Flet Kolonel, Sali Onuzi: 29 Nëntori i vitit 1944 është Dita e çlirimit nga pushtuesit nazifashistë

Disa herë është diskutuar çlirimi i Shkodrës më 29 Nëntor. Janë hedhur disa hipoteza. Por duhet theksuar se në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Pa Shkodrën e çliruar nuk kishte s’mund të kishte Shqipëri të çliruar. Shkodra nuk ishte vetëm një  territor , ajo kishte qenë dhe ishte shpirti i Shqipërisë, kryeqendra historike e Veriut të saj, kryeqyteti i lashtësisë së saj ilire. Në Shkodër armiku e kishte përgatitur me kohë mbrojtjen. Shkodra  ishte qendra e fundit në Shqipëri ku qenë grumbulluar  rreth 3000-4000 gjermanë dhe 2500  bashkëpunëtorë të tyre. Informacionet e kohës japin të dhëna për kuislingë e bashkëpunëtorë të tjerë,  që u larguan nga Tirana bashkë me kolonën gjermane dhe, të  mbyllur  në Shkodër, kishin  krijuar  madje edhe” qeveri” edhe forca të armatosura “ kombëtare”. Këta, bashkë me hitlerianët, kishin vendosur një rregjim terrori në qytet.

-Më fund të nëntorit në shumë biseda ju keni theksuar se gjermanët në Shkdër kishin marrë me vete përforcime kuislingë e bashkëpunëtorë të tjerë, përveç kolonës së tyre. Si ishte situata në Shkodër në ato ditë?

Ato ditë të fundit të nëntorit 1944, në Shkodër qenë grumbulluar  rreth 3000-4000 gjermanë dhe 2500  bashkëpunëtorë të tyre. Ky përqëndrim tepër i madh trupash në Shkodër kishte ardhur për shkak  të vështërësive të mëdha  që Gruparmata gjermane “ E” kishte hasur gjatë kalimit përmes një terreni të thyer malor në Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Në konceptin operativ dhe taktik gjermanët qenë në Shkodër sa në tërheqje aq dhe në mbrojtje . Shkodra kishte një fortifikim natyror, liqenin, Drinin, Bunën, Kirin, sistemin e kodrave të Berdcës , Beltojës, të Bardhajve dhe vetë Kalanë  e Shkodrës. “Pikëfundore” , “pozicion pengues “,( terma të tyre) më të sigurtë në pikëpamje natyrore , forcat gjermane nuk mund të kishin në rrugët e tërheqjes në territorin malor te Malit të Zi dhe të Bosnjës. Këtë avantazh ato s’do mend që do të përpiqeshin ta shfrytëzonin, aq sa të ishte e mundur. Nënreparte të Korpusit të XXI të ushtrisë gjermane dhe disa qindra mercenarë shqiptarë kishin minuar terrenin dhe vendkalimet në periferi të qytetit deri afër Vaut të Dejës dhe Bushatit dhe qenë vendosur në qendra zjarri ,në pikëmbështetje të fortifikuara me detyrë “të mbanin sa më gjatë Shkodrën, me qëllim që të siguronin tërheqjen drejt Malit të Zi .”

 

Kush ishte caktuar nga strukturat e Ushtrisë për mësymjen përfundimtare?

Komanda e përgjithëshme të UNÇSH , kishte ngarkuar shtabin e korparmatës së III ( komanduar nga kolonel Tahir Kadare dhe kolonel Tuk Jakova),  për drejtimin e mësymjes përfundimtare kundër grupimit të ushtrisë gjermane  në Shkodër. Sipas planit të operacionit në mësymje do të merrnin pjesë Brigadat VI, VII, dhe XXII të Divizionit të II Brigadat e XXIII,XXIV dhe Grupi partizan i Shkodrës. Ky grupim operativ, gjithsej 6000 partizanë, kishte për detyrë “të  ndalonte tërheqjen e forcave gjermane, të rrethonte dhe asgjësonte grupimin e fundit  armik të Shqipërisë dhe të çlironte qytetin e Shkodrës”.  Goditja kryesore do të jepej nga verilindja me forcat e Brigadës XXII dhe të Grupit partizan të Shkodrës, ndërkohë që Brigada e VII do të mësynte  drejt Shkodrës nga rajoni i Vaut të Dejës-Stajkë ( nga jugëlindja,) Brigada e XXIII dhe XIV nga rajoni i Beltojës e i Bërdicës( nga ana jugore), kurse Brigada e VI, do të vendosej në pritë, kundër forcave gjermane që do të mund të tërhiqeshin gjatë rrugës automobilistike  Shkodër-Koplik-Podgoricë. Në realizimin e këtij veprimi luftarak kalimi i Drinit, të fryrë tepër nga rreshjet e shumta , ishte një detyrë e vështirë. Urat mbi Drin e në Vaun e Dejës i kishin shkatërruar gjermanët që më 21 nëntor, ndërsa  Ura e Baçallëkut mbi Drin ( në hyrje të Shkodrës nga jugu) ishte minuar dhe ruhej me një  truprojë  të veçantë.

-Kur filluan luftimet për çlirmin e Shkodrës ?

Luftimet për çlirmin e Shkodrës filluan më 23 nëntor me veprimet luftarake të brigadave  drejt objektivave të përcaktuar në urdhërin e luftimeve të Korparmatës III. Brigada e XXII sulmoi dhe detyroi garnizonin gjerman të lëshonte , me të vrarë dhe të plagosur, Vaun e Dejës . Brigada  VII, me ndihmën e banorëve vendas kapërceu me varka Drinin dhe , nga një pozicion i vështirë taktik, sulmoi gjermanët në kodrat e Jubanit e të Sheldisë, doli në Gur të Zi, Rrenc dhe në kodrat e Bardhajve përballë qytetit të Shkodrës.  Sulmet e  kundërsulmet e batalioneve të Br. XXIV dhe  XXIII në kodrat e Beltojës dhe të Bërdicës për 4 ditë  u zhvilluan nën breshërinë e gjyleve të artilerisë së rëndë gjermane vendosur në Kalanë e Rozafës dhe kundërsulmeve të këmbësorisë së tyre, edhe natën ( e jashtëzakonshme për ta). Më 28 nëntor në mbrëmje  partizanët  çliruan Bahçallëkun. Disa ditë më parë forca të Br.XXIV kishin zënë në Bunë  duke lundruar për të dalë në Adriatik  një grup prej rreth 100 kuislingësh e mercenarësh. Në mbrëmjen e 26 nëntorit tre batalione të Brigadës XXII u futën në rajonin e Postrribës dhe dolën në Drisht. Kullat e Boksit, Ura e Mesit-Kodrat e Bardhajve u kapën me luftime nga partizanët e Brigadës së XXII. Me këtë manovër grupimi i forcave të UNÇSH e mbylli armikun në unazën e rrethimit. Luftimet për asgjësimin e forcave gjermane dhe për çlirimin e qytetit të Shkodrës hynë në fazën përfundimtare dhe u zhvilluan nga 24 deri me 29 nëntor 1944. Forcat e Grupit partizan të Shkodrës  dhe të Brigadës XXII me 27 nëntor thyen forcat gjermane në kullat e Boksit, në Urën e Mesit  dhe në Kodrat e Bardhajve dhe dolën në vijën Dragoç-Mes-Myselim-Bardhaj. Pastaj thyen edhe qëndresën e armiqve në fushën e Shtojit e në Bardhaj dhe dolën në vijën Golem- varrezat. Po natën e 27-28 nëntorit një batalion i Grupit partizan  të Shkodrës dhe një kompani e Br.XXII sulmuan armiqtë në pikmbështetjen e Urës së Mesit. Të nesërmen paradite një grup prej afro 100 hitlerianësh shoqëruar me 5 tanke, me një zjarr të dendur të artlerisë e të mortajave të rënda sulmon egërsisht pozicionet e Grupit partizan të Shkodrës , që mbrohet fort me sulme dhe kundërsulme në kodrën e Katrollit dhe i thyen armiqtë, të cilët  buzë mbrëmjes tërhiqen përfundimisht  në qytet. Dështoi tentativa e tyre për t’i larguar partizanët nga ky drejtim shumë i rrezikshëm për ta.Në këtë drejtim depërtuan forca të Brigadës XXII, të cilat do t’i afroheshin qytetit nga verilindja. Natën e 28 nëntorit  batalioni i parë i Brigadës XXII doli në Dobraç për të penguar tërheqjen e gjermanëve drejt Koplikut. Edhe forcat e Brigadës VII kishin depërtuar në lagjet e jashtëme të qytetit.

