Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se po e dërgon vendin në zgjedhje të reja për interesa personale dhe për tendencë drejt pushtetit absolut. Musliu deklaroi se zgjedhjet e 7 qershorit nuk janë pasojë e opozitës, por e, siç tha ajo, “hakmarrjes politike” të Kurtit ndaj qytetarëve që nuk ia dhanë mbështetjen që ai synonte. “Ai nuk e ka problemin me opozitën, sepse ne kemi qenë opozitë deri para pak ditësh. Problemin e ka me qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh Musliu. Sipas saj, Kurti nuk është i kënaqur me mbështetjen prej 51 për qind që kishte marrë në zgjedhjet e kaluara, por synon kontroll të plotë politik dhe institucional. “Me këto zgjedhje, Albin Kurti po u hakmerret qytetarëve që nuk ia dhanë 80 për qind të votave. Atij nuk i mjafton 50 apo 51 për qind, sepse synon të jetë i gjithëpushtetshëm”, deklaroi Musliu. Ajo shtoi se vendi nuk duhet të mbahet peng i ambicieve personale politike, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për stabilitet institucional dhe përgjegjësi shtetërore, e jo për krizë të vazhdueshme politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
