Përparim Gruda ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e linjave ajrore për destinacionet që shërbejnë mërgatën, duke e cilësuar këtë si keqpërdorim të parasë publike në funksion të fushatës zgjedhore. Sipas Grudës, vendimi i miratuar nga qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti përbën “blerje të votave” me buxhetin e shtetit dhe cenon rëndë standardet demokratike të zgjedhjeve. “Në foto shihet vendimi i Qeverisë së Kosovës, i datës 26 maj 2026, për ndarjen e mjeteve në kuadër të masës ‘Mbështetja e Mërgatës’, për subvencionimin e linjave ajrore. Ky është keqpërdorim i pastër i parasë publike për interesa partiake”, ka deklaruar Gruda. Ai ka theksuar se kur pushteti përdor paranë publike për përfitime elektorale, atëherë procesi zgjedhor humbet legjitimitetin dhe nuk mund të konsiderohet më i lirë e i ndershëm. Gruda i bëri thirrje të drejtpërdrejtë Prokurorisë së Shtetit që të nisë hetime urgjente për këtë vendim dhe për zyrtarët përgjegjës. “Prokuroria e Shtetit duhet të nisë menjëherë hetime për këtë skandal dhe për përgjegjësit e këtij vendimi. Heshtja në këtë rast do të ishte bashkëfajësi”, ka shkruar ai. Reagimi i tij vjen në një periudhë kur Qeveria në detyrë po përballet me kritika të shumta nga opozita dhe shoqëria civile për ndarjen e mjeteve financiare në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, përfshirë edhe pagesat prej 100 eurosh për kategori të ndryshme të qytetarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
