Halil Nezir Meta (20.9.1967 - 22.5.1999)

Halil Nezir Meta (20.9.1967 – 22.5.1999)

Krojmiri, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë dëshmorët: Halil Metaj, Enver Olluri, Qamil Olluri dhe Isa Olluri, martirët: Afërditë Qeriqi dhe Musë Bungu. Gjatë kohës së luftës së UÇK-së, Krojmiri ishte ndër qendrat më të forta të mobilizimit dhe strehimit të popullatës së zhvendosur. Në grykën e këtij fshati kanë mbijetuar rreth 30 mijë banorë nga fshatra dhe lokalitete të Drenicës dhe të mbarë Kosovës. Organizimi i UÇK-së në këtë fshat ka filluar në kohën e aktiviteteve luftarake të legjendarit Adem Jashari kundër forcave policore dhe ushtarake serbe.

Familja Metaj, e Krojmirit, është shquar për rezistencë të armatosur, sidomos në kohën e depërtimit serb në Drenicë dhe në Kosovë qysh nga viti 1912. Të parët: stërgjyshi, Halili, me të birin, Rexhepin, janë pushkatuar nga regjimi serb në vjeshtë të vitit 1920, pas rezistencës së Xhelë Demë Metajt, në kullën e tyre. Asokohe serbët kanë vrarë edhe Hajdin Hajdarin e Krojmirit dhe Hysen Mulakun e Komaranit.
Halili u lind në Krojmir, më 10 shtator të vitit 1967.
Babë Neziri dhe nëna Mihrije rriten tre bij: Jahirin, Halilin e Izetin dhe pesë bija: Kadën, Nailen, Eminen, Miniren, Qamën dhe Qamilen.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren në fshatin Shalë, ish- Sedllar. Për shkak të kushteve të rënda ekzistenciale, ndërpreu shkollimin dhe mori rrugën e kurbetit, me qëllim për ta ndihmuar dhe për ta ngritur familjen, meqë babai Neziri punonte në kushte tejet të rënda në minierën e magnezitit, në Magurë. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, Halili së bashku me vëllanë, Jahirin punojnë në Zagreb. Ndërkohë Jahiri shkon në Gjermani ku edhe punon disa vite, ndërsa Halil kthehet në Krojmir.
Prej vitit 1992 deri në vitin 1996, Halili dhe familja e tij kanë qenë në shënjestër të policit kriminel serb, Gjuro Gjuroviq, i cili kishte torturuar sa e sa të rinj dhe burra të fshatit, në mesin e tyre edhe xhaxhanë e Halilit, Ramadanin.
“Një ditë diku në vjeshtë të vitit 1996, fare pa pritur, erdhi sërish Gjura me disa milicë, thotë babai, Neziri dhe shton. Fillimisht, më provokuan me të shara, me qëllim të kundër-reagimit, por unë duke marrë me mend pasojat po mundohesha të mos jepesha. Ndërkohë, duke parë qëndrimin e patundur të Halitit ata e provokuan dhe filluan ta rrahin mu para syve të mi.
Halili, ishte pezmatuar tejmase. Iu kishte lëndyar sedra dhe krenaria. Sapo u larguan, duke kuptuar shqetësimin e dhembjen time, më tha: “Dëgjo babë, për së gjalli, më, nuk ka me më prekë dorë e shkaut”.
Halil Metaj veprimtarinë e tij të organizuar atdhetare e kishte filluar qysh heret. Së bashku me Elez Durmishin, Shaban Mustafën, Sylë Qeriqin, Jetë Hasanin, Ramiz Qeriqin, e të tjerë, formojnë një organizatë ilegale, e cila pati shtrirje jo vetëm në Krojmir, por edhe në shumë fshatra përreth, madje deri edhe në komunën e Skënderajt e të Therandës, ish-Suharekë.
Pjesëtarët e kësaj partie më vonë inkuadrohen në Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin Kombëtar”, ku shquhej “Komiteti Kombëtar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare – në Drenicë”, që vepronte në kuadër të LRBK-së.
Këto grupime të fshehta kishin shtrirë veprimtarinë në Krojmir, Skëndraj, Llaushë, Rezallë, Polac, Carralevë, Pjetërshticë, Graiçec, Malësi e Re, Shtime, Godanc, Shalë e fshatra të tjera.
Aktiviteti i këtyre veprimtarëve, luftëtarë të ardhshëm të lirisë, fokusohej në vëzhgimin dhe përcjelljen nga afër të situatës, përcjelljen dhe shënimin në fletore të të gjitha lëvizjeve të policisë në këto dhe fshatra të tjera të kësaj ane, evidentimin e kohës së qëndrimit të policëve serbë nëpër fshatra, vendet ku ata rrinin, familjarët e shtëpive, ku qëndronin kohë pas kohe, dhe shtëpitë ku familjarët nuk iu ofronin pritje dhe keqtrajtoheshin e burgoseshin nga policia.
Krojmiri, ishte qendra e këtyre aktiviteteve, me vetë faktin se aty ishte krijuar edhe bërthama e parë aktive, vepruese, e cila tashmë e kishte afishuar qëllimin e veprimtarisë edhe përmes aksioneve konkrete, kundër pushtuesit. Kjo bërthamë e veçantë për nga shtrirja dhe aktiviteti, ka qenë më e suksesshmja në Drenicën jugore, sidomos me faktin se janë evidentuar qindra raste të demaskimit të aktivitetit në terren të policisë serbe dhe të disa denoncuesve.
Me rastin e zgjerimit të pikave luftarake të UÇK-së në Krojmir, Halil Metaj tashmë ishte ndër të parët që sistemohet në pikën luftarake të Krojmirit. Asokohe, në mars të vitit 1998, nga Shqipëria, kishin arritur në Krojmir edhe Ramiz Rexhep Idrizi dhe Halil Jakup Olluri të cilët së bashku me Elez Durmishin, Sylë Qeriqin, Shaban Mustafën e luftëtarë të tjerë themelojnë pikën vepruese luftarake të UÇK-së.
Në kushte dhe rrethana të zhvillimit rapid të luftës sonë çlirimtare, sidomos pas rënies së legjendarit, Adem Jashari, e të Jasharëve të tjerë të Prekazit, më 5. 6 dhe 7 mars të vitit 1998, pika e Krojmirit ishte konsoliduar me kohë dhe kishte filluar shtrirjen e ndikimit për të formuar edhe pika të tjera në Pjetështicë, Carralevë, Zborc, Shalë e në fshatra të tjera. Halil Metaj, së bashku me Shaban Mustafën e luftëtarë të tjerë, veprojnë në territorin e Blinajës, në pjesën e fshatit Krojmir, e cila ndodhet në anën lindore.
Si veprimtar i hershëm i Lëvizjes, Halili tashmë ishte dëshmuar për konsekuencë, syçeltësi dhe përgjegjësi në veprimet rreth organizimit e shtrirjes së ndikimit të UÇK-së.
Krojmiri, qe bërë pika qendrore frekuentuese në Drenicën jugore.
Atje, tashmë ishin konsoliduar radhët, si në fuqizimin e pikave ashtu edhe në krijimin e shtabeve civile ushtarake.
Halili, së bashku me Shaban Mustafën, Sylë Qeriqin, Elez Durmishin, Ramiz Qeriqin, Halil Ollurin, Naim Rizanin, Dalip Rizanin, Mehdi Qeriqin e të tjerë kanë ndihmuar në krijimin dhe konsolidimi e pikave luftarake edhe në Carralevë, Zborc dhe në Blinajë, ku tashmë vepronin forcat e UÇK-së.
Halili ishte sistemuar në pikën e Blinajës, ndërsa ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në fshatin Vërshec, kundër forcave serbe, më 18 korrik të vitit 1998. Ai, me togun e tij, kontrollonte pikat prej Krojmirit deri në Risinoc dhe Shalë, të cilat asnjëherë nuk u thyen, dhe në të cilat, gjatë tërë kohës së luftës nuk shkeli asnjë këmbë e ushtarëve dhe policëve serbë.
Krojmiri tashmë ishte bërë beden i pakalueshëm për forcat serbe. Ishte fshati i vetëm i kësa ane, në të cilin nuk depërtuan dot forcat armike, në korrik e gusht të atij viti.
Popullata e fshatit dhe e shumë fshatrave të tjera ishte strehuar në pjesën perëndimore, në “Grykën e Shpëtimit” ku edhe e ka mbijetuar luftën.
Në maj të vitit 1999, forcat serbe të pozicionuara në Blinajë, po hartonin planin për ta mposhtur rezistencën në Krojmir.
Asokohe, luftëtarët e lirisë të kësaj ane, ku bënte pjesë edhe Halil Nezir Metaj, komandant toge, i Batalionit të Parë “Imer Alushani” i Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova, ishin përqendruar në mbrojtje të pikave për të mos lejuar bandat e uniformuara serbe të depërtonin në Grykën e Shpëtimit në Krojmir, ku tashmë kishin gjetur strehë rreth 30.000 të zhvendosur nga Drenica, nga fshatrat e rrethit të Malishevës dhe nga shumë vende të Kosovës.
Komandant, Tahir Sinani, kishte dhënë urdhër të prerë për të gjithë luftëtarët e lirisë të kësaj ane. “Vetëm mbi trupat e luftëtarëve të UÇK-së mund të kalonin forcat armike, ndryshe nuk mund të ndodhte”! Me besë-betimin e tillë, dhe me qëllim për të mos lejuar të përsëritej “Srebernica” e Bosnjës, në Grykën e Krojmirit, luftëtarët e kësaj ane u bënë digë e pakalueshme për forcat masakruese serbe.
Në kohën kur forcat serbe kishin bërë përpjekje për të depërtuar te “Gurina” në Blinajë, afër fshatit Risinoc, atje ndodhej i pozicionuar Halil Metaj me togën e tij si dhe me luftëtarë të tjerë të kësaj ane. Me qëllim për ta pamundësuar depërtimin e forcave serbe drejt Grykës së Krojmirit, në luftime të ashpra përballë forcave serbe, më 22 maj të vitit 1999, bie në altarin e lirisë, Halil Metaj, njëri ndër luftëtarët më të përkushtuar të lirisë.
“Një natë më parë, bija ime, Eminja, më tregoi se kishte ardhur Halili, me qëllim që të merrte ushqime për vete dhe për shokët, rrëfen babai, Neziri duke sjellë në kujtesë momentet, kur për herë të fundit ishte ndarë me të birin… Ndezëm nga një cigare. Duke më parë të brengosur dhe të shqetësuar më tha: “Edhe dy tri ditë nëse qëndrojmë do të shpëtojmë përgjithmonë”. Ndërkohë u dëgjuan krisma armësh te “Gurina” në Blinajë. U ngrit me të shpejtë, hodhi pushkën mbi supe, mori shportën me ushqime, që ia kishte përgatitur motra dhe u nis…
Të nesërmen, bashkëfshatari im, Daut Fazliu, erdhi në tendën ku ndodhesha së bashku me familjen në Grykën e fshatit dhe më tregoi se Halili kishte rënë dëshmor. Pastaj mësova se bashkëluftëtarët nuk kishin arritur ta tërhiqnin. Ndërkohë, disa ushtarë të njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm, në krye me luftëtarin, Ilir Qeriqi, kanë depërtuar te vendi i rënies dhe pas disa përpjekjesh të armatosura kundër forcave serbe, arrijnë ta tërheqin trupin e dëshmorit, Halil Metaj, i cili me nderime ushtarake, nga bashkëluftëtarët dhe bashkëvendësit varroset në varrezat e lagjes Metaj, në Krojmir.
Halili ka lënë bashkëshorten, Zyhrijen, birin, Arbnorin dhe bijën, Dionesën.
Familja e dëshmorit ka marrë “Mirënjohje” nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga shoqatat e dala nga lufta dhe nga instanca të tjera organizative. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Gursel Hetem Sylejmani (1.11.1961 - 28.9.1998)

Gursel Hetem Sylejmani (1.11.1961 – 28.9.1998)

Duke parë sjelljet, qëndrimin dhe fjalët e Gurselit, shpeshherë mendoja dhe i thosha vetes: ky …