Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë gjatë se shtunës se dialogu me Serbinë është i pa alternativë dhe se duhet të ristrukturohet dhe afatizohet, duke përmbushur të gjitha marrëveshjet e arritura dhe të përmbyllet me rezultat konkret. Ai gjatë një takimi me ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Gernot Pfandler tha se Kosova është e përkushtuar në ruajtjen dhe kultivimin e fqinjësisë së mirë dhe ruajtjes së paqes e stabiliteti në rajon. Haradinaj tha se është i rëndësishëm konsolidimi ndërkombëtar i Kosovës dhe përkrahja në procesin e shtimit të njohjeve të reja, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, në OKB, NATO dhe BE. Duke folur për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kreu i qeverisë tha se marrëdhënies kontraktuale me BE-në do të intensifikohet dhe do të përshpejtohen afatet e përmbushjes së obligimeve me qëllim të arritjes së statusit të kandidatit për anëtarësim. Ndërsa, ambasadori Pfandler, duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për detyrën, theksoi se Austria do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në të gjitha fushat.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
