Frank Shkreli: Vullnet politik dhe bashkëpunim i të gjithë akterëve


Nevojitet “Vullnet politik dhe bashkpunim i të gjithë akterëve”, citohet nga gazeta Illyria e New Yorkut  të ketë thënë Z. Mathew Holiday i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur — gjatë një tubimi që u mbajtë të mërkurën në hapësirat e Ministrisë për Mirëqenie Sociale dhe Rinisë në Tiranë.   Fjala është për “Vullnet politik dhe bashkpunim i të gjithë aktorëve” në Shqipëri, qofshin ata aktorë shtetërorë, qeveritarë, shoqërorë dhe individë të veçantë — ndihma e të cilëve është e një rëndësie thelbësore për të gjetur varret masive të personave të zhdukur, me gjyq dhe pa gjyq, nga regjimi komunist shqiptar gjatë periudhës 1944-199 — për t’i gjetur dhe për t’i identifikuar ato viktima të komunizmit, numri i të cilëve sipas vet autoriteteve shqiptare, llogaritet të jetë mbi 6000 persona.  Ky ishte apeli që u bëri autoriteteve shqiptare, Z. Mathew Holliday i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur të mërkurën në Tiranë.


Në portalin e Ministrisë Për Mirëqenje Sociale thuhet se në këtë tryezë konsultuese, siç e quan ajo tubimin, morën pjesë zëvendësministrja e MSR-së, znj. Gentjana Sula, përfaqësuesi i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur, z. Matthew Holliday, drejtori i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, z. Bilal Kola, si dhe përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve dhe intelektualë.  Njoftohet gjithashtu se, siç thuhet, me mbështjetjen e kësaj Ministrie, pranë Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë do krijohet sektori i të zhdukurve, i cili gjithnjë sipas Ministrisë së lartë përmendur, është projektuar të jetë porta pritëse e të gjitha kërkesave dhe informacioneve mbi procesin e gjetjes së personave të zhdukur gjatë periudhës së diktaturës.  Ndërkaq, edhe përfaqsuesi i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur, Mathew Holliday, në emër të organizatës së tij, premtoi ndihmesën teknike dhe mjekësore për të gjetur dhe për të identifikuar personat që kanë humbur si rrjedhojë e krimeve të komunizmit kundër popullit të vet dhe fati i të cilëve nuk dihet për pothuaj 70-vjetë tani. Ndonëse apeli i tij të gjithë aktorëve nuk përmendet në portalin e Ministrisë, ai nuk humbi kohë që të paralajmëronte se suksesi i kësaj ndërmarrjeje varet nga “vullneti politik, meqënëse mund të zbulohen fakte historike dhe dëshmi, ndaj duhet bashkëpunim i të gjithë aktorëve”, theksoi ai. Që ky proces të shënojë sukses, do të nevojitet gjithashtu dëshmia dhe bashkpunimi i ish-zyrtarëve të regjimit komunist, mbrenda dhe jashtë institucioneve të tanishme të shtetit shqiptar.  Është e pamundur që të mos ketë dokumentacion dhe të mos ketë dëshmitarë që dinë se ku gjënden shumica e këtyre varreve masive, nevojitete vetëm “vullneti politik dhe bashkpunimi i të gjithë aktorëve”.  Vetë Ministria njofton në portalin e saj se është evidentuar “numri i personave të zhdukur në mbi 6000 veta dhe se numri i varreve masive të pa identifikuar dhe pothuajse të pazbuluar asnjëherë shtrihet në të gjithë vendin, në rreth 30 vënde ekzekutimi”. Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur ka ofruar ndihmesën teknike dhe ekspertizën mjekësore.  Atëherë ku qendron problemi, pse nuk bëhen hetimet e nevojshme për zbulimin dhe për identifikimin e eshtrave të të zhdukurve nga regjimi komunist?


Zëvendësministrja Sula u shpreh se trajtimi i kësaj teme prek thelbin e drejtësisë së munguar dhe se shteti dhe shoqëria u ka borxh të gjithë atyre personave që sot e kësaj dite nuk kanë gjetur prehje, duke shtuar se “Hapja e zyrës për Personat e Zhdukur pranë Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë është një hap mjaft i rëndësishëm i kësaj qeverie, jo vetëm administrativ, por edhe moral, për të ndihmuar dhe lehtësuar kalvarin shumë vjeçar të familjarëve të të zhdukurve.”  Zëvendësministrja Sula, tha se, “Hapja e zyrës ka për qëllim që të fillojë një kapitull të ri në trajtimin e kësaj çështjeje kaq të ndjeshme, e cila gjer më sot është trajtuar në mënyrë sporadike dhe në mungesë të një qasje të koordinuar institucionale”, theksoi znj. Sula.


Megjithëse vonë dhe ndonëse mbetet për tu pa serioziteti i kësaj nisme, është mirë  që të pakën po flitet për këtë fenomen-plagë të pazgjidhur të shoqërisë shqiptare dhe që Ministria e Mirëqenjes Sociale organizoi një tubim të tillë për një çështje që kërkon zbardhje për një çerek shekulli tani.   Njerzit që dëshirojnë informacion, mbi të gjithë familjarët dhe të afërmit e viktimave të zhdukura të komunizmit, shpresojnë dhe luten që kjo nismë, jo vetëm të jetë një hap drejt “Një kapitulli të ri”, siç pretendoi zëvëndës-ministrja Sula, por duhet të konsiderohet si një përgjegjësi morale dhe shtetërore, që kjo çështje  të zbardhet njëherë e përgjithmonë. 


Por,fatkeqsisht vetë njoftimi në portalin e kësaj Ministrie mbi takimin e mbajtur në Tiranë në lidhje me këtë çështje, të bën të dyshohet mbi seriozitetin e angazhimit zyrtar të autoriteteve shqiptare për realizimin e ndonjë suksesi eventual të kësaj ndërmarrjeje, ndërkohë që thuhet se,”suksesi i kësaj nisme do të varet shumë edhe nga bashkëpunimi dhe eksperienca që do të sjellin përfaqësuesit e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur”.  Duket sikurë topi i kësaj nisme po hidhet në kopshtin e Komisionit Ndërkombëtar.


Vetë përvoja e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur gjatë viteve të kaluara në marrëdhënjet e tija me autoritetet shqiptare duket se nuk ka qenë e kënaqshme, kryesisht për arsye të mungesës së interesimit të Tiranës zyrtare për këtë çështje. Në portalin e tij mbi Shqipërinë, Komisioni Ndërkombëtar duket se shpreh pesimizëm mbi seriozitetin e autoriteteve shqiptare për zgjidhjen e kësaj çështjeje.  Në lidhje me këtë, Komisioni thotë se ndonëse,”Ç’prej vitit 1991, autoritetet shqiptare kanë miratuar më shumë se 24 akte ligjore në lidhje me viktimat e ish-regjimit, gjithnjë mbizotërojnë dyshimet dhe mos interesimi për fatin e personave të zhdukur dhe për identifikimin e vendeve ku  mund të jenë varret e të zhdukurve”, duke shtuar se në Shqipëri, “pothuaj nuk është bërë asgjë për tu ofruar ndonjë ndihmë konkrete familjeve të të zhdukurve.”  Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur thotë gjithashtu se mungesa e informacionit dhe mosinteresimi zyrtar për të afërmit e tyre të zhdukur nga regjimi komunist është diçka tepër e vështirë që të pranohet nga familjet e tyre. Për më tepër, kjo mungesë informacioni dhe mos angazhimi zyrtar për zbulimin dhe identifikimin e të zhdukurve, sipas Komisionit Ndërkombëtar, “Po pengon gjithashtu mbarë shoqërinë shqiptare që të shkëputet njëherë e mirë nga trashëgimia e saj totalitare.”


Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur pohon se megjithë përpjekjet e pakta institucionale të Shqipërisë për të zgjidhur çështjen e të zhdukurve të regjimit komunist, janë familjarët e këtyre viktimave ata që kanë vazhduar të kërkojnë dhe të zbulojnë vet eshtrat e të afërmve të tyre.  Duke lexuar raportin vihet re njëfarë zhgënjimi me përvojën e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur në Shqipëri. Komisioni pohon se në prill të vitit 2010 përfaqsues të këtij enti ndërkombëtar kanë filluar kontaktet e rregullta me qeverinë shqiptare, me disa grupe jo qeveritare që merren me të drejtat e njeriut si dhe me familjet e të zhdukurve duke u ofruar atyre ndihmë teknike për zbulimin dhe identifikimin e të zhdukurve.  Në raportin e Komisionit Ndërkombëtar i datës 18 qershor, 2014, theksohet se në tetor të vitit 2012 Kryeministri i atëhershëm, Z. Sali Berisha kishte lënë të nënkuptohej se ai do të organizonte një konferencë në mbështetje të propozimeve të bëra nga Komisioni Ndërkombëtar për gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve nga komunizmi, por ç’rej asaj kohe nuk është shënuar ndonjë përparim në këtë fushë, përfundon raporti i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur.


Është e qartë siç ve në dukje edhe Komisioni Ndërkombëtar se autoritetet shqiptare, tani dhe më përpara gjatë këtyre 25 viteve, ç’prej shembjes së komunizmit, nuk kanë treguar vullnetin e nevojshëm politik dhe as nuk kanë ofruar bashkpunimin e duhur për gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve të regjimit komunist.  Për më tepër, duket sikur ata presin që dikush tjetër të merret me këtë çështje, por kjo është përgjegjësia e autoriteteve të Shqipërisë, nëqoftse ato janë me të vërtetë serioze.  Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur, ashtu siç ka premtuar, mund të japë ndihmesën e tij teknike në këtë mes, por jo në një boshllëk dhe në një atmosferë mungese të vullnetit të mirë dhe të bashkpunimit serioz nga autoritetet përkatëse.  Andaj që ndihmesa e këtij komisioni të dalë me sukses në gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve të regjimit komunist në Shqipëri, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur ngulë këmbë ekziston nevoja për një vullnet politik më serioz dhe për bashkpunimin e aktorëve në të gjitha nivelet qeveritare të Shqipërisë, nëqoftse autoritetet shqiptare me të vërtetë janë të vendosura, siç tha edhe zëvendësministrja Gentjana Sula “për të ndihmuar dhe lehtësuar kalvarin shumë vjeçar të familjarëve të të zhdukurve”. 


Kjo përgjegjësi nuk mund t’i kalohet askujt tjetër sepse kjo është një përgjegjësi themelore e autoriteteve shtetërore dhe qeveritare të Shqipërisë.  Por familjet e të zhdukurve vazhdojnë të shpresojnë kundër shpresës se një ditë do të mësojnë fatin e keq të të afërmëve të tyre se ku, kur dhe pse u zhduken ata pa shënjë e pa gjurmë. Mbetet për t’u parë nëse autoritetet shqiptare me të vërtetë janë serioze, që më në fund, të përballen me këtë çështje.  Zbulimi i së vërtetës është obligim ligjor dhe moral i autoriteteve të qeverisë dhe të shtetit shqiptar ndaj mijëra familjeve të viktimave të komunizmit të cilat 25 vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit ende presin me durim të zbulojnë të vërtetën mbi fatin e të dashurve dhe të afërmëve të tyre të zhdukur nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha!  Por, zbulimi i së vërtetës kërkon bindjen morale,vullnetin e mirë dhe bashkpunimin e të gjithëve, që fatkeqsisht kanë munguar gjatë 25-viteve të fundit,e që sipas Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur njëkohsisht vazhdon të pengojë mbarë shoqërinë shqiptare që të shkëputet njëherë e mirë nga trashëgimia e saj totalitare.”


 


F. Shkreli: Nishani vizitoi shqiptarët në Mal të Zi, ata duan që Malësia të ketë një komunë


 


Në fillim të kësaj jave, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani zhvilloi një vizitë shtetërore në Republikën e Malit të Zi. Gjatë vizitës dy ditore në shtetin fqinj,Kreu i shtetit shqiptar u takua me udhëheqsit më të lartë të Podgoricës, përfshirë homologun e tij, Presidentin malazez Filip Vujanoviq dhe Kryeministrin Milo Gjukanoviq. Zyra e Presidentit Nishani njofton në portalin e saj se gjatë këtyre takimeve dypalëshe me homologun e tij dhe me zyrtarë të tjerë malazez u biseduan çështje të interesit të përbashkët, por thuhet gjithashtu se ata  shkëmbyen edhe mendime mbi gjëndjen rajonale, europiane dhe globale.


 


Presidenti Nishani gjatë vizitës së tij në Mal të Zi dhe gjatë bisedimeve me udhheqsit më të lartë malazez u kushtoi një vëmendje të veçantë të drejtave të pakicave kombëtare.  Në takimin me Presidentin malazez, Vujanoviq, Presidenti Nishani theksoi se kishin trajtuar edhe çështjen e pakicave kombëtare, të cilat sipas tij, luajnë një rol shumë të rëndësishëm si ura lidhëse miqësie midis dy vendeve.  Ai nënvijoi rëndësinë e dialogut mbi pakicat kombëtare duke shtuar se, “pakicat kombëtare meritojnë dhe duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që i garanton kushtetuta dhe kuadri ligjor i vendeve tona, por edhe konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Konventa kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare.  Në këtë kontekst”, nënvijoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, “Dëshiroj të theksoj se është shumë e rëndësishme që shqiptarët në Mal të Zi të ndjehen mirë të përfaqësuar, duke u bazuar në Kushtetutën e Malit të Zi, në institucionet qendrore, të vetëqeverisjes lokale dhe institucionet publike.” Presidenti Nishani përmendi edhe disa probleme aktuale me të cilat po përballen shqiptarët në Ulqin, (siç është rasti i uzurpimit të  pronës private nga shteti i familjes Rudaj në Shtoj të Ulqinit) dhe sfidat  me të cilat përballen shqiptarët në fuhsën e arsimit dhe të përdorimit të simboleve kombëtare. Në lidhje me këto probleme që vazhdojnë të ndjekin shqiptarët edhe pas pavarësisë së Malit të Zi, Presidenti Nishani, gjatë vizitës së tij në Podgoricë, bëri thirrje që shqiptarëve tu, “Respektohet e drejta e pronës private dhe e administrimit të saj, si dhe të gëzojë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore të shkollimit në gjuhën shqipe si dhe në përdorimin e simboleve dhe të gjuhës kombëtare”, u shpreh Kreu i shtetit shqiptar.


Në lidhje me kërkesat e malësorëve për Komunën e Tuzit, një problem ky që me të drejtë tashti ka marrë përmasa ndërkombëtare, si një çështje e përfaqësimit demokratik që po u mohohet shqiptarëve të Malësisë në nivel vendor, Presidenti Nishani sugjeroi se, “Zgjidhja përfundimtare e statusit të  Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën.”  Në përputhje me standardet e konventave ndërkombëtare mbi pakicat, si edhe me ligjet dhe kushtetutën e Malit të Zi, Z. Nishani tha se, “Dëshirojmë dhe jemi shumë të interesuar që, konform këtyre standardeve, pakicat të kenë të gjitha të drejtat dhe hapësirat e nevojshme për ruajtjen dhe trashëgiminë e identitetit historik e kulturor kombëtar.”    Njoftohet se edhe në takimin e tij me Kryeministrin malazez Gjukanoviq, Presidenti Nishani ritheksoi të njëjtat tema dhe probleme përsa i përket të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.


Pas takimeve zyrtare midis delegacioneve të  dy vendeve, gjatë vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi, Presidenti Nishani kishte rezervuar një agjendë të ngjeshur për takime të veçanta me komunitetin shqiptar atje — autokton në trojet veta — si dhe me përfaqsuesit e tij politikë dhe fetarë.  


Kreu i shtetit shqiptar filloi takimet e tija me shqiptarët në Tuz, Ulqin e Tivar, ndërkohë që zhvilloi edhe një takim të veçantë me përfaqsuesit politikë nën ombrellën e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi.  Kreu i shtetit amë u prit ngrohtë nga malësorët në Tuz, përfshirë mësues dhe nxënës të një shkolle lokale,  ku u takua me përfaqësues të partive politike dhe  me të zgjedhurit vendorë të kësaj komune. Sipas medias vendore, ra në sy pankarta në tubimin e pritjes në të cilën shprehej dëshira e popullësisë shqiptare të atyre anëve: “Zoti President, Malësia don Komunë”.  Zyra e Presidentit Nishani njofton se, “Në takimin me përfaqësuesit e partive politike dhe të zgjedhurit vendorë të komunës urbane të Tuzit, Presidenti i Republikës i informoi ata mbi takimet e zhvilluara me përfaqësuesit më të lartë të shtetit malazez dhe mbi mesazhet e përcjella”, dhe se “Kreu i Shtetit nënvizoi se do të mbështesë dhe do ndjekë në vijimësi trajtimin e çështjeve që u diskutuan gjatë vizitës në Mal të Zi, ashtu sikurse vlerësoi maksimalisht rolin tejet pozitiv që faktori shqiptar luan në procesin e integrimeve evropiane e euroatlantike të Malit të Zi.”


Gjatë udhtimit nga Tuzi për në Ulqin, Presidenti Nishani zhvilloi një vizitë në selinë e Kryeipeshkvnisë së Tivarit ku u prit nga Kryeipeshkvi, Imzot Zef Gashi dhe Kryekancelari i Ipeshkvnisë dhe Famullitar i Kishës së Tuzit, At Pashko Gojçaj.  Kryeipeshkvënia Arbërore e Tivarit ka një histori të lashtë dhe të lavdishme prej pothuaj 1000-vjetësh si qëndër e katolicizmit shqiptar në atë troje, e cila sipas disa historianëve, konsiderohet si vazhduese e Kishës së Ilirikut Lindor, themeluar në Shkup prej Justinianit të Madh në shekullin e VI.  Në atë vend të rëndësishëm të historisë së kombit shqiptar, njoftohet se “Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për vizitën në selinë e Kryeipeshkvnisë së Tivarit duke vlerësuar institucionet fetare si një ndihmesë e madhe për ruajtjen e vlerave, traditave, identitetit kombëtar dhe gjuhës sonë, tek të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen në trojet e tyre etnike në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës apo në diasporë”, u shpreh presidenti Nishani gjatë pritjes së tij në Kryeipeshkvëninë Arbërore të Tivarit.


Ndërsa, Kryeipeshkvi Imzot Zef Gashi falënderoi Presidentin Nishani për këtë vizitë në një objekt kulti shqiptar në Mal të Zi, që vitin e kaluar ka festuar 925-vjetorin e ekzistencës së vet.   Imzot Gashi e siguroi Presdientin Nishani duke theksuar se “institucionet tona fetare do të jenë në shërbim të përjetshëm të fesë dhe të kombit, ashtu siç kanë vepruar edhe para-ardhësit tanë që i kanë drejtuar këto institucione”, pohoi Imzot Zef Gashi.


Kreu i shtetit shqiptar e përfundoi vizitën e tij në trojet shqiptare në Mal të Zi me arritjen e tij në qytetin e lashtë bregdetar shqiptar të Ulqinit ku u prit nga Kryetari i Komunës, Fatmir Gjeka dhe anëtarët e Kuvendit Komunal të Ulqinit. Presidenti Nishani u bëri thirrje udhëheqsve vendorë të Ulqinit, ndërkohë që kufijtë janë të hapur dhe munëdsitë janë të mëdha për shkëmbime në të gjitha nivelet, “duhet të shfrytëzojmë maksimalisht hapësirat që krijon liria dhe demokracia, të shkëmbejmë sa më shumë eksperiencë, dije, investime dhe të jemi më afër se asnjëherë tjetër me njëri-tjetrin.”   Ndërsa Kryetari i Komunës së Ulqinit, komunë e cila gëzon një shumicë shqiptare prej 85%, sipas burimeve, e informoi Kreun e shtetit amë, mbi zhvillimet ekonomike, kulturore dhe të fushave të tjera të asaj zone dhe e falënderoi atë për interesimin e tij për fatin e shqiptarëve kudo që jetojnë. Ndërsa, thuhet se Presidenti Nishani u bëri thirje autoriteteve të komunës së Ulqinit që të punohet sa më shumë në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe identitetit  kombëtar, si vlera më e shquar që kemi si komb, ka thënë Z. Nishani. “Institucioni i Presidentit do të jetë çdoherë pranë jush në ndihmë të lidhjeve sa më të mira me institucionet shtetërore në Shqipëri dhe në përkrahje të fqinjësisë së mirë dhe të respektimit të çdo të drejte tuajën qytetare dhe kombëtare”, u premtoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë të pranishëmve, gjatë vizitës së tij në Ulqin në fillim të kësaj jave.


Vizita e Presidentin Nishani në trojet autoktone shqiptare nën Mal të Zi është një gjest më se i mirëpritur. Ndonëse mbeten për tu parë rezultatet eventuale të kësaj vizite dhe nëse kjo vizitë do të ndihmojë në përmirësimin e gjëndjes së shqiptarëve atje, besoj se të pakën mbrenda një të ardhme të afërt, vizita e Kreut shqiptar në Mal të Zi, në mos asgjë tjetër, do të ndihmojë, në sensibilizimin e mëtejshëm të opinionit zyrtar dhe publik shqiptar mbi gjëndjen aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi. Ta quajmë këtë vizitën e Presidentit Nishani si fillimi i “shqiptarizimit” të çështjes shqiptare në atë vend. Por do tu tregojë edhe udhëheqsve malazez se shteti amë kujdeset për fatin e shqiptarëve në atë vend. Ka rëndësi fakti që Kreu i shtetit amë gjatë një vizite zyrtare në Podgoricë – në kuadër të marrëdhënjeve të mira midis dy shteteve fqinje dhe në bazë të standardeve europiane dhe ndërkombëtare – fletë për çështjet dhe problemet me të cilat përballen sot shqiptarët në Mal të Zi. Ato janë të shumëta dhe përfshijnë shumë fushë, mbi të gjitha në arenën e përfaqësimit politik, në fushën arsimore dhe kombëtaro- kulturore, por edhe në fushën ekonomike. Është me rendësi gjithashtu angazhimi i Presidentit Nishani se nga pikëpamja e Kreut të shtetit shqiptar, “Institucioni i Presidentit do të jetë çdoherë pranë jush në ndihmë të lidhjeve sa më të mira me institucionet shtetërore në Shqipëri dhe në përkrahje të fqinjësisë së mirë dhe të respektimit të çdo të drejte tuajën qytetare dhe kombëtare.” Ky është një angazhim që duhet ta bëjë edhe Prishtina zyrtare ndaj shqiptaëve në Mal të Zi. Shqiptarët që jetojnë në trojet e veta autoktone në Mal të Zi, nuk meritojnë as më pak as më shumë të drejta se sa ato që i janë akorduar pakicave serbe dhe malazeze në Republikën e Kosovës. 


Por ama, pa marrë parasyshë interesimin e Tiranës dhe të Prishtinës për fatin e shqiptarëve në Mal të Zi dhe megjithë sfidat dhe problemet e shumëta që paraqet Podgorica zyrtare ndaj zhvillimit të jetës normale politike, kombëtare dhe ekonomike për komunitetet shqiptare në Mal të Zi, përgjëgjësia më e madhe për përmirësimin e jetës dhe për fatin e mirë në përgjithësi të shqiptarëve në atë vend, bie mbi shpatullat e të zgjedhurve dhe përfaqsuesve politikë të shqiptarëve në Mal të Zi.  Përçarjet dhe mosmarrveshjet politike midis tyre janë tanimë të njohura mirë, për të mos thënë legjendare.  Por, janë ata që para të gjithëve duhet të tregojnë përgjegjësi të lartë politike, morale dhe kombëtare dhe të dëgjojnë thirrjet, pikëspari nga zgjedhsit e vet, por edhe nga të tjerët, për një bashkim të forcave politike atje me qëllim të përmirësimit të përgjithshëm të jetës së shqiptarëve në të gjitha fushat dhe aktivitetet e tyre në Mal të Zi. 

Kontrolloni gjithashtu

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështet anëtarësimin e Kosovës në radhët e veta

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështet anëtarësimin e Kosovës në radhët e veta

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës  me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime …