Interesimi për të ndjekur nga afër shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në gjykatën speciale në Hagë ka qenë i madh. Deri në mbylljen e afatit për aplikim, 278 persona kanë kërkuar të jenë të pranishëm në sallë më 16 shtator, datë kur pritet të shpallet verdikti. Megjithatë, vetëm 67 persona do të mund të marrin pjesë fizikisht në galerinë e publikut, për shkak të kapacitetit të kufizuar të sallës së gjyqit. Afati për aplikime u mbyll më 24 korrik në orën 16:00, ndërsa interesimi rezultoi edhe më i madh se ai i regjistruar gjatë fjalëve përfundimtare të mbajtura nga 9 deri më 18 shkurt të këtij viti. Në mesin e 67 personave që do të përzgjidhen për të ndjekur seancën do të përfshihen familjarë të të akuzuarve, përfaqësues të mediave, si dhe stafi diplomatik i Kosovës dhe ambasadave të akredituara në Hagë. Gjykata speciale pritet t’u dërgojnë përgjigjet aplikuesve në ditët në vijim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
