Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e linjave ajrore që shërbejnë mërgatën, duke e cilësuar atë si “keqpërdorim klasik të buxhetit në kohë zgjedhjesh”. Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se kjo mënyrë e shpërndarjes së parasë publike është e papranueshme dhe përbën rastin më të madh të keqpërdorimit të buxhetit shtetëror në historinë e Kosovës para zgjedhjeve. “E turpshme. E papranueshme. Keqpërdorim klasik i buxhetit në kohë zgjedhjesh. Para një jave ndau rreth 100 milionë euro. Sot edhe 2 milionë të tjera për bileta. 100-she, 500-she, subvencione e bileta – krejt këto jo pse Kurti brengoset për ju, po sepse ju votoni me 7 qershor”, ka shkruar Bajrami. Ajo tha se këto mjete janë para të qytetarëve që, sipas saj, do të duhej të investoheshin në projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe sociale. “Mos harroni: këto janë paratë e rrugëve që nuk u kryen, shkollave e çerdheve që nuk u ndërtuan, digjitalizimit të arsimit që nuk nisi asnjëherë, barnave që mungojnë në spitale dhe naftës që e keni paguar më shtrenjtë”, deklaroi ajo. “Kurrë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhë keqpërdorim kaq i madh i buxhetit në prag të zgjedhjeve. Turp”, përfundoi ajo në reagimin e saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
