Hajrush Kurtaj: 10 Gusht 1998, 25 - vjetori i qëndresës heroike në Gabrricë - kushtrimi i Lirisë

Hajrush Kurtaj: 10 Gusht 1998, 25 – vjetori i qëndresës heroike në Gabrricë – kushtrimi i Lirisë

UÇK – ja është epokë. Shqiptarët në historinë e tyre njohin këto  epoka :Epoka e Skënderbeut , Epoka e Lidhjes Shqiptare, Epoka e Ismail Qemajlit dhe  shpallja e Pavarsisë së Shtetit Shqiptare dhe Epoka e UÇK– së që solli edhe Shpalljen e Shtetit të Kosovës , me gjithë tendencat nëpër procesese të ndryshme  gjyqësore të montuara,  këtë  epokë nuk ka forcë që mund ta njëllosë. Kushtrimit për t’i  dalë zot atdheut të robëruar nëpër shekuj, qysh në fillet e tij, pa u menduar iu përgjigjën edhe bijat dhe bijtë kaçanikas, të cilët me heroizmin, sakrificat dhe trimërinë e tyre lanë gjurmë të pashlyera në të gjitha trevat e atdheut. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e përkrahur nga SHBA-të, është kulmim i  përpjekjeve të parreshtura të popullit shqiptar dhe  për liri, e rezultat i  luftës saj të pastër e të drejtë, është liria që ne e gëzojmë sot. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte faktori përcaktues për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si mjeti dhe shpresa e vetme për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga thundra serbo-sllave.  Prandaj sakrificat e saj sublime dhe gjaku i derdhur nuk duhej të shkonin kot dhe këtë me siguri organizatorët, drejtuesit dhe udhëheqësit e kishin parashikuar. Formimi i UÇK-së, organizimi i njësiteve guerile të saj dhe kryerja e aksioneve të armatosura kundër pushtuesit serb, i frymëzoi shumë të rijn e të reja, të cilët u mobilizuan dhe morën përsipër zgjerimin e radhëve dhe formimin e njësiteve të reja guerile të UÇK-së në tërë vendin. UÇK-ja mori mbi vete misionin e ndryshimit përfundimtar të historisë së Kosovës dhe të historisë sonë kombëtare-shqiptare. Pas luftimeve të ashpra frontale në Prekaz 5, 6, 7 mars 1998, Glloxhan 24 mars 1998, Malishevë, Llapushnik, Bllacë, Grykë  të Cërralevës, Jezerc, etj, lufta u shtri edhe në Gabrricë të Kaçanikut më 10 gusht 1998.

Më 10 gusht 1998, në orët e hershme të mëngjesit rrethohet fshati Gabrricë, posaçërisht Lagja Kurtaj e në veçanti shtëpia e Miftar Kurtajt që kishte kohë që ishte shëndrruar në bazë të UÇK-së, ku e  gjithë familja ishin vënë në shërbim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë burrat ishin në radhët e UÇK-së, nga shtatë vëllezër, pesë ishin me armë në radhët e UÇK-së. Kështu shtëpia e Miftar Kurtajt në Gabrricë po përjetonte fatin e ngjashëm, si histori më vete, si gjatë luftërave të mëparshme, ku shumë kulla u bënë sinonim i lavdisë së popullit tonë, me trimat si: Oso Kuka, Zhujë Selmani, Tahir Meha, Adem Jashari, Vëllezrit Haradinaj etj, të cilëve populli përjetësisht u përkulet, në kullat ku jehuan krismat e para të lirisë së atdheut për t’u shpërndarë anekënd  trojeve shqiptare. Pra, ky ishte kushtrim i lirisë së trimave. Nga krismat jehoi edhe Gryka e Kaçanikut duke e përjetsuar porosinë – amanetin e kreshnikut të Karadakut, Idriz Seferit me shokë se lufta për çlirim po vazhdon dhe  se pushkët e tyre nuk janë ndryshkur e as  baruti nuk iu është lagur. Filloi lufta e hapur kundër armikut, sado që në një përpjesëtim të madh forcash në trupa e armatime. Jehona e pushkëve në Gabrricë ushtoi si në të gjitha malet e Kosovës. Këto krisma u dëgjuan në: Nerodime, Drenicë, Dukagjin, Shalë, Llap e Karadak. Këto pushkë i dhanë dritë luftës së shenjtë të UÇK-së.  Natyrisht, këtu duhet të veçojmë edhe kontributin e vajzave dhe grave të familjes Kurtaj, që nuk ishin të inkuadruara drejtpërsëdrejti në organizimin ushtarak, por që jetuan me të dhe për të duke përfshirë nga vajzat më të reja, gratë  e deri tek nëna Emine. Ato që dhuruan gjakun për të plagosurit, gatuan bukën, pastruan dhe ndihmuan luftën çlirimtare të Kosovës. Kur flasim për këto gra qe mbajtën me bukë UÇK-në, edhe pse fëmijët i patën vazhdimisht nën kërcënimin e granatimeve, dihet sa e shtrenjtë është jeta e tyre për një nënë, ku me këtë rast shpërfaqet  portreti i një gruaje të jashtëzakonshme – amazonë. Por për këto gra nuk është shkruar dhe folur mjaft. Duhet të theksohen edhe këto të dhëna faktike se pushka dhe buka janë elementet kryesore të një lufte. Me çrast zhvillohet një betejë skajshmërisht e pabarabartë por e përgjakshme. Në luftë ballë për ballë me armikun në Gabrricë, bien heroikisht: AGIM BAJRAMI (tani hero i Kombit), BESNIK BEGUNCA (tani hero i kombit) dhe XHELADIN KURTAJ (tani hero i kombit). Në ndimë iu ka ardhur edhe ushtari i lirisë  Razim Hasaj (tani dëshmor i kombit, i cili ka rënë dëshmor më 4 prill 1999), duke tentuar ta çajnë rrethimin në bashkëveprim me ushtarin  Afrim Kurtajn, por  që ishte e pamundur për ta  thyer  rrethimin e hekurt të forcave policore ushtarake  serbe. Në këtë operacion kanë marrë pjesë edhe disa shqipfolës, bashkëpunëtor të Serbisë….(fundrrina të kombit). Për shkak të luftimeve të ashpra të gjithë qytetrët e Gabrricës dhe fshatrave përrreth detyrimisht i braktisin shtëpitë e tyre dhe zhvendosen nëpër male dhe lugina për të vazhduar në fshatra të  tjera dhe nëpër familje mike. Në këtë kohë,  një njësi e Kaçanikut ishte  në pikën e luftës në Jezerc e udhëhequr nga Hajrush Kurtaj, një tjetër ishte në përgaditje ushtarake në Tropojë të Shqipërisë e udhëhequr nga Hyzret Kyqyku dhe disa njësi të tjera ishin nëpër vijat e furnizimit si në Glloboshicë, Shtrazë, Kovaçec, Bob dhe në Puset e Nikës të koordinuara nga Qamil Ilazi (tani hero i kombit) dhe Rufki Suma. Kjo datë e rëndësishme historike  shënon: Ditën e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Ditën e Dëshmorëve të Kaçanikut. Këtë datë historike e shënojmë me pietet dhe përkulemi para veprës heroike të Komandantit të parë të UÇK-së për Kaçanik – Gjeneralmajor Agim Bajrami (tani hero i kombit) dhe bashkëluftëtarëve të tij, komandantit të parë të togës vëzhgues Besnik Begunca (tani hero i kombit) e Xheladin Kurtaj komandantit të pare të togut të policisë ushtarake (tani hero i kombit), të cilët ranë për të mos vdekur asnjëherë,  pikërisht në këtë datë  të 10 gushtit të vitit 1998.

Rrethimi i fshatit Gabrricë,  më 10 gushtë 1998, me ngjyrë të kaltër janë forcat e UÇK-së kurse me ngjyrë të kuqe janë forcat  okupatore serbe

Lufta dhe heroizmi i Agimit, Xheladinit dhe Besnikut, qëndresa e tyre karshi forcave shumëfish më të mëdha në numër dhe teknikë luftarake, të cilat më 10 gusht të vitit 1998 kishin arritur t’i bien në gjurmë vendndodhjes së tyre dhe ta rrethojnë shtëpinë,  ku ato po qëndronin, përbën aktin e një lufte të madhe dhe të fortë që në popullatën e këtyre anëve njihet si luftë e vërtetë heroike dhe e pashembullt, qëndresë deri në predhën e fundit të të tre heronjve të kombit.

Prandaj,  këta tre bashkë, të lidhur me idealin e lirisë si mishi me kockën i kishin dhënë kuptimin e duhur luftës çlirimtare, shtrirjes dhe rritës së saj në Kaçanik dhe deri në kufi me Maqedoninë. Qëndresa dhe rënia e këtyre tre heronjve ishte gurthemel i gjakosur, ishte kala a  kullë, gurrë frymëzimi atdhetar, ishte kushtrim për UÇK-në, ishte shembull se si vdiset për liri, për komb dhe atdhe.

10 gushti i vitit  1998 në fshatin Gabrricë shënon këto ngjarje të rëndësishme historike:

  1. Dhënien e Kushtrimit për Liri, fillimin e Luftës Çlirimtare në Komunën e Kaçanikut dhe shtrirjen e luftës së UÇK-së deri në kufi me Republikën e Maqedonisë;
  2. Rënien heroike të komandantit të pare të UÇK-së për Kaçaniki – Gjeneralmajor Agim Bajramit me dy bashkëthemeluesit e UÇK-së në Kaçanik,  Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca.
  3. Po këtë ditë, përveç luftimeve në Gabrricë, në familjen Kurtaj, u arrestuan Danush Kurtaj me  bashkëshorten Bylgyzare Kurtaj dhe kunatën Havë Kurtaj,  bashkëshortia e Mustafës,  i cili në atë kohë gjendej në Gjermani  bashkë me vëllaun tjetër Arifin duke punuar për të mbajtur familjen 27 anëtarëshe për shkak të largimit të dhunshëm nga puna nga organet okupuese serbe si dhe kushëriri’ Fatmir Kurtaj.

Hajrush Kurtaj: 10 Gusht 1998, 25 - vjetori i qëndresës heroike në Gabrricë - kushtrimi i Lirisë

 Pas këtyre luftimeve forcat serbe morën një operacion policorushtarak edhe në shumë vende të  tjera të Kaçanikut, ku dhe arrestuan: Mr. Tefik Rakën  inspektor i Arsimit në Kaçanik, Prof. Mejdi Dalloshin kryetar i Këshillit Komunal i Arsimit në Kaçanik, Hasan Dalloshin arsimtar në shkollën fillore “Ali Asllani” në Doganaj, Avdylgafurr Lumën  ish i burgosur,  të gjithë veprimtarë dhe pjestarë të UÇK-së.  Pas marrjes në bisedë informative, dy grate;  Bylgyzare Kurtaj dhe Havë Kurtaj lirohen, kurse të tjerët i dërgojnë në paraburgim dhe pastaj ua ngrisin aktakuzën më  10 gushtë 1998 me nr.181/98 dhe në këtë aktakuzë përveç këtyre të lartpërmendur ia shtojnë edhe listen me  këta veprimtarë dhe ushtarë të UÇK-së: Hajrush Kurtaj zv.komandant i njësitit të Kaçanikut pë operacone luftarake në Jezerc, Qamil Ilazi zv.komandant i njësitit të Kaçanikut për koordinim të vijave furnizuese, Berat Luzha në sektorin e informimit Kosova Press pranë SHPUÇK-së, Naser Kuka ish i burgosur politik, i cili gjendej në perëndim,  Reshat Salihaj i ardhur nga perëndimi në UÇK, Bexhet Imishti ish i burgosur politik, Remzi Elezi ish i burgosur politik i cili  gjendej në perëndim dhe Naim Beka njëri ndër  themeluesit e Nënzonës Operative të Nerodimes,  të cilët që të gjithë ishin në arrati si dhe Xhevat Haziri nga komuna e Vitisë,  i cili ishte burgosur më herët, me synim për t’i dënuar në proçsin gjyqësor, më 25 dhjetor 1998, në Gjykatën e Qarkut Serbe  në Prishtinë.  Me këtë rast u dënuan me burg Berat Luzha 10 vjet, Hajrush Kurtaj me 9 vjet, Naser Kuka, Reshat Salihaj, Bexhet Imishti, Remzi Elezi dhe Naim Bekaj me nga 8 vjet burg, Qamil Ilazi dhe Xhevat Haziri me nga 7 vjet burg, Avdylgafurr Luma me 6 vjet, Danush Kurtaj, Hasan Dalloshi dhe Fatmir Kurtaj me nga 5 vjet, dhe Mejdi Dalloshi dhe Tefik Raka  me nga 3 vjet burg (gjithsej një shekull burg). Gjatë vuajtjes së  burgut  në burgun e Dubravës i pushkatojnë në masakrën famëzezë të burgut të Dubravës,  më 19 – 22 maj 1999: Mejdi Dalloshin, Tefik Rakën, Danush Kurtajn, Avdygafurr Lumën dhe Suad Bravën i kindapuar nga forcat serbe.  Në këtë masakër marrin pjesë;  polic, ushtarë, gardianë dhe komplet administrata serbe e burgut me urdhër të shtetit okupues serb edhe pse me konventa ndërkombëtare të burgosurit kanë qenë të mbrojtur, por shteti okupues serbë nuk ka respektuar asnjë konventë apo ligj ndërkombëtarë për luftën. Rënia e Agimit, Besnikut dhe Xheladinit, ishte një humbje e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e në veçanti për Nënzonën Operative të Nerodimes, por u bë frymëzim për të vazhduar edhe më të vendosur në luftën për lirinë e vendit. Edhe nga forcat serbe kishte humbje, edhe pse ato i kanë fsheur humbjet e tyre, megjithatë  prapë shtypi i Serbisë ka shkruar në janar 2023 për luftimet e 10 gushtit 1998 në Gabrricë, ku ndë të tjerat thuhet  kështu:“Në shtator (nuk ka ndodhur në shtator por me 10 gusht)  të vitit 1998, policia serbe nisi aksionin për arrestimin e vëllezërve famëkeq Kurtaj. Mirëpo, ata nuk kanë ndenjur duarkryq, kanë qëlluar me automatikë policët tanë dhe kanë gjuajtur me granata dore mbi ta. Me atë rast u plagos rëndë polici Milan Gjorgjeviq dhe si kundërpërgjigje ndaj sulmit u vranë Agim Bajrami, Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca”. ( Marrë dhe cituar nga shtypi –  Novosti i Serbisë i shkruar më 20  janar 2023)”

Edhe pse në këto luftime forcat serbe kanë pasur më shumë humbje ato i kanë fshehur,  me gjithatë e kanë pranuar se ka pasur rezistencë dhe me emër e mbiemër e kanë pranuar të plagosurin rëndë të  tyre,  policin Milan Gjorgjeviq,  por të vrarët nuk i kanë publikuar se me siguri i kanë pasur mercenarë  të angazhuar dhe i kanë llogaritur si material harxhues.

Duke shënuar 10 gushtin –  Ditën e Dëshmorëve të Brigadës 162 “ Agim Bajrami “ kujtojmë rrugën e lavdishme dhe të përgjakshme, por edhe operacionet luftarake të formacioneve luftarake të Brigadës 162 ”Agim Bajrami”: Në Jezerc, Gabrricë, Reçak, Mollopolc, Rancë, Petrovë , Puset e Nikës, Gajre, Ivajë, Kotlinë, Rakoc dhe Lagje të re të Kaçanikut, Nikaj, Dushkajë, Runjevë, Stagovë, Llanishtë, Gjurgjedell, Bob, Kovaçec, Biçec  dhe shumë vende të  tjera që janë shënuar me gjakun e Heronjve dhe Dëshmorëve,  që po i kujtojmë sot.

 Kaçaniku ka dhënë 95 Dëshmorë,  në mesin e tyre dy komandantë të brigadës, dy komandantë  të kompanisë, nëntë komandantë  të togave, pesëmbëdhjetë  komandantë të skuadrës,  si dhe tri  vajza dhe një grua nënë e katër fëmijëve. Kjo tregon se komandantët kanë treguar shembullin heroik në vijat e para të frontit, por edhe angazhimin e grave dhe vajzave në vijat e frontit krahpërkrah me djem dhe burra.

Krijimi i UÇK-së dhe veprimtaria e saj, lufta e drejtë dhe respektimi i Konventave Ndërkombëtare të Luftës, bëri shumë shpejt që ajo të jetë e pranishme, temë diskutimi dhe njëherit shtytje e diplomacisë ndërkombëtare për të vendosur në rend të ditës çështjen e Kosovës. Organizimi dhe strukturimi i UÇK-së ishte mbi bazë të idesë për liri, mbi bazë të shumë organizimeve të forcave, të cilat lirinë e shihnin të fituar vetëm me formën e luftës së armatosur, si dhe me strategji të bazuar në aspektin kombëtar, historik, moral, humanitar e politik, por para së gjithash në aspektin demokratik. UÇK-ja nga fillimi e deri në përfundimin e luftës çlirimtare, përkundër vështirësive financiare, organizative të luftës tregoi nivel të lartë organizativ, politik e ushtarak. UÇK-ja u bë bartëse e proceseve politike ushtarake në bisedimet ndërkombëtare për Kosovën. Ajo me NATO-n,  në krye me SHBA-të, aleaten e saj në luftë kundër Serbisë, arriti çlirimin e Kosovës dhe krijimin e kushteve të favorshme për të ardhmen e saj, ku dhe me 17 Shkurt 2008, institucionet e shpallin Kosovën shtet të pavarur.

Nënat Elife Bajrami – nënë e Heroit të Kombit Agim Bajrami, Emine Kurtaj – nënë e Heronjve  të Kombit Xheladin Kurtaj e Danush Kurtaj dhe Hysnie Begunca – nënë e Heroit të Kombit Besnik Beguncës me moral të lartë e zemër të madhe,  i  lindën dhe  rritën këta djem që i dolën zot atdheut, po që u bënë  nëna të  të gjithë luftëtarëve të Brigadës 162”Agim Bajrami”. Ato kudo ishin  shembull urtësie, mirëkuptimi, e vendosmërie. Ato rrezatonin  dashuri, dashuri të pakufij për bijtë e kësaj toke, për të gjithë ata që e përjetuan ligësinë e armikut, për të gjithë ata që dhanë më të dashurit, për të fituar më të dëshirueshmen. Këto  nëna i dhanë  Stagovës, Gabrricës, Kaçanikut e mbarë kombit bijtë  që nuk do të harrohen  kurrë. Rënia e tyre  në altarin e atdheut nuk i dobësoi, nderi që iu bëhej bijëve tyre, nuk bëri të ndihen mbi të tjerat, dhembja e krenaria i bëri  edhe më njerëzore, edhe më nëna. Ashtu siç  thanë edhe fjalët: “Bijtë  e tonë e deshën  mbi të gjitha Kosovën”. Edhe Kosova i deshti mbi të gjitha ata, kur i mori duke rënë  fli në rrugën e drejtë lirisë së saj. Ashtu si mori edhe shumë e shumë të tjerë për të thënë se nuk ka kthim prapa, se liria u fitua me gjak dhe mbi gjakun e dëshmorëve vuri themelet e paluhatshme. Nënëlokeve të këtyre luanëve të lirisë dhe gjithë nënëlokeve për bijtë dhe bijat që ia dhanë kësaj toke kreshnike, bukën dhe besimin, faleminderit për jetë!

Një prej idealeve të dëshmorëve të kombit përveç lirisë dhe shtetit të Kosoves ishte edhe Ushtria e Kosovës.

Lirinë, shtetin dhe ushtrinë tonë sot e kemi një realitet të njohur ndërkombëtarisht që çdo ditë e më shumë po zhvillohet, po bëhet faktor jo vetëm në rajon.

Uniforma që sot bartin vajzat, gratë dhe  djemtë e Ushtrisë së Kosovës ka kaluar një rrugë të gjatë e të mundimshme për të ardhur deri këtu ku jemi tani.

Sot, FSK me  misionin ushtarak,  që ishte  ideal i  dëshmorëve të kombit, i  gjithë luftëtarëve të lirisë dhe i kombit tonë, po i  shërben me profesionalizëm dhe krenari të lartë kombëtare,  Republikës së Kosovës,  por jemi krenarë se Ushtria jonë po merrë pjesë edhe në misione ndërkombëtare  krah për krah me Ushtrinë Amerikane.

Lavdi Dëshmorëve dhe Martirëve të Kombit!

Lavdi gjithë Heronjve dhe Dëshmorëve të gjitha epokave të shqiptarisë! Nderim luftëtarëve të lirisë!  Krenarë për jetë me Ushtrinë e Kosovës- Krenarinë tone  Kombëtare!

Hajrush Kurtaj, luftëtar i Lirisë, Zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe aktualisht Drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës

10 gusht 2023

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Enver Hoxha (1908-1985) nderohet e respektohet në Kosovë, asnjë fjalë e keqe për Josip Broz Titon në Shqipëri, prej vitit 1991

Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë …