Kryetari Thaçi i propozon Kuvendit dekretin për shpallen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë

Hashim Thaçi: “Gjithmonë krimineli kthehet në vendin e krimit”, kështu bën edhe Sali Berisha

Në një intervistë me kryeredaktorin e gazetës, “Dita”,  Adrian Thano, kryetari i Kosovës Hashim Thaçi, flet mbi përplasjet e ditëve të fundit mes udhëheqësve politikë në Tiranë dhe Prishtinë, për debatin mbi taksën dhe atë mbi kufijtë.

Ai u përgjigjet deklaratave të fundit të Sali Berishës, sipas të cilit Thaçi duhet të shkojë në Hagë, një qëndrim që më herët e ka mbajtur vetëm presidenca serbe. “Gjithmonë krimineli kthehet në vendin e krimit. Ai është bërë krye-protagonist i përçarjeve brenda-shqiptare tash e tri dekada. Duket se ky ka qenë misioni i tij. Por tash është në gërhimat e fundit të tij. Kjo është trashëgimia e tij” – thotë Thaçi.

Z.President, ditët e fundit Sali Berisha ka bërë disa akuza të rënda ndaj jush. Dikur nuk ka qenë kështu. Çfarë ka ndodhur mes jush?

Gjithmonë krimineli kthehet në vendin e krimit. Sali Ramë Berisha ka kryer krim të rëndë kundër UÇK-së kur është angazhuar në një fushatë armiqësore shpifjesh kundër saj, paralelisht me fushatën ushtarake të Slobodan Milosheviçit.

E kam falur këtë duke e shikuar si një gabim strategjik të një politikani dhe i kam shtrirë dorën e bashkëpunimit. Në maj të vitit 1999, kur ka qenë i izoluar nga shqiptarët dhe nga bota, unë e kam takuar sepse nuk kam dashur ta shpalli e ta trajtoj si armik apo si tradhtar.

Kam vlerësuar gjithmonë se armiqësitë në mes vetë shqiptarëve janë më të rënda se vetë plumbat e Serbisë. Jam munduar ta respektoj atë në komunikimin tonë prej më shumë se dy dekadash.

Realisht, ai është sjellë mirë gjatë bashkëpunimit që kishim si kryeministra. Por fatkeqësisht, sot ai është kthyer në vendin e krimit dhe ka shkuar edhe më larg.

Ndiej keqardhje për të sepse sot është shndërruar në një gërmadhë politike e shoqërore shqiptare. Fatkeqësisht, për të paska pasur shumë të drejtë Ibrahim Rugova që për vite të tëra nuk pranoi t’ia jepte dorën, dhe kështu qëndroi deri sa u nda nga jeta.

Megjithatë, unë nuk i quaj kurrë armiq apo tradhtarë njerëzit qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri,e që kanë mendime ndryshe nga unë. Përkundrazi. I dëgjoj dhe i respektoj të gjitha opinionet dhe i peshoj argumentet e secilës ide, pa marrë parasysh prej kujt vijnë.

Vetvetiu shtrohet pyetja – pse Sali Ramë Berisha nuk guxon të përmendë Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosjen, Nexhat Dacin, apo zyrtarë tjerë të lartë të LDK-së, që kanë folur për shkëmbim territoresh? Unë personalisht kam qenë dhe jam kundër një ideje të tillë.

E kush është ky patriot që na flet sot? Kur Berisha i bënte argat Sllobodan Milosheviçit, në vitet ‘92-‘95, unë me bashkëluftëtarët e mi e luftonim makinerinë vrastare të Milosheviçit, të njëjtën që ai e furnizonte me karburante, duke shkelur edhe sanksionet ndërkombëtare që i kishte vënë Perëndimi. Ky kontrabandist strehoi edhe kryekriminelin Arkan, duke i plotësuar të gjitha qejfet atij.

Vërtet ndiej keqardhje për të.

Ai është bërë krye-protagonist i përçarjeve brenda-shqiptare tash e tri dekada. Duket se ky ka qenë misioni i tij. Por tash është në gërhimat e fundit të tij. Kjo është trashëgimia e tij. Kosova nuk ja bëri trazirat e vitit 1997 në Shqipëri. As nuk i grabiti shqiptarët përmes fajdeve. Kosovës nuk mund t’i vihet faji as për 21 janarin apo për Gërdecin, apo mëkatet dhe aktet tjera kriminale. E sidomos Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e fushatës  politike elektorale në Shqipëri.

Kontrolloni gjithashtu

Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Sajid Iravani, ka thënë se Izraeli e di mirë, cila do te jetë hakmarrja e dytë, e njëmendtë

Ambasadori iranian, në OKB,  Amir Sajid Iravani, gjatë takimit urgjent në Këshillin e Sigurimit, të …