Emrush Çaush Çeta (15.2.1972 - 29.1.1999)

Emrush Çaush Çeta (15.2.1972 – 29.1.1999)

Emrushi lindi  më 15 shkurt të vitit 1972, në fshatin Trubuhoc të Burimit, në një familje të njohur dhe me tradita atdhetare. Çaush Çetaj dhe bashkëshortja e tij, Ajshja, rritën katër bija dhe tre bij.

Mësimet e para Emrushi i mori në shkollën e fshatit Staradran. Ndërkohë,  më 5 tetor të vitit 1981 i vdes gjyshi, Kadriu, një burrë i njohur për rezistencë kundër forcave pushtuese. Atë e varrosin me flamurin kombëtar, ndërsa në varrim marrin pjesë shumë banorë të kësaj ane. Pikërisht për këtë manifestim nderimi e respekti për një veprimtar të lirisë, forcat e regjimit titist burgosin babanë e Emrushit, Çaushin, kushëririn e tij, Qerimin, dhe disa të afërm të tjerë, të cilët edhe i keqtrajtojnë fizikisht dhe i dënojnë me burg.

Dhuna e regjimit e kishte prekur edhe Emrushin e vogël me motrat e vëllezërit e tij. Autoritetet e regjimit titist ia kishin leçitur familjen, ndërsa Emrushin e kishin larguar nga shkolla e Staradranit. Ndërkohë ai vazhdon shkollën fillore dhe e kryen me sukses të shkëlqyeshëm  në shkollën e fshatit Terstenik të Pejës.

Qysh i ri ishte frymëzuar me idealet e luftës për liri, ideale këto të trashëguara  nga gjyshi e babai. I etur për dije e për liri, regjistrohet në Gjimnazin e Burimit, në drejtimin e Informatikës. Pasi kryen shkollën e mesme,

 bën përpjekje të vazhdojë studimet në Prishtinë, por meqë ishte pjesëtar i një familjeje nacionaliste e irredentiste nuk i mundësohet regjistrimi në fakultet.

Emrush Çetaj, ka marrë pjesë aktive në demonstratat popullore të vitit 1989-1990. Në nëntor të vitit 1991 policia serbe me pretekst të kundërvajtjes politike e arreston së bashku me vëllanë e tij, Avniun, me ç’rast edhe torturohen fizikisht nga policët e Milosheviqit.

Në vitin 1992 martohet me Vjollca Ibrahimin nga Novosella e Pejës. Ndërkohë, bashkëshortëve të rinj u lind vajza, të cilën e pagëzojnë me emrin  Marigonë dhe më pas u lind edhe djali, Kushtrimi. Asokohe merr thirrjen për t’u rekrutuar dhunshëm në ushtrinë okupatore serbe, por Emrushi nuk i përgjigjet kësaj thirrjeje i vetëdijshëm dhe me besim të patundur se do të vinte dita kur do t’i shërbente Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qysh në pranverë të vitit 1998, Emrushi vë kontakt me grupet e UÇK-së të Rrafshit të Dukagjinit. Asokohe shkon në Gllogjanin e njohur të Haradinajve, ku ishte themeluar një bazë e fuqishme e luftës kundër okupatorit serb. Atje pranohet në radhët e luftëtarëve të lirisë.

Me bashkëluftëtarët e tij ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në frontet e luftës në Gllogjan, Jabllanicë, Dushkajë, Prejlep dhe në fushëbeteja të tjera. Në qershor të vitit 1998, në luftime kundër forcave armike serbe plagoset rendë. Bashkëluftëtarët e dërgojnë për shërim në Shqipëri, ku qëndron për një kohë të caktuar. Edhe pse nuk ishte shëruar sa duhet, Emrushi sërish kthehet në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kthehet atje ku i kishte bashkëluftëtarët trima, të cilët po luftonin pa u ndalur kundër lubisë shumëkrerëshe serbe.

Në verë të vitit 1998, shtëpia e Emrush Çetës në Turbuhoc ishte kthyer në shtab lokal të UÇK-së për Lugun e Drinit, nga ku shkonin e vinin shumë luftëtarë të lirisë të kësaj ane. Edhe pse në kushte dhe rrethana lufte Emrushi kohë pas kohe mbante  kontakte me familjen.

Më 2 janar 1999 ishte ndarë nga familja me shpresë se sërish do të kthehej për t’i parë, edhe pse ai ishte i vetëdijshëm se ishte stina e luftës së madhe  dhe në luftë jeta nuk është fare e sigurt.

Duke qenë se mungonte armatimi, e sidomos municioni, Emrush Çeta inkuadrohet në mesin e dhjetëra luftëtarëve të sprovuar të lirisë, të cilët në krye me Agim Zenelin, Agush Gjocin, Daut Zagragjën e të tjerë do të shkonin në Shqipëri për të marrë armë dhe municion. Në mesin e luftëtarëve që qenë nisur për në Shqipëri ishin edhe Kasim Shala, nipi i Emrushit dhe Hamdi Berisha.

Komandanti Agim Zeneli, urdhëron që të braktiset Godeni  dhe çlirimtarët  të lëshohen në të majtë drejt Gërçinës e Demjanit, deri në Rogovë për të shpërthyer kah Krusha e Madhe. Ndërkohë në fshatin Rogovë, në oborrin e shtëpisë së Beqë Demirit, forcat policore dhe ushtarake serbe rrethojnë shtëpinë dhe vendin përreth. Nën rrethim kishin mbetur: komandant Agim Zeneli, eprori i lartë i njësive speciale të UÇK-së, Agush Gjoci, Agron Rama, Emrush Çeta, Daut Zagragja, Bahtijar Morina, Daut Kelmendi,  Gëzim Ademaj, Ilir Merturi, Haxhi Kleçka, Luan Smajli, Naim Gashi, Sahit Krasniqi, Naim Dreshaj, Sejdi Rama, Valon Gashi e Vesel Avdyli.

Pas një rezistence të fuqishme, të gjithë këta luftëtarë të lirisë bien në altarin e atdheut. Kishin rënë edhe shtëpiarët: Rrustem Morina me të bijtë: Nusretin, Selmanin e Muhametin, pastaj Ibrahim Kryeziu, Adem Rifati,  Zyber Shala e Xhevdet Berisha. Gjatë luftimeve kishin lënë kockat edhe shumë policë serbë. Ditë më parë kishin rënë edhe Kasim Shala, Hamdi Berisha, Pren Lleshi, Memë Lleshi dhe Gaspër Karaqi.

Më, 10 shkurt të vitit 1999, trupi i dëshmorit, Emrush Çeta, varroset me nderime ushtarake dhe në prani të mijëra pjesëmarrësve, në mesin e tyre edhe familjarët dhe bashkëluftëtarët e dëshmorit. Te varri i tij, u betuan se do të marrin hak dhe do të vazhdojnë veprën e Emrushit edhe shumë liridashës të kësaj ane. Xhaxhai i Emrushit, Sylë Çeta, qysh atë ditë merr pushkën dhe u bashkohet radhëve të luftës çlirimtare. Ai lufton deri më, 13 prill të po atij viti, kur edhe bie heroikisht në fshatin Kaliçan, duke luftuar kundër forcave ushtarake e policore serbe. Edhe kushëriri i Emrushit, Hamdi Çeta, u bashkohet radhëve të çlirimtareve dhe lufton trimërisht deri më,  9 maj të vitit 1999, kur edhe bie në altarin e atdheut, në fshatin Kashicë.

Emrush Çeta, Sylë Çeta dhe Hamdi Çeta luftuan dhe ranë për çlirimin e Kosovës nga barbaria serbe. Ata lanë pas: nëntë bij dhe bija, të cilët po rriten në Kosovën e lirë, krenarë për veprat heroike të baballarëve dhe bashkëluftëtarëve të tyre.

Duke përkujtuar çastin e ndarjes nga vëllai dhe takimin me të, tashmë në lapidar, pas 16 vitesh, motra e dëshmorit, Mejreme Çeta – Kelmendi ka shkruar: “Fati e deshi që të ndahem me të, kur ai ishte nxënës në vitin e tretë të shkollës së mesme. Dhe kurrë më nuk u pamë. Nuk e kisha menduar se një ditë kur të kthehesha në Kosovën, që e kishin çliruar trimat e lirisë, e së bashku me ta edhe vëllai im, Emrushi,  do ta takoja në lapidar, e te lapidari do të takoja Marigonën e Kushtrimin, së bashku me ta edhe kunatën, Valbonën, dhe anëtarët e mbetur të familjes. Vetëm zemra e motrës, që digjet për vëllanë e ndien aq thellë dhembjen, të cilën nuk e përshkruaj dot, thotë motra, Mejremja.

Emrushi ka lënë: Marigonën e Kushtrimin, bashkëshorten, Valbonën, prindërit, vëllezër e motra.

Familja Çeta ka marrë mirënjohje nga Zona Operative e Dukagjinit, nga Shtabi i përgjithshëm dhe nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …