Ilir Rexhep Mërturi (6.9.1970 - 29.1.1999)

Ilir Rexhep Mërturi (6.9.1970 – 29.1.1999)

Banorët e fshatit Gjurgjevik i Madh i komunës së Klinës janë shquar në luftën kundër pushtuesve serbë, duke mos e pranuar asnjëherë robërinë. Gjyshi i Ilir Mërturit, Hajrë Feriz Mërturi, në vitin 1917 ishte vrarë në Kërçovë nga forcat okupatore bullgare. Po në atë kohë forcat serbe ia djegin edhe shtëpinë në Gjurgjevik. Në dimrin e vitit 1945 forcat partizane çetnike jugosllave kishin filluar luftimet në Drenicë, kundër çlirimtarëve të Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës, Sadik Ramës, Ukë Sadikut, Imer Berishës e luftëtarëve të tjerë. Në atë kohë forcat serbe vrasin në derë të shtëpisë, mixhën e babait të Ilirit, së bashku me të motrën, Azën. Në betejën e mirënjohur të Dollcit, të dimrit të vitit 1945, bie në luftë edhe Smajl Hajdari i po kësaj familjeje të njohur atdhetare.

Ilir Mërturi ishte fëmija i parë në radhën e pesë vëllezërve dhe tri motrave të Rexhep dhe Syzanë Mërturit. Ai lindi më 6 shtator të vitit 1970. Shkollën fillore e kreu në fshatin Qëndresë (ish-Gllarevë), ndërsa shkollën e mesme e filloi në Gjakovë dhe e mbaroi në gjimnazin “Skënderbeu” të Drenasit.

Pasi e kryen shkollën e mesme, Ilirit i arrin ftesa për të shkuar në shërbimin ushtarak në armatën jugosllave, në Bileqe të Bosnjës. Gjatë këtij shërbimi, atje ai kishte mbaruar kursin për oficer rezervë.

Eprorët e tij në kazermën e Bileqes kishin bërë përpjekje për ta detyruar të dëshmojë rrejshëm kundër kapiteniti Rexhep Rexhepi nga Ferizaj, i cili po ashtu shërbente në të njëjtën kazermë dhe ishte shumë i afërt me ushtarët bashkëkombas. Pasi kishte dëgjuar për këtë zhantazh, babai i Ilirit, mësuesi Rexhep Mërturi e viziton të birin dhe bisedon me oficerët serbë, duke kërkuar nga ata që të mos e përdornin djalin e tij për qëllimet e tyre të liga.

Për ta ndihmuar familjen dhjetëanëtarëshe, babai i Ilirit, Rexhepi, detyrohet të emigrojë në Gjermani, për të siguruar ekzistencë për familjen e tij. Ndërkohë, familja e tij ishte zhvendosur nga fshati Gjurgjevik i Madh në qytezën e Klinës. Pasi kishte kuptuar se djali i tij i madh, Iliri, iu kishte bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Mërturi, edhe pse kishte leje qëndrimi dhe punë në Gjermani, e lë punën dhe kthehet në Kosovë, me qëllim që ai të përkujdesej për familjen.

Në fillim të muajit qershor të vitit 1998, Iliri iu bashkohet luftëtarëve çlirimtarë në fshatin Sferkë e Gashit të Klinës. Duke qenë se kishte përgatitje ushtarake, eprorët e UÇK-së e sistemojnë në radhët e komandës të njësiteve që vepronin në fshatrat Mrasor, Ponorc dhe Llapçevë. Në këtë kohë lufta po zgjerohej me ritme të shpejta, ndërsa rinia vullnetare kërkonte armë dhe municion, Iliri, së bashku me dhjetëra luftëtarë të tjerë, në fund të qershorit të vitit 1998, niset për në Shqipëri me qëllim të furnizimit me armë dhe pajisje ushtarake. Pas një kohe të shkurtër, kthehet nga rruga, me armatim dhe municion.

Me rastin e fillimit të ofensivës serbe të shtatorit të vitit 1998, që kishte përfshirë të gjitha fshatrat e komunës së Klinës e më gjerë, Ilir Mërturi ishte në krye të detyrës ushtarake në radhën e luftëtarëve të vijës së parë të frontit.

Ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në Gremnik të Klinës kundër forcave serbe më 4 korrik të vitit 1998. Po ashtu, më 3 shtator të atij viti, ka marrë pjesë në vijën e frontit në Gremnik, Çupevë, Volljakë dhe Dush, ka ka treguar guxim, zhdërvjelltësi dhe taktikë ushtarake. Në tetor të po atij viti, me “rastin e ristrukturimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai emërohet komandant i togës për intervenim të shpejtë. Së bashku me luftëtarët e tij ai i mbron pozicionet në distancë 200 deri në 300 metra përballë forcave serbe, thotë komandanti i Kompanisë së Parë të Batalionit të Katërt të UÇK-së në Sverkë të Gashit, eprori Fadil Gashi. Asokohe kishte kontakt me Mujë Krasniqin, Skënder Rexhepin, Isë Krasniqin dhe shumë komandantë e luftëtarë të tjerë të njohur.

Duke qenë i dëshmuar në luftime kundër armikut dhe i sprovuar në artin ushtarak, në frontet e luftës çlirimtare, Iliri bëhet njëri ndër luftëtarët më të dalluar të zonës në të cilën operonte.

Në janar të vitit 1999, në të gjitha zonat e luftës kishte filluar përgatitja për t’ u ballafaquar me ofensiva të reja që po ndërmerrte pushtuesi serb. Duke qenë se pikat luftarake duheshin furnizuar me armë dhe me municion, Iliri sërish niset për në Shqipëri. Radhët e luftëtarëve, që atë kohë shkonin për armatim, nuk kishin të ndalur, edhe pse pak kohë më parë, në Gorozhup të Hasit kishin rënë 36 dëshmorë në krye me komandant Mujë Krasniqin, të cilët po sillnin armatim nga Shqipëria.

Ilir Mërturi iu kishte bashkuar radhëve të komandant Agim Zenelit nga Shqiponja e Dushkajës. Njësitet çlirimtare që po depërtonin drejt kufirit, ishin vënë në shënjestër të makinerisë kriminale serbe, të ndihmuar edhe nga disa bashkëpunëtorë shqipfolës dhe më 28 janar të vitit 1999 bien në pritë. Në ballë të luftëtarëve ishin Agim Zeneli, Ilir Mërturi e çlirimtarë të tjerë. Ata arrijnë ta çajnë rrethimin në pritën e parë, të cilën e kishin zënë forcat armike në fshatin Bishtazhin. Ishin vënë në mbrojtje të një grupi të plagosurish rëndë, që duhej t’i depërtonin për shërim në Shqipëri. Pas pak ata nisen në drejtim të fshatit Goden, ku po ashtu hetohen dhe sulmohen nga pritat që i kishin vendosur kudo forcat ushtarake e policore serbe.

Prita e tretë ishte vendosur pranë urës në fshatin Rogovë e Hasit, me ç’rast luftëtarët e lirisë, pasi hetohen nga policët e postbllokut serb ndiqen dhe sulmohen nga të gjitha anët. Në mëngjesin e hershëm të 29 janarit, çlirimtarët kishin bërë përpjekje për ta çarë edhe këtë pritë të armikut, por breshëria e zjarrit të forcave okupatore ishte fatale, meqë të gjithë ishin marrë në shënjestër dhe ishin goditur në një ngushticë, ku duhej të kalonin. Në automjetin përplot me luftëtarë kishte shpëtuar vetëm vozitësi i minibusit. Në altarin e atdheut, në mesin e 16 dëshmorëve dhe tetë martirëve, bie edhe Ilir Mërturi.

Babai i Ilirit, Rexhep Mërturi, kishte dëgjuar për remen e luftëtarëve në Rogovë të Hasit. Pa humbur kohë kontakton me një ushtar që kishte shpëtuar nga rrethimi. Ai i thotë se Iliri ka marrë plagë, por është vendosur në një bazë të sigurt. Pas disa ditësh Rexhep Mërturi vërteton se i biri ka rënë dëshmor dhe fillon të gjurmojë trupin e të birit, por nuk arrin ta identifikojë në morgun e Prishtinës, ku mendohej se ishte në mesin e dy luftëtarëve që kishin rënë në Rogovë të Hasit, më 29 janar të vitit 1999.

Trupat e dëshmorëve Ilir Mërturi e Vesel Avdyli nga Drenoci i Klinës nuk janë gjetur edhe sot e kësaj dite. Ilir Mërturi ka qenë i martuar dhe ka lënë djalin, Drinin, i cili rritet nën përkujdesjen e përkushtuar të prindërve, të vëllezërve dhe motrave të dëshmorit.

Me rastin e shënimit të përvjetorit të parë të ditës së çlirimit të Klinës, më 18 qershor të vitit 2000, Këshilli Komunal i jep Mirënjohje, për merita të veçanta në luftë për çlirimin e atdheut.

Më 28 janar të vitit 2000, Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, gjeneralmajor Gëzim Ostreni, familjes së dëshmorit Ilir Mërturi i jep Mirënjohje.

Poeti nga Shqipëria Gjon Frroku, Ilir Mërturit, Naim Gashit dhe Vesel Avdylit iu ka kushtuar poezi. Për dëshmorin Ilir Mërturi është shkruar në shtypin ditor dhe në atë periodik.

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …