Ilir Muharremi: Vendoseni shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë, o qyqarë!

Ilir Muharremi: Vendoseni shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë, o qyqarë!

Shtatorja e Adem Jasharit ndodhet në Tiranë. Stambolli po ashtu ka lartësuar emrin e heroit Adem Jashari. Shtatorja e Adem Jasharit ndodhet edhe në Radushë të Shkupit, por është e punuar dobët. Madje, po thujase në shumë qendra të Kosovës shtatorja e Adem Jasharit është e vendosur. Ende nuk ka përgjigje dhe është shumë absurde e pakuptimtë pse shtatroja e heroit tonë nuk jetësohet edhe në Prishtinë? Kjo shtatore i bën nder Prishtinës. Kjo shtatore i jep kuptim dhe forcë kryeqytetit. Jep ndjenjën e plotshmërisë, forcës së grumbulluar, ndjenjën e fuqisë dhe miratimin tonë estetik.

Vërtet qyteti do të shkëlqente sepse Ademi ruan në vete shpirtëra heroikë të cilët u vërtiten në mizoritë tragjike dhe mbeten të fortë, të përjetshëm. Ata janë gjithkund dhe përherë do të jenë. Tragjedia e tij stoike dhe e pa trembur si duket nuk i shkon shijes së të gjithëve  veçanërisht pushtetit i cili po dridhet nga pamja madhështore e Ademit tonë. Nga kush kanë frikë ta vendosin shtatoren në kryeqytet? Ndoshta janë aq të dobët dhe kjo ende nuk është e imagjinuar për ta. Ata nuk mund ta kuptojnë këtë ndjenjë të fuqisë sepse karakteri i tyre është i tmerrshëm dhe enigmatik.  Kërkoj të di arsyen dhe një zgjidhje pse shtatorja ende nuk është vendosur në Prishtinë? Dua  një shpresë zgjidhje ose zgjidhje finale dhe vet populli i përgjumur duhet ta kërkoj një gjë të tillë. Ende disi populli më duket i përvuajtur, dëshpëruar me pak besim te vetja pa vizione magjepsëse.

Vetë artisti i cili ndonjëherë do ta krijoj shtatoren e Ademit ndoshta duhet të jetë pak edhe tragjik sepse instikti i tij estetik duhet të shikoj nga lart rrjedhojat më të largëta. Duhet ta njohë karakterin e fuqishëm të ekzistencës, ta përjetoj, ta ndjejë, ta jetoj nga kjo kohë në kohë të shkuar, ta njohë heroin. Ta krijoj duke njohur çlirimin e veprimit të heroit. Të udhëtoj drejt rrugës shpirtërore sepse aty vuajtja dëshirohet dhe sytë e heroit të plasojnë tmerret, ulërimat, vuajtjet e fëmijëve, nënave dhe burrave. Të shohë imazhet e tyre përmes syve te tij. Të hyjnëzohet figura e tij sepse vuajtja atëherë merr formën e një ekstaze të madhe e ky delirium dhe katarsis erdhi tek të gjithë ne, sepse  në luftë të gjithë dham por Ademi i dha të gjitha.  Ndjenja e fuqisë, ajo përshkohet në gjithë mendjen dhe trupin e Ademit dhe kjo shtatore nëse jetësohet duhet të duket e natyrshme për përmasat shpirtërore.

Duhet të jetë një shtatore si e Dionisit ta ruan atë realizmin klasik, antik me fuqi bashkëkohore, t’i ketë gjitha nuancat, shkëlqimin e ngyrave, qartësinë e vijës, shkallën e tingujve, t’i ketë edhe gjërate e veçanta dhe të na rizgjojë ndjenjën e djeshmes dhe të sotmës. Ta ketë gjestin dhe persosmërinë e formës, plotësisë dhe aspak shtatorja mos të jetë në shërbim të pesimizmit, por madhështisë, sakrificës dhe krenarisë. Në kokë ta ketë të vendosur plisin sepse pas shumë vjetësh mund edhe të na marrin figurën tonë, ta përvetësojnë ngaqë uniforma, mjekra dikur do të globalizohen, por plisi tregon rrënjët tona origjinale. Atëherë vendosjani Ademit edhe plisin në skulpturë.

Skulptori duhet të ketë vështrim psikologjik ta nxjerrë në dritë origjinalitetin e heroit, atë e ka prapa syve të tij. T’i nxjerrë në dritë forcat themelore idealizuese. Skuptori duhet ta di se është shumë i kufizuar, por nuk duhet të jetë arkeolog ose imitues siç bëjnë shumë skulptorë, imitojnë figura nga e shkuara, por duhet të jetë arkeolog i shpirtit të Ademit, për këtë shqetësohenm se vështirë e kemi të gjejmë. Me keqardhje e them se mjeshtirt e vjetër, të lashtë  nuk ekzistojnë më , fjala për fuqinë e tyre të cilët nuk lexonin dhe as mendonin, por veç festonin sytë e tyre.

Më e përafërt me karakterin e Ademit është ajo shtatore në Lipjan

E punuar nga artisti Durrsak Idriz Balani. Lartësia e shtatores është rreth 3m e 25 cm,  peshon afërsisht 1 ton. Nga koka e gjerë tek këpucët a i plotëson kriteret për një figurë madhështore siç qe Jashari? A ka kreativitet vepra? Ose pse gjithmonë heronjtë i paraqesim me pushkë dhe plumba? A mund të qëndroj heroi pa këto?

Skulptori Balani në të gjitha veprat e tij përdorë lëvizshmëri, dinamikë, elegancë… Por, kësaj radhe, figurën madhështore e projekton më mirë krahas atyre shtatorëve të shëmtuara që u bënë për heroin tonë. Nuk e dijë pse së paku fytyrën nga fotot që i kemi për heroin ta paraqisnin origjinal, por gjithmonë me deformime, Balani lirohet nga këto amatorizma, krijon një fytyrë të butë, engjëllore, të pastër, por paska si shumë ka lëmuar pjesën e ballit, hundës dhe mjekrës. Hundën e paraqet më të vogël krahas me hundën origjinale të heroit. Dihet që Ademi hundën e kishte më të gjerë në pjesën e poshtme. Po të ishte më e gjerë do ishte origjinal fytyra e Jasharit. Shihet që ka bërë përpunim të mirë të fytyrës, ka nxjerrë forma nga heqja e madhe e pjesëve. Nuk është vetëm ngjashmëri e fytyrës me heroin, por e veçohet ana estetike, e lëmon aq shumë, me qëllim depërtimit të dritës mbi fytyrë. Ka një ekuilibër harmonikë fytyra. Nuk përqendrohet te mjekra, gjatësia, por te ana e muskujve, lëkura, dhe artisti që nxjerr mirë muskujt me saktësi, ka arritur ta sfidoj skulpturën. Pjesën e flokëve e paraqet më të shkurtra, kur dihet në çdo fotografi Ademi i kishte më të gjata. Nga ana vizuale, dora e djathtë duket pak më e zgjatur se e majta, ndonëse plumbat peshojnë, dhe pjesën e sipërme të krahut e jap si më të vogël, më të ngushtë. Është përthyerje e madhe e dorës dhe krahut të djathtë. Gishtërinjtë janë pak më të mëdhenj sesa ata që duhet të jenë me përmasa të sakta natyrale krahas me madhësinë trupore. Mëngët te duart duhet paksa të zmadhohen në raport me shuplakën e dorës.Gjoksi është mirë i punuar, kurse kostumi në raport me muskulin, është më i vakët, kjo e qëllimshme sepse Balani sforcon pjesën anatomike muskulore. Është pak i ngarkuar me armë, sidomos në kohën në të cilën jetojmë. Pjesa e pantallonave i ka vetëm dy thyerje në pjesën e djathtë të këmbës nga lartë dhe te pjesa e këpucës poshtë. Pantallonat janë shumë të lëmueshme, të drejta të jep përshtypjen e materialit të kadifes ngjajnë edhe si tuta. Pantallonat është dashur të jenë më me lakime, më të vrazhda sepse është një ushtarak. Skulptura duhet ta ketë një stil të punës nga fytyra e deri te këpuca. Duhet të respektohet liria e artistit, veçanërisht tek stili i tij. Këpucët duken sikur të njëjta, por ndoshta kjo vetëm vizualisht mashtron, nëse vendoset mbi bazament, mund të peshoj më mirë. Pushka nuk është theksuar mjaftë krahas me elementët tjera nuk arrihet saktë forma e shprehjes së saj.

E bukura e skulpturës është se heroi duket shtatdrejtë, ashtu siç ishte vërtetë. Ka përmbajtje të fortë, ka ritëm, dhe nga sytë e tij del shpirti origjinal i Ademit. Trajtimi është shumë realist, i saktë në tërësi, e riprodhuar më imazh tejet të fuqishëm, dinamikë, dhe çdo aksentë është mirë i përpunuar, gjithmonë them në tërësi, përjashtuar detajet e vogla që u theksuan më sipër.

Pse gjithmonë heronjtë të ngarkuar me pushkë dhe plumba? Kjo shtatore ka imazh tipik socrealist dhe arti s’mund t’i takojë të gjitha kohërave, përcaktohet nga koha e tij, gjithmonë  shprehë vlerat më të privilegjuara qofshin heronj apo ndonjë klasë dominuese. Skulptura e sotme, është konceptuale, zbukurim i hapësirës dhe shfrytëzuese në raport me hapësirën. Duhet pra ta krijojmë të bukurën absolute brenda vendit dhe kohës në të cilën jetojmë. Jo të jetë bukuri kalimtare siç e krijoji Rafaeli, kjo ndonëse qe e pakuptueshme për njeriun e ri. Ademi për njerëzit e ri duhet të jetë i kuptueshëm dhe skulptori Balani kishte dashur t’ja vë në kokë plisin. Ky veprim i tij u mohua, por do ishte më e arsyeshme vendosja e plisit kur bëhet fjalë pas njëqind vjetësh, dhe identifikimi i tij mund të keqkuptohet nga njerëzit në rajon e më gjerë. Plisi do ruante të vërtetën mbi kokën e Ademit. Nëse heronjtë do i lirojmë nga pushka dhe plumbat, mund ta deformojmë biografinë e tyre. Skulptura ndërtohet mbas biografisë së personazhit. Veçanërisht shtatoret në vendet publike, por edhe skulpturat e parkut.

Shpresoj që së shpejti ta kemi skulpturën e Ademit i cili i dha të gjitha për këtë vend. Ajo duhet të vendoset aty ku lëvizjet e njerzve janë të shumta dhe gjeneratat e ndryshme ta kujtojnë historinë, dhimbjen dhe tragjedinë.

Andaj, Ademi na bën nder dhe ndjehemi krenar ta kemi, vitet ikin, shtatorja ende nuk është dhe Prishtina si kryeqendër e të gjitha qendrave ka figura të shquara shqiptare dhe shumë mirë e përse nuk i bëhet një vend edhe heroit tonë.

Sot ose nesër Shtatroja do të jetë, por mos të na kafshojë koha sepse kafshimi do të jetë lëndues.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …