Tema të tjera...
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka vazhduar kritikat ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti për gazin amerikan.
Ai ka bërë me dije se për këtë çështje duhet të organizohen edhe protesta.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shtuar disa pyetje.
“1. Pse Kurti e refuzon projektin e gazit amerikan, në situatën kur të gjitha vendet e rajonit po përfshihen në këtë projekt strategjik për të dalë nga sfera e ndikimit rus? 2. Pse Kurti nuk ka bërë absolutisht asgjë në gjashtë vite të qeverisjes së tij sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike? 3. Kujt i intereson që Kosova të vijojë të jetë e varur nga importi i energjisë? Këto besoj se janë pyetjet thelbësore për secilin politikan dhe secilin qytetar”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Është për keqardhje të shohësh sa me lehtësi e tejkalojnë këtë temë disa opozitarë, të cilët mjaftohen me përdorimin e saj vetëm në kohë zgjedhjesh. Nëse ekziston kauzë për të cilën duhet dalë në rrugë në protesta demokratike deri në largimin e kësaj qeverie është ky projekt i gazit. Nuk bëhet fjalë për një projekt të zakonshëm ekonomik, por për orientimin gjeopolitik të Kosovës, për sigurinë energjetike dhe për aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Heshtja përballë një dëmi të tillë nuk është neutralitet – është bashkëfajësi. Kauzë për të protestuar deri në largimin e qeverisë ka qenë gjithashtu edhe suspendimi i Kosovës nga stërvitja ushtarake “Defender Europe ‘23” në vitin 2023, si dhe pezullimi i dialogut strategjik Kosovë-SHBA në shtator 2025”, ka shkruar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
