Gjykata speciale në Hagë, ka njoftuar për zhvillime të reja në proceset gjyqësore që lidhen me ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përfshirë çështjen ndaj Hashim Thaçi dhe bashkë akuzuarve të tjerë. Sipas zëdhënëses Angela Griep, në rastin ku Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e Thaçit pritet të dëshmojë javën e ardhshme, nga 11 deri më 15 maj. Gjykatësi i vetëm në këtë rast, Christopher Gosnell, ka urdhëruar ekipet mbrojtëse që të përmbyllin paraqitjen e provave deri më 14 maj 2026, ndërsa Prokuroria duhet të dorëzojë çdo kërkesë për kundërprova deri më 15 maj. Po ashtu, më 1 maj është publikuar edhe një vendim tjetër i 22 prillit, ku gjykatësi refuzoi si provë një akt-ekspertizë të propozuar nga mbrojtja e Thaçit, me arsyetimin se raporti përmbante interpretime juridike që janë kompetencë ekskluzive e gjykatës. Ndërkohë, në procesin tjetër gjyqësor ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, trupi gjykues ka vendosur të zgjasë me 60 ditë afatin për shqiptimin e aktgjykimit, deri më 20 korrik 2026. Po ashtu, në çështjen e Pjetër Shala, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar panelin e Gjykatës Supreme që do të shqyrtojë kërkesën e mbrojtjes lidhur me urdhrin për zhdëmtim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
