Fshati Tërrn i Ferizajt vërshohet nga uji

Reshjet e pandërprera të shiut kanë krijuar një gjendje kaotike në fshatin Tërrn të komunës së Ferizajt mëngjesin e së premtes. Sipas banorëve të këtushëm prej se ky fshat goditet nga vërshimet niveli i ujit asnjëherë nuk ishte më i lartë siç është tani gati 1 metër.

Autoritetet komunale të cilat u angazhuan për hapje të kanaleve premtuan gjithë ndihmën që u duhet këtyre banorëve. Ndërkaq sa i përket zgjidhjes përfundimtare të këtyre telasheve u premtua se gjatë verës do të merren masa të tjera mbrojtëse.

Si shumë herë kur ka reshje shiu fshati Tërrn i komunës së Ferizajt ka mbetur nën ujë nga reshjet e fundit. Mëngjesin e së premtes një pjesë e shtëpive në hyrje të fshatit ishin të vërshuara nga uji ndërsa edhe rruga që lidh fshatin Bablak me Tërrnin ka qenë e pa qarkullueshme për automjetet e vogla. Banorët thonë se nuk e mbajnë mend që uji të ketë arritur deri në 1 metër ndërsa kanë mbetur të izoluar.

“Detyrë e jona është vëzhgimi dhe ne do të tregojmë një kujdes rreth nevojave që do të kenë banorët, nëse eventualisht do të ketë ndonjë telashe me sigurinë e tyre” pohon Toger Qazim Reka komandant i stacionit policor në Ferizaj. Për të parë nga afër gjendjen  me vërshimet e fundit  në fshatin Tërrn paraditen e sotme ishin edhe autoritetet komunale të Ferizajt. Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Sfarqa tha se gjendja është e jashtëzakonshme, por që angazhimet e komunës do të jenë të vazhdueshme për evakuim të banorëve apo ofrim të ujit e ushqimeve të nevojshme.

“Vërtetë është një gjendje e jashtëzakonshme dhe ne me të gjitha mundësitë do të mundohemi t’u dalim në ndihmë këtyre banorëve me kapacitetet e ujit e të ushqimeve” deklaroi kryetari Sfarqa. Kreu i komunës edhe me këtë rast shprehur revoltën ndaj komunave fqinje Shtimes dhe Lipjanit të cilat nuk janë kujdesur që rrjedhat e lumenjve të jenë më të pastruara, ndërsa pasojat po i vuan komuna e Ferizajt. “Unë shpreh revoltën time ndaj këtyre dy komunave të cilat nuk janë treguar të përgjegjshme dhe të kujdesshme për pastrimin e lumenjve dhe të rrjedhave të tyre dhe pasojat po i vuajmë ne. Me këtë rast  u bëj thirrje edhe organeve të nivelit qendror që të ofrojnë ndihmën e bashkëpunimin në vlerësimin e gjendjes sepse komuna e Ferizajt si e vetme nuk mund të përballojë gjithë këtë problem me vërshimet. Ndërsa i siguroj banorët se shpejt do të formohet një komision për vlerësimin e dëmeve nga uji” nënvizoi kryetari Sfarqa.

Komuna e Ferizajt verën e kaluar kishte intervenuar në hapjen e kanaleve por pasi një gjë e tillë nuk u bë edhe nga komuna e Lipjanit  efekti tani nuk është i dukshëm. Autoritetet komunale thonë se po shqyrtojnë mundësinë që gjatë kësaj vere të marrin masa të tjera rrethimi dhe përcaktimi të kufinjëve, pasi që pasojat e vërshimeve për 5 vjet më radhë po i vuajnë banorët e fshatit Tërrn i cili i takon komunës së Ferizajt.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë

Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë të Vitisë, aty …