-Çfarë veprimesh kryen në këtë situatë forcat gjermane?

Në mesnatën e 28 nëntorit 1944 , pasi kishin hedhur në erë të gjitha urat e qytetit dhe kishin minuar depot e municioneve në lagjen “Perash”, gjermanët tentuan të hedhin në erë objekte të rëndësishme në qytet. Një pjesë e qytetarëve ishin larguar nga qyteti, të tjerët prisnin me ankth çdo të ndodhte. Ky plan i nazizteve pothuajse dështoi. Dy nga robërit italianë, që kishin bërë bashkë me të tjerë minimin , me largimin e hitlerianëve i prenë lidhjet kryesore të eksplozivëve. Po ashtu  njësitet guerile ç’minuan pjesën tjetër të rrjetit të minave. U shpëtua kështu  fabrika e çimentos, centrali elektrik dhe spitali civil. “ Pas mesnate  të  natës 28 nëndorit,  plasje të tmerrshme tronditën Shkodrën. Ishin urat e Bunës e Bahçallëkut, që  hidheshin  n’erë nga vandalët e shekullit XX.- do të shkruhej ato ditë në një kronikë  shkodrane . Një grup hitlerianësh u rikthye në qytet, i kapi dy italianët, i varrosi të gjallë dhe  vrau e plagosi disa qytetarë shkodranë.

Kur filloi sulmi vendimtar për çlirimin e qytetit?

Sulmi vendimtar për çlirimin e qytetit filloi natën e 28-29 nëntorit me goditje nga të gjitha drejtimet. Batalioni i parë i Br. XXII sulmoi tek ura e Maxharit ( në portën veriore të Shkodrës ) praparojën e kolonës gjermane, e shkëputi atë nga forcat kryesore, kapi robër 30 gjermanë dhe shkatërroi disa automjete. Pjesa kryesore e forcave  gjermane duke përfituar nga nata, u largua me shpejtësi në drejtim të Koplikut, ku do të sulmohej nga forca të Brigadës VI. Të ndihmuara nga grupet partizane, njësitet guerile dhe populli i qytetit të Shkodrës, forcat partizane përparuan me shpejtësi në qendrën e qytetit. Forcat e Br. XXII hynë të parat në qytetin e Shkodrës. Në mëngjezin e 29 Nëntorit qyteti i Shkodrës u çliru . Brigada e XXIV dhe XXIII e kaluan në mëngjez me varka lumin dhe hynë në qytet. Një grup partizanësh të Br. XXIII u ngjit në Kalanë e Rozafës dhe ngriti aty Flamurin tonë Kombëtar. Në qytet hynë dhe u pritën me  urime e brohoritje fitimtarët e Ushtrisë NÇ. Në drekë, në qendër të qytetit, grupi partizan i Shkodrës, i shtuar me partizanë të rinj, përuroi krijimin e Bigadës XXVII , të komanduar nga Sadik Bekteshi dhe Qazim Kapisyzi.

 Sa partiazanë u vranë në këto luftime?

-Në luftë për çlirimin e Shkodrës  dhanë jetën 44 partizanë nga shumë krahina të Shqipërisë.( sipas “Dëshmorët e Atdheut “, botim i Ministrisë së Mbrojtjes, Tiranë, 2012)

Për çlirimin e Shkodrës ka në  arkivat tona plot dokumente dhe për to janë shkruar mjaft libra , bazuar në to dhe në kujtime nga  ish drejtues e veteranë pjesëmarrës, studiues etj. Po edhe nga  ditaret e komandës gjermane del qartë se, tërheqja e tyre me 29 nëntor nga Shkodra dhe qarku i saj, ka qenë i detyruar dhe është bërë me luftë. Për datën 26 dhe 27 nëntor  ata kanë shkruar në këto ditare për “presion të  vazhdueshëm të bandave( forcave partizane S.O) në pozicionin pengues në jug të Shkodrës.” Fare qartë në këtë ditar  shkruhet se  “me 28 nëntor, nën presionin e bandave , ka filluar lëshimi  i pozicionit pengues , Shkodrës”. Dhe për datën 29 nëntor :” Shkodra u lëshua “ Kjo veprimtari luftarake  e njësive të UNÇSH,  ky “presion “ i detyroi hitlerianët të  luftonin ashpërsisht , duke lënë dhjetëra të vrarë dhe të plagosur , në pikëmbështetjet  e fortifikuara jashtë qytetit të Shkodrës. Nga frika e ndonjë “Mushqetaje” dhe “ Tirane” tjetër ,komanda gjermane do të detyrohej të tërhiqte forcat pa qëndresë  brenda në qytet  ( ndryshe nga ç’kish bërë në Elbasan dhe Tiranë) të gjente rrugëdalje dhe të kapte  e  rindërtonte, me çdo sakrificë,  edhe urën e Bioçes në Mal të Zi.

-Si u përhap lajmi për çlirimin e Shkodrës?

Në mëngjes herët me  29 nëntor komanda e përgjithshëme e UNÇSH  në Tiranë do të njoftohej më radiogram për çlirimin e Shkodrës. Njofimin e Shtabit të Përgjithshëm e ka shpallur po atë ditë, me 29 Nëntor ,  Nako Spiru  në një  miting të rinisë antifashiste që mbahej  në Tiranë ( në sheshin e sotëm “ Nënë Tereza”) dhe që e transmetonte gjithashtu drejtpërdrejt Radio Tirana.

-Dhe e nesërmja më 30 nëntor 1944….Si zbardhi kjo ditë?

Të nesërmen, me 30 nëntor komiteti qarkor i Shkodrës do të  shpërndante një trakt të posaçëm në të cilin njoftonte çlirimin e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë. Më 30 nëntor 1944 në Buletinin e Luftës Nacionalçlirimtare në faqen e parë, lart, në një kornizë me shkrim të theksuar, nën okelion “ora e fundit “ shkruhej : “ Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare njofton: repartet e Ushtrisë Naçconalçlirimtare, që veprojnë në veri të Shqipërisë, çliruan Shkodrën”. Më 5 dhjetor 1944, Buletini i Luftës Naionalçlrimtare, organ i Shtabit të Përgjithshëm botonte një kronikë të shkëlqyer për çlirimin e Shkodrës e të gjithë Shqipërisë me 29 Nëntor nën titullin “ veprimet e korpusit të tretë për çlirimin e Shkodrës”. Me 7 dhjetor 1944 gazeta “Mundimi”,organ i forcave ajrore anglo-amerikane, nën titullin “ Shqipnija u çlirue” shkruante se “ gjermanët e thyen qafën. Shkodra  qyteti i fundit  në duer t’anmikut, u çlirue”.Në mes të dhjetorit 1944 në redaksinë e Buletinit të LANÇ  një partizan shkodran dërgon një kronikë të titulluar “ Me çlirimin e Shkodrës u çlironte e tanë Shqipnija …”Më 3 janar 1945 duke bërë bilancin e vitit 1944, Agjensia telegrafike shqiptare ( ATSH) kujtonte se me 29 Nëntor Radio Tirana transmetoi lajmin e çlirimit të qytetit të Shkodrës nga Ushtria NÇ dhe po atë ditë , me 3 janar, këtë e botonte edhe gazeta “ Bashkimi”. Gazeta e Ushtrisë , “ Luftëtari” më 10 korrik 1945, në një shkrim me titull “ Brigadat që çliruen qytetet tona” , shkruante për çlirimin e Shkodrës me 29 nëntor 1944. Në shtator 1945, me vendim të organeve lokale, gjimnazi i Shkodrës merr emrin “ 29 Nëntori”. Ndërsa me 9 nëntor 1945 Kryesia e Këshillit Antifashist NÇ vendos që 29 Nëntori, si ditë e Çlirimit  të Shqipërisë të shpallej festë zyrtare. Kjo datë është shpallur  festë zyrtare  edhe me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë të kohës së Demokracisë  dhe festohet e do te festohet gjithnjë, në shenjë nderimi  për ata që dhanë jetën dhe luftuan  për çlirimin e Shqipërisë  nga pushtuesit nazifashistë. Më 29 Nëntor 1944 u mbyll lufta epike Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, që rivendosi pavarësinë e  Atdheut, e shkëputi Shqipërinë nga blloku nazifashist, ku e kishin futur kuislingët dhe e vuri në rradhën e koalicionit të madh antifashist botëror.

 

Intervistoi:  Albert Z. Zholi

 

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …