leoni

Fjala e kryetarit Latifi në mbledhjen komemorative, me rastin e ndarjes nga jeta të bashkëluftëtarit, bashkëpunëtorit dhe Kryetarit të OVL të UÇK në Rahovec, Vajdin Berisha

Fjala e kryetarit Latifi në mbledhjen komemorative, me rastin e ndarjes nga jeta të bashkëluftëtarit, bashkëpunëtorit dhe Kryetarit të OVL të UÇK në Rahovec, Vajdin Berisha. Të dashur familjarë, e nderuar bashkëshorte dhe ti Alban, djali i Vajdinit, si dhe ju 4 vajzat e tij, motra të të ndjerit, dy vëllezërit Irfan dhe Reshat, ju bashkëluftëtarë, bashkëpunëtorë e qytetarë të pranishëm! Sot, po ndahemi fizikisht nga Vajdin Berisha! Vdekjet e shokëve e të miqve na bëjnë të vuajmë dhe të ndjehemi më të varfër. Sidomos humbja e atyre shokëve që  i ke pasur në krah të djathtë e që të janë gjendur në situata sfiduese, përjetohet rëndë dhe vështirë e kemi të pajtohemi me këtë mungesë. Vajdin Berisha ishte ndër ata që lënë boshllëk të madh në shoqëri. Përkushtimi i tij atdhetar, duke qenë ndër ushtarët e parë të lirisë në këtë rajon, e bën të veçantë këtë burrë të vlerësuar. Erdhëm sot në këto kodra ku vite më parë jehoi fort pushka e lirisë dhe ku Vajdini nuk mund të mungonte në një akt të tillë madhor të historisë. Me humbjen e këtij njeriu kemi humbur të gjithë nga pak nga vetja jonë, sepse Vajdini ishte i urtë, fjalëpakë e njeri me durim të madh. Punët i kryente në qetësi dhe pa shumë bujë, edhe pse ndonjëherë mund të mos ketë qenë plotësisht i kënaqur me zhvillimet shoqërore. E shqetësohej shumë për sulmet e pakuptimta që i bëheshin luftës tonë të drejtë, sepse luftën e UÇK-së e konsideronte si aktin më madhor të kombit shqiptar. Burgosjet dhe dënimet e çlirimtarëve e bënin të vuante shumë dhe ndonjëherë këtë paknaqësi e shfaqte me mllef e mosdurim, por konsideroj se një luftëtar i vërtetë duhet të ndjehet keq kur sulmohen vlerat më sublime kombëtare. Përkushtimi i tij si kryetar shumëvjeçar i degës së OVL të UÇK-së në shenjimin e vendbetejave, vendrënieve dhe vendeve me vlerë të madhe historike kombëtare, e bëjnë Vajdin Berishën të veçantë. Gjurmët e punës së tij janë të dukshme dhe për një kohë të gjatë do të vizitohen e nderohen nga njerëzit. Gjithandej territorit të komunës së Rahovecit kemi vendosur dhe kemi shpalosur pllaka përkujtimore për njerëzit dhe ngjarjet e rëndësishme dhe, këto pllaka – monumente të kujtesës tonë kolektive, do të mbeten shenjë e atdhetarizmit të dëshmuar të Vajdinit. Luftën çlirimtare të popullit shqiptar nën meblemën e UÇK-së e kosnideronte si aktin më madhor të kombit shqiptar, prandaj e mbronte me pasion si vlerën më të shenjtë të kombit tonë. Jeta e tij ishte luftë për lirinë dhe përkushtim për mbrojtjen e atyre vlerave. Vajdini nuk ka nevojë për lëvdata e mirënjohje, sepse gjithmonë ka punuar për gjërat që një njeri e bëjnë të nderuar e të respektuar përgjithmonë. Jeta e tij ishte luftë dhe si luftëtar i vërtetë i përballoi sfidat e jetës. Ndonëse do të dëshironim që ai të vazhdonte të jepte kontributin e tij për të mirën e përgjithshme, mirëpo këtë nuk e kemi në dorë ne. Ajo që kemi në dorë ne është; nderimi dhe respekti për një njetë njeriu që përherë punoi për çështjen e madhe të lirisë e të bashkimit, dhe një jetë e tillë nuk është e çuar dëm. Ai i bëri vetes një monument në medjet dhe zemrat tona, prandaj do ta kujtojmë ashtu siç ishte njeri me vlera dhe i dashur. Pusho në paqen e merituar miku im Vajdin Berisha! Të qoftë i lehtë dheu i kësaj toke që aq shumë e deshe! Lavdi e nderim luftëtarit të orëve të para të lirisë, Vajdin Berisha!

Mund të jetë një imazh i 6 persona dhe njerëz në këmbë

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …