Frank Shkreli: Në njëzet vjetorin e vdekjes së Arshi Pipës

Frank Shkreli: Në njëzet vjetorin e vdekjes së Arshi Pipës

Të ënjtën me 27 Korrik në Muzeun e Kujtesës së krimeve Komuniste në Shkodër u përkujtua 20-vjetori i ndarjes nga kjo jetë në Washington, shkrimtari, politologu dhe kritiku i cili u përndoq dhe u burgos nga regjimi komunist, për qëndrimet dhe bindjet e tija anti-komuniste, njofton nga Shkodra, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo.  Sipas korrespondetit Sulo, pjesëmarrësit në këtë përkujtim u shprehën se Profesor Arshi Pipa dha kontribut të shquar në fushën e albanologjisë, demaskimit të komunizmit dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare, ndërsa vepra e tij nuk njihet plotësisht nga publiku shqiptar shprehet Pëllumb Sulo në kronikën e tij nga Shkodra.

 Profesor Arshi Pipa lindi në Shkodër me 28 Korrik, 1920 dhe ndërroi jetë në Washington në vitin 1997. Ai kaloi pjesën me të madhe të jetës së tij jashtë Atdheut, në mërgim të detyruar.   Arshi Pipa ishte shume i njohur në qarqet akademike e kulturore në Perëndim e sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, por gjatë periudhës së komunizmit ishte “persona nongrata” si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

 Megjithëse nuk e ndjejë veten as të denjë dhe as të kualifikuar për të shkruar për Arshi Pipen dhe veprat e tijë, dua vetëm të shënoj këte përvjetor si një detyrim, pasi e kisha njohur atë dhe motrën e tij Fehimën me të cilën kam punuar në Zërin e Amerikës për disa vjetë. Ndjejë një detyrim moral — për vuajtjet e kësaj familjeje nën regjimin e Enver Hoxhës, për burgun që pësoi Arshiu vetë në ferrin komunist shqiptar dhe per vrasjen nga regjimi komunist i të vëllait të tyre, avokatit të njohur shkodran, Myzaferin — që me dy tri fjalë të përkujtoj këte njeri të madh të kombit, në këte pervjetor të kalimit në amshim. Fatkeqsisht, familja Pipa e pësoi shumë keq nga komunizmi. Ishte kohë e keqe për të gjithë shqiptarët, kur burgosej shkrimtari dhe kur vritej avokati, vetëm e vetëm sepse mendonin ndryshe.

Arshi Pipa përveç kontributeve të mëdha që i ka lenë kombit në fushën e letërsisë, gjuhësisë, filozofisë dhe publicistikës — në bazë të takimeve e bisedave të disa hershme me të në Washington — Arshi Pipën e mbajë mend më shumë si atdhetar dhe antikomunist, pasi afër zemrës kishte dashurinë për Shqipërinë dhe çlirimin e saj nga komunizmi. Ky ishte shpesh subjekt bisedash. Unë e vlerësoj shumë qendresën e tij anti-komuniste. Megjithëse kishte vuajtur ferrin në burgjet e Shqipërisë komuniste, duke e shikuar vdekjen në sy, ai kurrë nuk humbi shpresën për liri për veten dhe për kombin shqiptar dhe si rrjedhim, për këte ideal ai punoi pa ndërprerje deri në minuten e fundit të jetës së tij. Ai shpesh thonte se “Komunizmi nuk ka të ardhme. Ai do të përsëritet në involucjone gjithnjë ma të dobëta derisa të shterret vetvetiu”, kishte profetizuar ai.

Takimi im i parë me Arshi Pipën nuk ishte në person, por ishte Libri i Burgut, i shkruar prej tij ndërsa ishte në burg, si një dokument kundër regjimit komunist. Një libër ky për të cilin vet autori ka thënë se “… u nis me qëllim që libri të delte nga burgjet prej të cilave unë ndoshta nuk do të delsha… Kështuqë, qysh heret shestova me mbledhë përvojen time, dhe jo vetëm timen, të kohës së robënisë, që të ishte ky libër dëshmi e jetës së burgut dhe të kampit — e një anës së jetës nën diktaturën komuniste e cila karakterizon mirë gjithe kompleksin.” Kështuqë, pa e takuar në person, unë kisha njëfarë ideje se kush ishte Arshi Pipa, dhe se cilat ishin qëndrimet dhe bindjet e tija. Unë kam pas fatin të takoj këte dijetar të madh tonin disa herë dhe e kam admiruar sa ishte gjallë si edhe pas vdekjes. Ishte parimor, mbronte me aftësi qëndrimet e tija ndërkohë që kishte një përgatitje të dijës së gjithanshme. Dituria e tij ishte rrjedhim e frutë e studimeve të parreshtura dhe vuajtjeve personale e familjare. Ai, në bisedë të angazhonte intelektualisht dhe në argumentat e tij kishte një gjallëri përbindese të idealeve.

Arshi Pipa personifikonte patriotin dhe intelektualin, ndër më të shquarit e kombit shqiptar, i cili asnjë ditë të jetës së tij nuk pushoi së luftuari për liri e demokraci: për lirinë e fjalës, për lirinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, gjithmonë në papajtueshmëri të plotë dhe të vendosur ndaj regjimit dhe diktaturës komuniste.

Sot, në këte 20-vjetor të vdekjes, kujtojmë Arshi Pipën, personalitetin e madh kulturor, poetin e shkrimtarin, atdhetarin, demokratin e anti-komunistin e flakët që vuajti tmersisht në burgjet e diktaturës komuniste të regjimit të Enver Hoxhës. Kujtojmë gjithashtu personin që mund të thuhet, se jo vetëm që nuk është zbuluar ende si duhet nga publiku shqiptar — ashtu siç vunë në dukje edhe pjesëmarrsit e përkujtimit të tij në Shkodër të ëntjën — por mund të thuhet se nganjëherë e nga disa, ai mbetet i keq kuptuar dhe është trajtuar në mënyrë indiferente, për të mos thënë armiqësore, sidomos nga institucionet kulturore dhe akademike, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Le të shpresojmë që përkujtimi i këtij burri dhe intelektuali të madh të kombit, si ai në Shkodër, të ndihmojë në ruajtjen e trashëgimisë së konsiderueshme të këtij kontribuesi të palodhur të kulturës, shkrimeve dhe studimeve shqiptare, duke zenë vendin që i takon në radhëlt e shkrimtarëve më të njohur shqiptarë. Arshi Pipa gjithë jeten dhe vuajtjet ia kushtoi atdheut dhe kombit. Ai ishte ndër më të ndritshmit patriotë e shkollarë, veprat e të cilit janë jetike për kombin e vuajtur shqiptar nga terri 50-vjeçar komunist.

 Ka ardhur koha që të hiqet dorë nga dogmat e vjetra dhe të vlerësohen shkencërisht kontributi dhe vlerat që kanë veprat e elitës së qendresës anti-komuniste shqiptare, përfshirë edhe veprat e Arshi Pipës. Një gjë e tillë, do të rivendoste dinjitetin dhe nderin e nepërkëmbur njerëzor të elitës së vuajtur dhe të viktimizuar shqiptare dhe do i bënte nder kombit.

Arshi Pipa tërë jetën u mor me fatin e atdheut të vet, prandaj, në këte 20- vjetor të vdekjes së tij, ta kujtojmë, dhe ta nderojmë këte dijetar që solli dritë mbi historinë dhe kulturën shqiptare, si përfaqsues u denjë në boten e jashtme, me dinjitet duke e paraqitur kombin shqiptar si të denjë të zejë vendin qe i takon në radhët e kombeve të qytetëruara. Duke i këthyer ligjëshmërinë dhe vendin që i takon Arshi Pipës dhe veprave të tij në historinë e kombit shqiptar, Shqipëria dhe shqiptarët nuk bejnë asgjë tjetër veçse vene në dukje fisnikërine e vetës ndaj bijëve dhe bijave të kombit që kanë nderuar por që deri tashti nuk janë ende të njohur ashtu siç duhet për publikun e sidomos për brezat e rinjë të shqiptarëve.

Arshi Pipa, veprat e të cilit nuk do të dinë kurr mort është i denjë i kujtimit dhe i nderimeve tona ndërkohë që meriton mirënjohjen e të gjithë Shqiptarëve, jo vetëm sot me rastin e 20-vjetorit të vdekjes, por gjithmonë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …