Ilmi Qazimi: Dikur ishim në këmbë, tani na shkelin me këmbë

Ilmi Qazimi: Shqipëri, kuje më drekë, të rrjepin 140 deputetë!

-kur flet matematika, ndoshta çarmatoset politika-

Parlamenti shqiptar, qysh prej 28 vjetësh e deri më sot, ka 140 deputetë. Shqipëria e sotme ka dy milion e tetë qind mijë banorë. Del se afërsisht për çdo 20.000 frymë kemi një deputet, i cili, edhe pa e tepruar, edhe pa i futur të gjithë në një thes, realisht është një lloj milioneri i panginjur me të ardhura ekonomike dhe i tejngopur me aftësinë e të paaftit për të “bërë ligje për popullin, kombin, vendin!”.

Ju lutem të kuptohemi: njëzet mijë frymë e jo votues.

1.

Shqipëria ashtu siç ka sipërfaqen tokësore (pavarësisht se A.Zogu, e ndonjë tjetër më pas deri në ditët e sotme, i kanë shitur diçka fqinjëve, paçka se është komb i ndarë në gjashtë shtete) prej 28 mijë e 749 kilometra2, ashtu ka në panteonin e saj të lavdisë historike shumë shekullore një hero kombëtar; një poet kombëtar; një mit kombëtar; një gjuhë e kulturë kombëtare; tre besime fetare të bashkërenditura në një të vetëm: shqiptarinë; shumë (rreth dyqind) heronj të shpallur të vdekur e të gjallë, si edhe 28 mijë dëshmorë që ranë në Luftën Antinazifashiste Nacional Çlirimtare në vitet 1939-1945 dhe para saj. Në atë luftë, ishte partia komuniste ajo që ndikoi më tepër që Shqipëria jonë e vogël të zgjidhte krahun më të drejtë, duke u radhitur në koalicionin më të madh botëror sovjeto-anglo-amerikan kundër boshtit nazisto-fashist Berlin-Romë-Tokio. U angazhuan 70.000 partizanë shqiptarë edhe rreth 300 forca zogisto-balliste me pretendim se mund të bëheshin edhe gjashtë mijë, por që nuk shkrepën thuajse asnjë dyfek kundër pushtuesve. Përkundrazi u bashkuan dhe iu lëpinë duart e këmbët, gjermanëve, italianëve, anglezëve, amerikanëve. Veprimet luftarake të vërteta që sollën fitoren i drejtoi Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare me komandant Enver Hoxhën. Me pushtetin e ri që u vendos si diktaturë e proletariatit, i udhëhequr po nga Enver Hoxha, populli ynë, drejtuar e organizuar nga Partia e vetme Komuniste (me vonë Partia e Punës) arriti aq shumë suksese në ekonomi, në kulturë, mbrojtje dhe zhvillim të gjithanshëm shoqëror, sa ia njohu dhe vlerësoi tërë bota përparimtare dhe reaksionare. Por mbi të gjithë i përjetuan vetë shqiptarët dhe i shënoi me germa të forta historia në analet e saj. Edhe pak më tutje: Kuvendi Popullor i rendit socialist shqiptar, në fund-vitin 1986, kishte deri 250 deputetë. Por ju kujtoj lexuesve e votuesve të sotëm, të të gjitha bindjeve politike, që nuk e dinë, se 90% të atyre deputetëve jetonin në bazë tek populli, ku kishin një detyrë të mirëfilltë funksionale, për të cilën jepnin llogari edhe paguheshin. Krahas, si deputet merrnin vetëm një përqindje fare të vogël shtesë page, e cila ishte në raport të drejtë me nivelin e pagave në shkallë vendi. Po ashtu ju sjell në kujtesë se popullsia e Shqipërisë në atë kohë ishte katër milion banorë. Ndonëse për këto 32 vjet kapitalizëm, neofashistët, ballistët e ringjallur, pinjollët e kolaboracionistëve dhe tradhtarëve të vendit, nip-mbesat e kriminelëve dhe spiunëve, nën dirigjimin amerikan po mundohen të hedhin baltë e të mohojnë ato arritje, përsëri historia mbetet histori, në të shkruar, në të kënduar, në të filmuar, dhe në trashëgimi shpirtërore nga familjare deri në kombëtare. Mjafton vetëm fakti që akoma kemi energjinë elektrike me ato vepra që ndërtoi ai sistem shoqëror, thuajse ato aeroporte e aerodrome, sisteme ujore dhe bujqësore të asaj kohe, leri pastaj të tjerat e panumërta, që të kuptohet vitaliteti i asaj periudhe historike, i asaj demokracie të vërtetë, që me kalimin e kohës, për arsye të shumta, dështoi sepse edhe u gërrye nga tradhtia, nga presioni i jashtëm si dhe nga kthetrat e vjedhjes e gënjeshtrës.

  1. Për të ftilluar mendimin dhe arsyetimin, për temën “20.000 vetë, një deputet” le të shohim sadopak edhe përqark se si është raporti deputet banor. Greqia me 11 milion banorë ka 349 deputetë. Estonia, Maqedonia e Veriut e Shteti Shqiptar i Kosovës, që kanë popullsi afërsisht të barabartë me Shqipërinë zgjedhin respektivisht 101.120 deputetë. Edhe Italia po përpiqet që ta shkurtojë numrin e deputetëve. Kina ka tremijë deputetë atje lart që përfaqësojnë një miliard e pesëqind milion njerëz atje poshtë. Shqipëria jonë e bukur, me pagën mesatare më të ulët në Europë, ku e gjeti këtë marifet që të ketë 140 deputetë ?! Ka mbi një çerek shekulli që shifra mbeti e pandryshuar. Nga tabelat që nxjerr vetë parlamenti për vitin 2022, del se vetëm për muajin prill 21 deputetë i kanë rrjepur shqiptarëve 14.265.163 lekë (gjithmonë të rinj). Me një llogari, përsëri nga tabelat parlamentare del se për një vit, përveç pagave të majme, deputetët, i rrjepin arkës së shtetit 170 milion lek me anë të benefiteve ligjore!? Se ata kanë nevojë shumë për rimbursim telefoni, qera shtëpie, karburanti, etj, etj. Për muajin prill 2022 vetëm deputeti i mirënjohur për shqiptarinë e tij, z.Vangjel Dule ka marrë ‘ligjërisht’ 752.500 lek – pra treçerek milioni lekë prej djersës sonë dhe i ka përdorur për ‘punët e mëdha të shtetit’!? Kësisoj mund të vijojmë tërë fletën ta mbushim me këto shifra. Por mjaft! Le të arsyetojmë: duke llogaritur legjislaturat që kemi kaluar, sasinë e deputetëve të zgjedhur një, dy deri tetë herë, ata të vdekur dhe ata të përjashtuar apo burgosur, del një shifër e përafërt aty te një mijë e dyqind burra e gra që janë futur në atë sallë me atë rrogë në ngjitje dhe me ato bonuse të rritje. Logjikuar sipas ideve amerikane për të vendosur demokracinë në këtë vend ekstrem lindor, që duhej të gjendeshin rrugët, mënyrat, manovrat për të krijuar sa më shpejt klasën e pasur dhe të futej sa më lehtësisht thika ndaj pronës shoqërore dhe të niste shenjtërimi i pronës private mbi mjetet e prodhimit, duke shkatërruar gjithçka komuniste, zgjedhja deputet ka qenë një nga udhët fillimisht më të pakuptueshme. Dhe u realizua me sukses. Në fshat rierdhën në fuqi “feudalët e rinj” dhe në qytet u regjistruan kapitalistë e rinj, ca me prejardhje komuniste dhe ca u ringjallën me bijtë e nipërit e atyre që patën qenë përmbysur në vitin 1944. Ju pyes, pa dashur të fyej asnjë deputet: më tregoni një deputet shqiptar të viteve 1992-2022, të varfër, apo mesatarisht të varfër, apo me pasuri që nuk shkon më shumë se tre milion lekë të ardhura mujore!? A e gjeni dot? Kurrë! Pra, ja një pjesë e klasës së të pasurve, duke përdorur këtë metodë pasurimi, u krijua. Tani përse duhen kaq shumë deputetë në parlamentin tonë, i cili vlerësohet nga shikuesit e dëgjuesit më tepër si ‘pallavrament’ ku shumica e atyre që janë në sallë shfaqin standarde të ulta edukate, inteligjencie dhe aftësish për ligjvënie, duke qëndruar shumë larg për të qenë vlera kombëtare, madje aspak të krahasueshme edhe me parlamentin tonë të kohës së mbretërisë?
  1. Le të flasim tani për popullatën që do të përfaqësojnë këta rrogëtarë të tejmajmur në atë parlament. Popullsia e vendit tonë nga katër milionë në vitin 1990, në ecurinë e viteve të demokracisë që na solli modeli amerikan po tkurret çdo vit, madje çdo muaj. Sot, viti 2022, siç thonë mediat, politologët, demografët dhe regjistrat e vërtetë, këtu banojnë fizikisht 2.800.000 banorë; nga këta rreth 700.000 janë pensionistë. Pjesa me fëmijë e të mitur është te 30% i shifrës së mbetur dhe fare pak janë njerëzit e aftë për punë dhe për votë. Arsyet përse popullsia jonë po” firon pa fre”, janë të shumta. Disa po i sjellim në mendje.

 Shumë nga djemtë e vajzat e moshës së re passhkollore largohen për “një jetë më të mirë” në perëndim e në lindje. Shkojnë me këmbë e vijnë pa kokë, ose nuk kthehen më kurrë. Së dyti, ata që mbeten këtu lindin më pak, se “fëmijët është e vështirë që të mbahen” në këto kushte që ofron kapitali i pastazhionuar shqiptar dhe politikat joatdhedashëse të qeverive tona. Numri i vdekjeve, nga pandemia, varfëria, pleqëria, po rritet ndjeshëm. Joshjet për largim me anën e të ashtuquajturave ” lotari punësimi” prej shteteve kapitaliste të fuqishme si Amerika, Anglia, Gjermania, Kanadaja etj. etj. janë shtuar së tepërmi. Kjo gjendje realisht është skllavërim modern që iu bëhet tërë popujve të vegjël dhe atyre me ngjyrë. Faktikisht, çdonjëri nga lukunia e deputetëve që ngjisin shkallët e Parlamentit, krenarisht me kollare e bark të fryrë, aritmetikisht përfaqëson njëzetmijë vetë, kryesisht fëmijë, të moshuar dhe disa, fare pak të rinj, por pa e ditur së kë konkretisht. E thënë ndryshe këta deputetë, paguhen, d.m.th. rrjepin mundin dhe djersën e këtyre pak që jetojnë këtu, në atdhe. Thuhet teorikisht se edhe nga diaspora votojnë për parlamentin shqiptar. Madje, me një koeficient të lartë hipokrizie qeveria Rama- tre, pati edhe një ministri për diasporën, me ministër një ish-kryeministër, së cilës nuk iu dëgjua as zëri e as iu pa fytyra kurrë. Kjo qe një tjetër rrjepje qeveritare ndaj nesh që votojmë deputetin.

  1. Nga pikëpamja territoriale Shqipëria është e ndarë në zona zgjedhore. Sasia e popullsisë që banon si edhe e atyre që gëzojnë të drejtën e votës në këtë territor që quhet Republika e Shqipërisë, të ndarë në kaq e aq zona zgjedhjesh (më lejoni ta them ashtu siç na rëndojnë: zona zgjedhe në zverkun tonë!) është aq i vogël sa nuk ka pse të ndahet në aq copa e me këtë shifër kaq të vogël për t’u përfaqësuar në parlament. Aktualisht janë 90 zona të administrimit zgjedhor dhe zgjidhen 140 deputetë !? E pse ? Si rezultat i asaj që Edi Rama e quajti Reformë në ndarjen administrative në Shqipëri, nga 383 bashki tashmë kemi 61. Bukur fort! Popullsia e Vlorës si qark është, le të themi, 180 mijë vetë. Kodi zgjedhor aktual kësaj popullate i jep 7 deputetë. E pse? A nuk mjaftojnë 3 persona? Përse lypsen 3 deputetë në territorin e Kuksit? Çfarë të mirash do t’i sjellin qarkut të Beratit 7 deputetë, kur ai në territorin e vet ka më pak 100 mijë banorë? Dhe mos të harrojmë se shifra e banorëve në qarqet tona është shumë e ndryshueshme nga viti në vit, drejt pakësimit, veç Tiranës, Fierit dhe Durrësit. Sipas ndarjes territoriale, ne përsëri numërojmë 140 deputetë. Mirëpo në 1km2, si republikë, mesatarisht kemi 97 banorë e në çdo 15 km2 del si Fanispathi përsëri një deputet, paçka se atje nuk ka njerëz. Sepse ka vise të tëra që nuk ka fare banorë fshatrave. Në të njëjtën kohë në qytet dendësia për kilometër katror është shumë më e madhe se njëqind banorë. Paradokse shqiptare! Kemi edhe anomalinë tjetër që solli kapitalizmi, ku përqendrimi i popullsisë në 3-4 qytete të mëdha, sidomos në Tiranë është dukshëm i qartë dhe i pa korrigjueshëm. Pa le, po ka edhe mendime nga specialistë që duhet të kemi jo 61 por 80-90 bashki e tre rajone të mëdha! Megalomani e pa peshueshme!
  1. Shpërndarja e popullsisë tek ne është tmerrësisht e zhdrejtë.

Atje ku prodhohen të mira materiale të mirëfillta ushqyese, pra në bujqësi, blegtori, artizanat, pylltari, miniera, ka shumë pak banorë. Ndërkohë që nëpër qytete ka dyndje sa të zihet fryma. Ka zona zgjedhore me kilometra të tëra që të merr malli të shikosh një njeri në këmbë. Syri rrok vetëm kafshë të egra, gjarpinj, shkurre(lisat e pishat, ahet dhe bredhat janë prerë ose djegur!), bar të egër dhe djerrinë të trishtë.

 Cilat gjallesa do të përfaqësojë deputeti i këtyre territoreve? Në vitin 2017 votues të regjistruar në Shqipëri (por këto regjistra asnjë herë nuk janë të sakta, siç ka treguar momenti paszgjedhor) ishin 3.452.324 vetë. Votuan konkretisht1, 614.479 vetë. Listat janë po ato, paçka se fizikisht banorë ka më pak. Po sot që popullsia u shterua në 2.800.000 banorë a do të arrihet vallë shifra një milion votues? Përsëri lind pyetja: përse na duhet ky lloj kodi zgjedhor që na vjedh edhe votën, edhe rrogën, edhe ditët e jetës? Qysh prej para pesëmbëdhjetë vjetësh duhej të rikonceptohej jo vetëm kodi zgjedhor, por edhe qenia deputet dhe detyrat e tij në përshtatje me sasinë e njerëzve që i kanë dhënë votën sipas territorit.

E më tej llogaridhënia e tij para tyre në intervale të detyruara me ligj se si e se sa ua ka zgjidhur ai hallet votuesve. Se ai nuk ka punë tjetër, veçse është deputet apo edhe biznesmen! Nga 61 bashki që ka tërë vendi, vetëm në bashkinë e Tiranës banojnë, 33% të popullatës së republikës. Pra kjo situatë kërkon një rishikim të këtyre zgjedhjeve parlamentare, e ripërcaktimit të kufijve të bashkive, në rast se duan ata që t’iu shërbejnë qytetarëve shqiptarë. E thënë butazi: Nga 140 deputetë, të shkurtohen gjashtëdhjetë dhe të mbeten vetëm 80 deputetë. Ndarje sipas popullatës e jo sipas sipërfaqes. I bie që deputetë më shumë të ketë në metropolin tonë, Tiranë. Kuptohet, kërkojmë më pak zona zgjedhore, më pak komisione zgjedhore, më pak deputetë sejmenë të tyre, se na rëndojnë së tepërmi mbi shpirtin dhe ekonominë tonë. ( Gazeta Sot­)

Kontrolloni gjithashtu

Gëzim Kelmendi: Udhëheqësit e Shtetit duhet t'i dënojnë rastet e dhunës seksuale, jo vetëm me fjalë

Gëzim Kelmendi: Udhëheqësit e Shtetit duhet t’i dënojnë rastet e dhunës seksuale, jo vetëm me fjalë

Në një shtet ku në klasën e VI- të shkollës fillore mësojnë për dashurinë si …