shefe të sektorit të financave, personelit, informimit, si dhe në sektorin e shëndetësisë. Gjatë luftës në Kosovë, gratë dhe vajzat u bënë pjesëmarrëse aktive pothuajse në të gjitha  betejat e UÇK-së. Pas përfundimit të luftës, gratë dhe vajzat u angazhuan në shtetndërtimin e Kosovës dhe jetësimin e pavarësisë së sajë. Sot, gratë dhe vajzat, edhe pse në numër jo shumë të madh, i gjejmë në pozita udhëheqëse, në institucione të Republikës së Kosovës, gjithashtu ato janë kontribuuese të denja edhe në fushën e shkencës dhe të  kulturës.

Të nderuar të pranishëm!

Duke qenë vetë një grua bartëse e përgjegjësive në një Institucion shkencorë siç është Instituti i Historisë, më duhet të përmendi faktin se numri i grave sidomos në stafi e shkencës është shumë i vogël, prej 24 punonjësve shkencor sa i ka ky Institut vetëm katër janë gra, urojmë dhe shpresojmë se në të ardhmen të kemi një ndryshim pozitiv në këtë drejtim.      Si udhëheqëse e Institutit, ju siguroj se do të keni mbështetjen dhe përkrahjen e pa kursyer që ka për synim jo vetëm  realizimin e projekteve shkencore, por edhe fuqizimin e pozitës së gruas në fushën kërkimore-shkencore në përgjithësi, gjithashtu duke ju ofruar kushte dhe mundësi që të jenë pjesë e të gjitha aktiviteteve shkencore që zhvillohen në kuadër të Institutit të Historisë, e në mënyrë të veçantë duke siguruar rritjen e pranisë së tyre si në pjesëmarrje me kumtesa ashtu edhe më përfaqësimin në kuadër të Këshillit Organizues të aktiviteteve shkencore. Një përfaqësim i tillë po dëshmohet edhe me organizimin e kësaj Konference, e që synojmë se do të vazhdoj edhe në të ardhmen.  Më lejoni ta mbyll këtë referat me urimet më të mira për këtë Konferencë dhe të gjithë studiuesit.  Falënderime të sinqerta  për të gjithë ata që u angazhuan rreth organizimit të kësaj Konference, duke filluar nga Prof. dr. Afrim Krasniqi drejtori i Institutit të Historisë Tiranë, njëherit bashkorganizator i Konferencës, si dhe anëtarët e Këshillit Organizues të të dyja Instituteve, të cilët  mbajtën  peshën kryesore në këtë organizim.

Kontrolloni gjithashtu

Behide Hasanaj: U përkujtua 4 vjetori,  dita e themelimit të 11 Majit-  Dita e  Refugjatve të  Kosoves

U përkujtua 4 vjetori,  dita e themelimit të 11 Majit-  Dita e  Refugjatve të  Kosoves. …