Frank Shkreli

Frank Shkreli: Xhim Xhema, shqiptaro-amerikani që i qiti telashe të mëdha Serbisë së Milosheviqit

Me rastin e 9-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Republika e Kosovës me institucionet e saja dhe shqiptarët kudo, në mënyrën e tyre, festuan këtë përvjetor duke nderuar veprat dhe heroizmat e shumë individëve që punuan, kontribuan, sakrifikuan dhe madje dhanë jetën për kauzën e lirisë dhe për pavarsinë e Kosovës.

Unë sot dua të vendos, jo vetëm në radhën e këtyre një shqiptaro-amerikan, të cilit ndoshta i takon vendi në krye të listës së atyre që duhet të kujtohen dhe të falënderohen për punën e tyre heroike dhe për kontributet që kanë dhënë në realizimin e çlirimit të Kosovës nga regjimi barbar i Serbisë.  Përpjekjet, sakrificat dhe luftërat shekullore të të cilëve, më në fund, u kurorëzuan me  pavarësinë e Kosovës, duke ndryshuar kështu, për më mirë dhe përgjithmonë, historinë e kombit shqiptar.

E kam fjalën për shqiptaro-amerikanin, Xhim (Xhemail) Xhema, biznismenin dhe njërin prej aktivistëve më të dalluar në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.   Xhimi, siç njihet nga miqtë dhe dashamirsit e tij, jeton e punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte vendosur më 1968.  Ai ka lindur në fshatin Tupallë të Medvegjës të “Shqipërisë lindore”, por pohon se familja e tij e ka origjinën prej Shkrelit të Malësisë së Madhe.  Për të gjithë ata që e njohin, Xhimi është tepër modest dhe nuk flet për veten dhe për as sukseset e tija në jetë, si njëri prej biznismenëve më të dalluar — i njohur si i tillë në qarqet amerikane dhe ato shqiptare, jo vetëm si mjeshtër i madh i profesionit të tij në ndërtimtari, por i njohur edhe në fushën politike si patriot që e ka provuar veten gjatë veprimtarisë së tij politike 40-vjeçare këtu në Amerikë, se ai ishte dhe, me të vërtetë, mbetet i pa-arritshëm në këtë fushë. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, të cilin ai me bashkpuntorë të tjerë shqiptaro-amerikanë, kishte ndihmuar në themelimin e tij, e që falë përkushtimit të Xhimit, luajti një rol të rëndësishëm, ndoshta të pazevëndsueshëm, në mbrojtje të Kosovës gjatë 1990-ave dhe në mbështetje të interesave shqiptare në përgjithsi — e kishte dekoruar më 2003 me medaljen “Për Arritje të Mëdha në Jetë”, me motivacionin: Për devotshmërinë e tij legjendare ndaj çështjes shqiptare dhe për punën e palodhur drejtë përmirsimit të  jetës së shumë shqiptarëve, në të dy anët e Atlantikut.”

Përkushtimi dhe devocioni i Xhim Xhemës – dje dhe sot — ndaj interesave shqiptare në Shtetet e Bashkuar dhe në trojet e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor nuk kanë kufi. Xhim Xhema e kishte kuptuar shumë mirë se fati i shqiptarëve në të kaluarën kishte qenë i lidhur me Amerikën.  Ai ishte i vetdijshëm për rolin që kishte luajtur komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me Fan Nolin – në fillim të shekullit 20– në ndërmjetësimin e presidentit amerikan Woodrow Wilson, në favor të pavarësisë së Shqipërisë.  Xhimi me disa pjesëtarë të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan kishte ardhur në përfundimin se vetëm Amerika do të ndihmonte shqiptarët dhe të drejtat e tyre edhe në fund të shekullit 20. Ai filloi të trokiste në dyertë e senatorëve dhe kongresmënve më të njohur të jetës politike amerikane, për t’i njohur ata me situatën tepër të vështirë përball të cilës gjëndeshin shqiptarët e Kosovës, dhe shqiptarët në përgjithsi, anë e mbanë trojeve të veta.   Dyertë e tyre nuk ishin kurrë të mbyllura për Xhimin.

Kam patur fatin që Xhim (Xhemail) Xhemën ta kem njohur për më shumë se 30-vjetë. E kisha takuar për herë të parë në Washington aty nga gjysma e 1980-ave, në një prej vizitave të tija të shpeshta që bënte në atë kohë nga New Yorku në Washington. Ishte pothuaj kulmi i luftës së ftohtë, por edhe fillimi i përpjekjeve të shqiptaro-amerikanëve për ndërkombëtarizimin e asaj, që në atë kohë filluam t’a cilësonim si, “çështja kosovare”, “The Kosova issue”. Deri në vitet 80-ta, ish-Jugosllavia, megjithse një vend komunist, gëzonte një mbështetje dhe reputacion të konsiderueshmëm në Washington, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste. Fjalët e ish-Jugosllavisë kishin peshë dhe jo vetëm në qarqet qeveritare, por edhe në ato akademike dhe gazetareske. Por ja, më në fund, falë veprimtarisë së Xhim Xhemës me shokë, gënjeshtrave dhe shpjegimeve zyrtare të Serbisë mbi situatën dhe trajtimin e tmershëm që u bëhej të shqiptarëve të Kosovës, u kishte dalë boja – diplomacia jugosllave kishte filluar të vihesh gjithnjë e më shumë në dyshim nga Washingtoni zyrtar.  Serbia kishte filluar të fliste me veten, pasi nuk priste një ndryshim të qendrimit të Washingtonit ndaj shqiptarëve “irredentistë” të Kosovës, por gënjeshtrat e Beogradit nuk ishin më monopol i Serbisë. Tashti kishte edhe një zë të besueshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan në lidhje me ngjarjet në Kosovë, një zë që filloi të sigurnte besimin dhe bindjen e zyrtarëve të Washingtonit dhe botës, se diçka e tmershme po ndodhte në Kosovë. Vërtetë, diçka po ndodhte! E vërteta mbi trajtimin e keq të shqiptarëve nga regjimi i Beogradit, më në fund, kishte arritur në Washington, falë përpjekjeve të Xhimit me shokë, të cilët nepërmjet të vërtetës mbi gjëndjen e vështirë të shqiptarëve të Kosovës, do të ushtrohej influencë mbi politikën amerikane në favor të kauzës së shqiptarëve për liri e demokraci dhe më në fund edhe për mbështetjen e pavarsisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara.

Periudha e 80-ave dhe sidomos në vitet 90, lobimi i komunitetit shqiptaro-amerikan kishte arritur kulmin dhe fal Xhim Xhemës me shokë, përfshirë edhe ish-kongresistin me origjinë arbreshe, Joe Dio Guardi, konsiderohej si një prej grupeve lobiste më me influencë në Washington, gjë që krahasohej me lobin izraelit, i cili konsiderohet si më i fuqishmi.   Është meritë e Xhim Xhemës që komuniteti shqiptaro-amerikan siguroi mbështetjen për kauzën shqiptare të disa ligjvensve më me influence në Amerikë — si republikanë ashtu edhe demokratë.  Xhimi ishte bërë si “vendas” në Washington gjatë 80-ave dhe 90-ave.   Më kujtohet me një rast një vizitë e Xhim Xhemës në Kongresin amerikan.   Ndërsa po shkonte tek disa zyra të ligjvensve, dëgjoheshin zërat e stafit që e panë, duke thirrur, “Jimmy is coming, Jimmy is coming”, Po vjen Xhimi, Po Vjen Xhimi.  E tillë ishte prezenca e tij, sidomos në Kongresin amerikan por edhe në ente të tjera qeveritare në Washington. Sidomos, miqësia e tij me Senatorin Bob Dole, ishte kritike në mendimin tim. Xhimi kishte mbështetur fuqishëm fushatat politike të Senatorit Dole dhe ish-presdentit George Bush por jo vetëm me këta.   Xhimi dinte të bënte për veten politikanë me mendime të ndryshme nga të dy partitë kryesore, përfshirë jo vetëm senatorët nga New Yorku, e Connecticut, ku jetonte dhe punonte, por edhe nga shtete më të largëta, si  Senatori Bob Dole nga Kansas dhe Senatori Mitch McConnell nga shtetit Kentucky, me të cilin Xhimi vazhdon të ruaj miqësi të ngushtë dhe i cili tani është kryetar i shumicës republikane në Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Besoj se ndër sukseset e para me rëndësi dhe me pasoja të mëdha për të ardhmen e Kosovës dhe gjithë shqiptarisë – megjithse ai është tepër modest të flasë për sukseset e tija – të ketë qenë lobimi tepër efektiv, besoj me ndihmën e Senatorit Dole, për të bindur Presidentin Bush të vjetër që t’i dërgonte Serbisë, atë që tani njihet si “Paralajmërimi i Krishtlindjes – letra pra dërguar Beogradit zyrtar më 25 dhjetor të vitit 1992 për të mos shkelur vinë e kuqe. Presidenti Bush i kishte dërguar një letër sekrete kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milloseviçit me një mesazh të shkurtër, por i cili ishte i qartë, i përpikët dhe nuk lente hapësirë për dyshim për askënd: “Në rast se në Kosovë ndodhë një konflikt i cili shkaktohet nga provokimet serbe, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë si edhe mbrenda vetë territorit të Serbisë.”  Letra sekrete e Presidentit Bush u bë më vonë baza e politikës amerikane ndaj Kosovës për dekadën shumë të vështirë për shqiptarët atje gjatë 1990-ave.   Këjo politikë e Uashingtonit, e përcaktuar nga Presidenti Xhorxh Bush në fillim të 90-ave, u përsërit herë pas here gjatë asaj dekade nga Presidenti demokrat Bill Klinton dhe zyrtarët e lartë të administratës së tij. “Jemi të gatëshëm të përgjigjemi ndaj serbëve, në rast të një konflikti në Kosovë, i shkaktuar ose i provokuar nga Serbet”, kishte pohuar Sekretari i Shtetit në administraten e ish-Presidentit Klinton, Uorren Kristofer me 13 Shkurt 1993.   Dhe, “Politika amerikane nuk ka ndryshuar” pat deklaruar më 4 Mars të vitit 1998, Robert Gelbard, përfaqsues i posaçëm amerikan për Ballkanin kur u pyet nëse ishte gjithnjë në fuqi paralajmërimi i Presidentit Bush.   Dhe më në fund, vet ish-Presidenti Bill Klinton, në Mars të vitit 1999 deklaroi në Uashington se, “Vija e kuqe ishte shkelur….dhe nuk besoj se duhet të rrimë duarkryq ndërsa mijëra veta vriten e masakrohen dhe varrosen në fusha topi, para se ne të bejmë diçka”, pë t’i ndaluar ato.”   Me 24 Mars, 1999, Presidenti Klinton urdhëroi fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s kundër objektivave serbe në Kosovë dhe anë e mbanë Serbisë.

Xhim Xhema e kishte gjithmonë gishtin në pulsin e politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj shqiptarëve në përgjtihsi dhe ndaj Kosovës në veçanti, deri në shpalljen e pavarësisë. Nga paralajmërimi i Presidenti Bush të vjetër, qendrimi amerikan për lirinë e shqiptarëve të Kosovës u bë pjesë e politikës së jashtme amerikane, për tu zhvilluar, për tu mbështetur dhe për tu kultivuar nga udhëheqsit më të njohur të Amerikës në Kongresin amerikan të asaj kohe dhe nga administrata të ndryshme — përfshirë Presidentin demokrat Bill Clinton i cili bindi NATO-n dhe urdhëroi bombardimin e Serbisë e deri tek republikani George W Bush i ri – njëri prej meritorëve të pavarësisë së Kosovës, i cili deklaroi nga kryeqyteti i kombit në Tiranë se “mjaft është mjaftë”, Kosova duhet të jetë e pavarur.

Ky përkushtim i Amerikës ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës vazhdon të pasqyrohet edhe në ditët e sotëme.  Një delegacion kongresistësh amerikanë – republikanë dhe demokratë — në vizitën e tyre të parë të Kongresit të ri jashtë vendit në fillim të administratës së re amerikane, vizituan ditët e fundit Kosovën.  Në takimet e tyre me zyrtarë të lartë në Prishtinë, pohuan mbështjen e vazhdueshme pa rezerva të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

Xhim Xhema e kishte kuptuar që në fillim se për kauzën shqiptare në përgjithsi, për lirinë dhe për pavarsinë e Kosovës në veçanti, ai duhej të punonte me përfaqsues të dy partive kryesore të Amerikës, si me republikanët ashtu edhe me demokratët. Politika amerikane ndaj Shqipërisë dhe Kosovës vazhdon të mbështetet nga Washingtoni pa marrë parasyshë se cila parti ka shumicën. Megjithë veprimtarisë prej pothuaj 40-vjetësh e cila vazhdon gjithnjë, Xhim Xhema kurrë nuk humbi interesimin as mbështetjen për mirëvajtjen e punëve shqiptare, gjithmonë i gatëshëm për t’i ardhur në ndihmë çeshtjes shqiptare. Gjatë takimit të fundit me të, duke biseduar pak si me zhgënjim për zhvillimet dhe gjëndjen politike të këtyre viteve të fundit në trojet shqiptare, ndoshta me gjysëm shaka, e gjysëm seriozitet, Xhimi në kalim sugjeroi se ndoshta ka ardhur koha të ri-angazhohemi përsëri si komunitet, ndonëse kësaj radhe armiku nuk është më Sllobodan Millosheviqi.

I nderuar Xhimi, të njohim si njeri tepër modest për veprimtarinë tënde, por e ndjejë si detyrim moral që në këtë 9-vjetor të Pavarsisë së Kosovës, këto dy tre fjalë t’i kushtoj me respektin ma të madh për punën tënde prej shumë dekadash në mbështetje të lirisë dhe demokracisë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për veprën tënde të vazhdueshme në mbështetje të kauzës mbarë shqiptare të kombit dhe për emërin e mirë që u ke dhënë shqiptarëve në atdheun tonë të adaptuar këtu në Shtetet e Bashkuara. Xhimi, ti je krenaria jonë. Të përshëndesim në këtë ditë të shënuar, jo vetëm për Republikën e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët kudo.

Frank Shkreli: NATO-ja  mbetet gurëthemeli i mbrojtjes së vlerave perëndimore

Në kryeqëndrën e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, në Bruksel u mbajt këtë javë mbledhja e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare për të biseduar mbi angazhimin e Aleancës perëndimore në luftën kundër të ashtuquajturit “shtet islamik”, në Irak dhe në Siri.  Për herë të parë në një takim të tillë, mori pjesë edhe Sekretari i ri Amerikan i Mbrojtjes në administratën e Presidentit Donald Trump, Xhim Mattis.  Zyra e shtypit e Pentagonit njoftoi se gjatë takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, para se të fillonte takimi i NATO-s me dyerë të mbyllura, Sekretari i ri Amerikan i Mbrojtjes nënvijoi rëndësinë e aleancës perëndimore.

Ai theksoi se, “Aleanca e NATO-s mbetet një gurthemel i rëndësishëm si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për komunitetin transatlantik, pasi jemi të lidhur me njëri tjetrin.”  Ai gjithashtu siguroi aleatët se Administrata e Presidentit Trump mbështetë fuqishëm Aleancën Perëndimore.  Siç dihet, kandidati për president Trump, gjatë fushatës elektorale kishte krikituar NATO-n, duke venë në dyshim, sipas disa eskpertëve, angazhimin e plotë të tij si president dhe rrjedhimisht edhe atë të Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës perëndimore.  Prandaj, ky takim në Bruksel, këtë javë, ishte me rëndësi për të siguruar aleatët mbi mbështetjen e vazhdueshme të Washingtonit për NATO-n.   Por, përveç se siguroi aleatët për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s nga ana e Washingtonit, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes përsëriti gjithashtu edhe qëndrimin e administratës Trump se vendet anëtare të NATO-s, të cilat përfitojnë nga mbrojtja më e mirë që ekziston në botë, duhet të japin kontributin proporcional për shpenzimet, në mbrojtje të lirisë dhe të demokracisë në vendet anëtare.  Ai u citua të ketë thënë se, “Nuk duhet të harrojmë kurrë se më në fund është liria, ajo që në mbrojmë, si anëtarë të NATO-s”. Ai shtoi kishte në plan të zhvillonte një bisedë të hapët dhe të sinqert me miqët dhe me aleatët mbi të ardhmen e aleancës dhe në lidhje me nivelin e angazhimeve të vendeve anëtare të NATO-s ndaj sigurisë së përbashkët.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg, sipas zyrës së shtypit të Pentagonit, citohet të ketë thënë se, Aleanca Perëndimore sot përballet me “Sfidat më komplekse dhe më të vështira në një gjeneratë”, dhe se këto sfida, sipas tij, nuk mund të zgjidhen pa angazhimin dhe bashkpunimin midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, duke shtuar se drejtë këtij qëllimi, “Mirëpret angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj lidhjeve transatlantike”.

Ndonëse, nga një anë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Xhim Mattis i siguroi aleatët për mbështetjen e Washingtonit ndaj aleancës, ai u bëri gjithashtu thirrje vendeve anëtare që, nëqoftse dëshirojnë vazhdimin e angazhimit amerikan në mbështetje të NATO-s, ato duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare dhe ushtarake për mbrojtjen e përbashkët. Ai shtoi se me angazhimin e të gjithë vendeve anëtare, NATO do të vazhdojë të jetë “një forcë e vlefshme, e nevojshme dhe konstruktive”, ashtu siç e kishte cilësuar dikur Presidenti Eisenhower.

Ai përmendi sfidat e sigurisë ndaj vendeve anëtare të NATO-s duke theksuar se “Vendet tona përballen me kërcënime në shumë fronte, në periferi të NATO-s dhe mëtej.  Ne duhet të veprojmë në interes të stabiltetit tonë demokratik”, duke shtuar se lidhjet e ngushta transatlantike, “janë jetike për të luftuar ekstremizmin islamik, për të bllokuar përpjekjet e Rusisë që kanë për qëllim dobësimin e demokracive tona dhe për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe Kinës”, ka thënë Sekretari Amerikan i Mbrojtjes në takimin e NATO-s në Bruksel.

Gjatë takimit të NATO-s, Sekretari Mattis foli në veçanti edhe për marrëdhëniet me Moskën duke thënë se, “Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleanca e NATO-s po përpiqen të angazhohen për marrëdhënie më të mira me Moskën, njëkohësisht, ne duhet të mbrohemi nëqoftse Rusia vendosë të veprojë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare”.  Ndonëse jemi të gatshëm të mbajmë hapur mundësitë për dialog, për bashkpunim dhe për uljen e tensioneve, ne, shtoi ai, “Nuk do të heqim dorë nga vlerat e aleancës tonë”, por do i mbrojmë.

Një pjesë të fjalimit ia kushtoi financave dhe detyrimeve të vendeve anëtare për përmbushjen e përgjegjësive ndaj sigurisë së përbashkët. Taksa-paguesit amerikanë, shtoi ai, “Nuk duhet të paguajnë shumën disproporcionale në mbrojtje të vlerave perëndimore”, duke theksuar se, “Amerikanët nuk mund të kujdesen më shumë se ju për sigurinë e fëmijve tuaj në të ardhmen.   Mospërfillja e gatishmërisë ushtarake provon një mungesë respekti për veten tonë, për aleancën dhe për liritë që kemi trashëguar, por të cilat tani është e qartë se po kërcënohen”, u shpreh Sekretari Amerikan i Mbrojtjes në ministerialin e NATO-s në Bruksel.

Është e vërtetë se gjatë fushatës për president, ishte Donald Trump ai që u kërkoi vendeve aleate të jepnin konributin e tyre, ose dy për qindshin, në barrën për ndarjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes të NATO-s, por kjo nuk është një kërkesë e re nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë presidentët e mëparshëm dhe antarët e Kongresit.   Adminstrata e re amerikane e konsideron këtë si një kërkesë të drejtë, nga e cila siç duket nuk do të heqë dorë, pasi me antarësimin e tyre në NATO, të gjitha vendet anëtare të saj janë zotuar se do të paguajnë 2 për qindshin e prodhimit të brendshëm, si pjesë e përgjegjësive që rrjedhin nga antarsimi. Shtetet e Bashkuara tani paguajnë rreth 75 për qind të shpenzimeve të përgjithshme ushtarake të NATO-s.  Sekretari amerikan Mattis u tha kolegëve të tij aleatë se duke përmbushur detyrimet ndaj aleancës, “Kombet tona provojnë se lidhjet transatlantike, mbrojtja e vlerave  dhe lirive tona, janë diçka që ia vlenë të mbrohen”, nga të gjithë.

Në takimin e Brukselit, të ministrave të mbrojtjes të aleancës NATO mori pjesë edhe Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli e cila sipas portalit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, u tha kolegëve se vendi i saj, “Mbetet e angazhuar të materializojë angazhimet e marra, për një përqasje gjithëpërfshirëse në NATO mbi mbrojtjen e aleatëve. Ministrja e Mbrojtjes theksoi se Shqipëria i jep një rëndësi të veçantë dhe mirëpret diskutimin mbi rreziqet dhe sfidat që burojnë nga jugu i Aleancës”, thuhet në njoftimin dhe nënvijohet se ajo bëri thirrje që aleanca të mos e harrojë Ballkanin Perëndimor, duke shprehur se “Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, janë një tregues i brishtësisë së rajonit. Gjithashtu, sipas saj, kjo gjendje po krijohet dhe nga lëvizjet dhe retorika provokuese e Serbisë, si dhe roli destruktiv i aktorëve të tjerë të jashtëm në rajon”.

Takimi i Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes Xhim Mattis me kolegët e tij të vendeve anëtare të NATO-s përveçse rithkesoi vendosmërinë absolute të mbështetjes amerikane për NATO-n, shpresohet të ketë shërbyer gjithashtu si një rast për të shpjeguar deklaratat — shpesh konfuze — të Donald Trump mbi aleancën perëndimore dhe mbi lidhjet amerikano-evropiane, gjatë fushatës presidenciale.  Duket se në të njëjtën frymë, është nisur drejtë Brukselit një delegacion i Kongresit amerikan, i kryesuar nga Senatori republikan John McCain, për tu takuar të premtën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Kryeqendrën e aleancës perëndimore. Kongresi amerikan ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e politikës së jashtme. Për më tepër, sipas një njoftimi të NATO-s për median, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Stoltenberg do të presë të hënën më 20 shkurt — në Kryeqendrën e saj në Bruksel — Zëvëndës Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, Mike Pence.   Dihet se qendrimet e Donald Trump mbi politikën e jashtme gjatë fushatës, dukeshin si një largim nga politika tradicionale republikane mbi lidhjet e forta dhe të ngushta, të kultivuara gjatë dekadave, midis Amerikës dhe Evropës.

Përveç takimeve në Bruksel, Zëvëndës Presidenti amerikan do të marrë pjesë gjithashtu edhe në Konferencën e Sigurisë në Munich të shtunën, ku sipas një zëdhënsi të Shtëpisë së Bardhë — që citohet nga agjencia e lajmeve Reuters — Zëvendës Presidenti amerikan do të sigurojë udhëheqsit evropianë se nga pikëpamja e Washingtonit, Evropa është një “partner i zëvëndsueshëm” për Shtetet e Bashkuara dhe se “Së bashku jemi më të sigurtë dhe më të begatë, kur Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë të forta dhe të bashkuara”, citohet të ketë thënë zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …