Frank Shkreli

Frank Shkreli: Në përkujtim të ish-ambasadorit, Lublin Dilja, me rastin e 60-vjetorit të lindjes

Me 10-Tetor të këtij viti, ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Washington do i kishte mbushur 60-vjeç.  Fatkeqësisht, një sëmundje e rëndë e ndau para kohe nga kjo jetë, në vitin 2009, kur ai ishte në moshën 51-vjeçare — në kulmin e jetës dhe të veprimtarisë së tij diplomatike.  Ishte një vdekje e rëndë për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin, pasi ndërroi jetë kur ishte në kulmin e fuqive mendore, profesionale, diplomatike dhe shoqërore.  Ishte kjo një vdekje e rëndë sidomos për familjen e të ndjerit Lublin, për Shqipërinë dhe për trupin diplomatik të saj.  Njëkohësisht, ishte një humbje e rëndë edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, me të cilin Ambasadori Lublin Dilja pothuaj menjëherë pasi kishte filluar nga detyra në Washington – dhe pothuaj si asnjë ambasador tjetër i Shqipërisë në SHBA, si atëherë dhe sot — kishte lidhur marrëdhënie të ngushta me komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithësi, dhe me individë të komunitetit, në veçanti.

Unë e kam njohur Lublin Diljen për herë të parë, një ditë pasi kishte arritur në Washington në Nëntor të vitit 1993, si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, i akredituar gjithashtu edhe në Meksikë dhe Kanada.  Ai qëndroi në këtë detyrë deri në tetor të vitit 1977.

Më kujtohet sikur të ishte dje, në shtëpinë time në Folls Çërç të shtetit Virxhinia, nja 10-kilometra jashtë Uashingtonit, atë natë të nëntorit 1993 kisha disa mysafirë, pjesëtarë të një delegacioni të Partisë Demokratike nga Shkodra, edhe ata në vizitën e tyre të parë në Shtetet e Bashkuara.  Unë nuk e njihja Ambasadorin e ri shqiptar në Uashington, por vizitorët nga Shkodra më njoftuan se një ditë më parë kishte ardhur ambasadori i ri shqiptar të cilin ata e njihnin, në personin e Lublin Diljes dhe më sugjeruan që t’a ftoja edhe atë për darkë me qëllim që të njiheshim me njëri tjetrit.  Në atë kohë mezi prisnim të takonim njerëz të ardhur nga Shqipëria, e lere më ambasadorin e parë të rregullt të Shqipërisë në Washington. E pranova me kënaqsi propozimin e vizitorëve nga Shqipëria sepse — ndonëse kam qenë dëshmitar i nënshkrimit të protokollit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit në Mars të vitit 1991– ardhja e ambasadorit të ri shqiptar në Uashington – përfaqsues i një qeverie post-komuniste të Shqipërisë –  më dukej gjithnjë si një ëndërr që ishte vështirë të merrej me mend si realitet.  Ishte diçka që në të vërtetë e kishim pritur dhe shpresonim për aq shume vite, por që pothuaj se kishim humbur edhe shpresën se do të ndodhte ndonjëherë – përball armiqësisë së regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj Shteteve të Bashkuara.

Sidoqoftë, Ambasador Dilja e pranoi ftesën për të ardhdur tek shtëpia ime pa asnjë hesitim, megjithëse ishte i lodhur nga rruga e gjatë ardhur nga Shqipëria vetëm një ditë më parë. Ndejtëm deri vonë atë natë duke biseduar për Shqipërinë dhe ëndërrat e popullit shqiptar për liri demokraci pas pothuaj një gjysëm shekulli, nën njërin prej regjimeve më të egëra komuniste që ka njohur bota.  Natyrisht, ishte i interesuar për të mësuar sa më shumë për jetën dhe zhvillimet politike në Uashington si dhe për misionin e tij të ri diplomatik që e priste në kryeqyttein amerikan.

Ambasadori Dilja ka lënë pas gjurmë të pashlyeshme kujtimesh ndër të gjithë ata persona me të cilët është takuar shoqërisht dhe me të cilët ka punuar profesionalisht, jo vetëm në fushën diplomatike por dhe në fusha të tjera të veprimtarisë së tij dhe me të gjithë ata miqë e dashamirë shqiptarë dhe amerikanë, që e njohën.  Jo vetëm gjatë shërbimit të tij diplomatik, si përfaqsues i denjë i Republikës së Shqipërisë në Uashington, por më vonë edhe si Ministër-Fuqi-Plotë i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si pedagog në fushën e arsimit shqiptar.  Për mua personalisht, përshtypjet e mia shumë të mira për Ambasadorin Lublin Dilja si njeri dhe si përfaqsues i denjë diplomatik i Shqipërisë, u çimentuan atë natë në shtëpinë time në Virgxhinia jashtë Uashingtonit dhe nuk kanë ndryshuar atë ditë e sot.  Ndryshe nga shumë diplomatë të tjerë, gjatë viteve, Lublini të lente përshtypjen si njeri i thjeshtë dhe pa pretendime, posedonte shumë cilësi të larta njerëzore.  Megjith sfidat shëndetsore, ai e përballoi situatën me kurajo të thellë dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie në punën e tij prej diplomati dhe në jetën e përditshme.   Ishte tepër i urtë, me sjellje të një zotënie, por serioz në punën e tij dhe i vetdijshëm se përfaqësonte Shqipërinë. Si i tillë, gjatë shërbimit të tij diplomatik në Uashington dhe në Nju Jork, ai i solli nder Shqipërisë, si në qarqet diplomatike amerikane dhe ndërkombëtare, po ashtu edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte bërë ndërkohë që nuk mungonte kurrë në aktivitetet e tija, megjith sëmundjen e rëndë që e kishte lodhur shumë gjatë viteve të fundit të jetës së tij, ndërsa shërbente në Misionin e Përherëshëm të Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

 Jam dëshmitar se si diplomat i ri, ai përfaqësoi vendin e tij në kryeqytetin amerikan gjatë një periudhe shumë të vështirë për Shqipërinë dhe për ‘të personalisht. Megjithë këto vështirsi përfshirë sfidat financiare dhe politike me të cilat përballej ambasada shqiptare në Uashington dhe vet Ambasadori Dilja përfshirë krizën e mallëkuar që kishte pllakosur Shqipërinë në atë kohë, ai shërbeu me dinjitet dhe u këthye në atdhe, megjithse mund të rrinte dhe të vendosej në Amerikë në mënyrë permamente, ashtu siç bënë shumë diplomatë të tjerë shqiptarë gjatë viteve.  Me sjelljet e tija dhe bazuar në bisedat me ‘të gjatë asaj periudhe të vështirë për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, kurrë nuk u dëgjua t’i hidhte baltë Atdheut që përfaqësonte, të cilin e donte aq shumë, por ndjehej i privilegjuar që i ishte dhënë mundësia ta përfaqësonte atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje edhe në biseda private, Ambasador Dilja nuk shfryhej kurrë si disa të tjerë për problemet personale ose institucionale në të cilat hasnin, por si përfaqsues i vërtetë dhe i denjë i vendit të tij, të lënte përshtypjen se ai ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shërbim të Shqipërisë dhe jo domosdo në shërbim ose si përfaqsues i ndonjë partie ose individi të veçantë.

Puna e tij e zellshme dhe e palodhshme, megjith sfidat serioze shëndetësore me të cilat përballej trimërisht çdo ditë të viteve të fundit të jetës së tij – të pakën në publik, ashtu në heshtje dhe pa bujë vuante – si dhe dashuria e tij për Atdheun dhe interesat e tija, sidomos në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, e stolisin Ambasadorin Lublin Dilja me merita të veçanta dhe e bën atë shëmbull, të një diplomati të denjë dhe të respektuar të Shqipërisë, për brezat e ardhëshëm të diplomacisë shqiptare.

Për këtë arsye e kujtoj në këtë 60-vjetor të lindjes me respekt, jo vetëm për punën e tij si diplomat, por edhe si mik e dashamir i komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte gjatë periudhës që përfaqësoi Shqipërinë në Uashington dhe në Nju Jork të Shtetet e Bashkuara.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …