Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar një angazhim të ri strategjik në Ballkanin Perëndimor, me synimin për të forcuar sigurinë energjetike të rajonit dhe për të reduktuar varësinë nga energjia ruse, ndërsa Kosova po shihet si një nga vendet me potencialin më të madh për investime dhe modernizim energjetik. Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, i dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë për integrimin energjetik, Joshua Volz, deklaroi se energjia tashmë është pjesë e sigurisë kombëtare dhe një element kyç në përballjen gjeopolitike me Rusinë. “Rusia e ka përdorur vazhdimisht energjinë si armë dhe si mjet presioni politik. Ne duam t’i zëvendësojmë molekulat ruse me burime energjetike amerikane dhe të krijojmë alternativa të sigurta për aleatët tanë”, tha Volz. Në fokus të veçantë të strategjisë amerikane është edhe Kosova, të cilën Volz e përshkroi si “aleate shumë të rëndësishme” dhe një vend që ka nevojë urgjente për modernizimin e sistemit energjetik. “Sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe kjo paraqet një mundësi të madhe për industrinë dhe teknologjinë amerikane”, u shpreh ai. Ai shtoi se Kosova shihet si një treg i gatshëm për investime, por se për të tërhequr kapital më të madh amerikan duhet të krijohen kushte më të favorshme për sektorin privat dhe investitorët ndërkombëtarë. Sipas Volz, zgjerimi i infrastrukturës rajonale të gazit, përmes të ashtuquajturit “Korridor Vertikal”, mund ta lidhë në të ardhmen edhe Kosovën me rrjetin rajonal të furnizimit me gaz natyror amerikan.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
