Dodë Gjergji

Imzot Dodë Gjergji: Besimtari arrin ta pranojë e ta dojë çdo njeri, pa marrë parasysh, fenë, racën, pozitën…

Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, është mbajtur Mesha solemne e Krishtlindjeve, të cilën e udhëhoqi Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Ai tha se të krishterët pas 4 javë përgatitjeje, kanë ardhur së bashku në Kishën e së Shenjtës “Nënë Terezë” për të kremtuar së bashku Festën e Kërshëndellave. “Ne i bashkohemi këndës së engjëjve, në këndimin e kësaj këngë gëzimi dhe lavdie. Na bashkëngjiten sonte shumë njerëz që nuk janë pagëzuar, por e duan paqen në tokë dhe dashurinë mes njerëzve”, tha Dodë Gjergji dhe shtoi se “në këtë natë kaq të shenjtë, në të cilin hyji i na ka krijuar nga dheu dhe na ka dhënë jetën, na përcjell që nga lindja e nënës e deri tek gropa”.

“Njeriu nuk është më vetëm mbi tokë, derisa është gjallë, sepse të gjallëve ju dhurua jeta kur u pagëzuan, sepse ne jetojmë për Zotin dhe për Krishtin, i cili ka vdekur në kryq dhe kemi shpëtuar nga mëkatet, edhe pse duhet të përballojmë trishtimin e zemrave të errëta të kësaj bote. Besimtari arrin po ashtu të pranojë e të duajë çdo njeri, pa marrë parasysh, të gjitha dallimet që mund t’i kenë ndryshe, dallimet fetare apo statutin social në shoqëri”, tha Ipeshkvi i Kosovës. Imzot Dodë Gjergji në vazhdim të fjalës meshtarë, tha se disa spitale janë bërë punishte vdekjeje dhe doktorët janë bërë vrasës serial. “Kisha në këtë natë të shenjtë, i ofron njeriut Krishtin dhe i ofron të gjitha grave pastërtinë e Marisë dhe shembullin e dashurisë amnore të Betlehemit. Përgjegjësia e shtetit është që të shpërndajë të mirat në mënyrë të barabartë, në mënyrë që askush të mos vuajë nga uria apo etja”, tha Ipeshkvi i Kosovës. Po ashtu Ipeshkvi i Kosovës uroi që institucionet ndërkombëtare dhe të vendit, t’i ndihmojë Zoti që të vejnë interesat e përbashkëta para çdo interesi tjetër. Para fillimit të Meshës u shfaq një koncert i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës, ku u kënduan këngë dhe u recituan vargje.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …