Intervista e ekspertit për Evropën Juglindore, Eric Gordy, dhënë gazetës “Danas”

Intervista e ekspertit për Evropën Juglindore, Eric Gordy, dhënë gazetës “Danas”

Pra, si i shihni marrëdhëniet aktuale në rajon?

Nuk mund të flasim veçmas për Bosnjë e Hercegovinën dhe Kroacinë, sepse shumë konflikte në Bosnjë dhe Hercegovinë lindin për shkak të konflikteve politike në Kroaci. Aktorët kryesorë politikë në Kroaci ndihmojnë njëri-tjetrin në minimin e nacionalizmit në Bosnjë. Në këtë skenar, BE-ja ka më shumë fuqi për të disiplinuar Kroacinë sesa Hungaria, për shembull. Kjo ndoshta do të ndodhë, edhe pse përfaqësuesja e lartë në Bosnjë e Hercegovinë po e vonon aktualisht. Gjëja e dytë që po ndodh, të cilën e shohim në përshkallëzimin në veri të Kosovës, apo incidentet e Milorad Dodik në Bosnjë dhe Hercegovinë, është se Rusia do të donte më së shumti nëse një konflikt i ri do të shpërthente diku në Evropë, dhe në Ballkan është i vetmi vend ku kanë kapacitet për të.. Arsyeja pse Rusisë i pëlqen të luajë në Ballkan është se për Moskën zyrtare një konflikt i tillë nuk do të ishte i shtrenjtë dhe nuk do të ishte aq i rrezikshëm. Domethënë, ata mund ta përfundojnë atë kur u përshtatet.

 

Prandaj, situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kritike. A mendoni se ka një zgjidhje, për shembull në formën e pranimit të dokumentit franko-gjerman?

Ai dokument është i mirë si model për të ecur përpara. Është i ngjashëm me modelin e Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore, kështu që ato nuk duhet ta njohin pavarësinë e njëra-tjetrës, por duhet të bien dakord që të mos e sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo nuk është një zgjidhje afatgjatë, do t’ju kujtoj se nuk ishte as për Gjermaninë, por sigurisht që është më mirë se përshkallëzimi periodik. Pavarësisht se çfarë thonë Aleksandër Vuçiq dhe Albin Kurti, të dy janë të vetëdijshëm se duhet të bëjnë një kompromis. BE-ja është e gatshme të mos i kërkojë Vuçiqit të njohë pavarësinë e Kosovës përderisa ai premton se nuk do të krijojë probleme. Është e pazakontë që themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe po shtrohet si pyetje tani, pasi që më herët është rënë dakord për të. Mendoj se është e qartë se Serbia duhet patjetër të bëjë një kompromis dhe të vendosë një lloj sundimi të ligjit në veri të Kosovës. Kosova ka kohë që ka pasur mbështetjen e ShBA-së dhe Evropës, me përjashtim të kohës kur ishte president Donald Trump, kështu që Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kurti mendon se nuk ka pse të bëjë kompromise me Serbinë.

 

Por, Vuçiqi ka qenë në pushtet në Serbi për më shumë se një dekadë. Pse BE-ja priti kaq gjatë këtë çështje?

Përgjigja është e shkurtër – për shkak të Ukrainës. BE-ja e kuptoi se duhej të zgjidhte të gjitha mosmarrëveshjet, domethënë konfliktet, në mënyrë që të mund t’i rezistonte Rusisë.

 

Në këtë kuptim, a do të vendosë Vuçiqi sanksione kundër Rusisë?

Mendoj se ka llogaritur zgjuar, domethënë ka bërë llogaritë – ulet dhe pret se kush do të ketë përparësi. Ai nuk vendosi sanksione dhe ShBA-ja dhe BE-ja e tolerojnë, sepse e dinë se Vuçiqi ka vështirësi për shkak të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Unë mendoj se edhe ai e di që në fund do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por që ngaqë priti kaq shumë nuk do të marrë një minus nga BE-ja, por do të lavdërohet.

 

Çfarë e ardhme e pret Bosnjë e Hercegovinën, a do të mbetet brenda këtyre kufijve?

Ndoshta do ta bëjnë. Unë mendoj se njerëzit nuk do të lejojnë kthimin e dhunës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Problemi kryesor në Bosnjë është mungesa e një kushtetute. Kur Joe Biden u bë president i ShBA-së, shumë në Uashington menduan se ai do të vendoste fuqinë e tij në politikën e jashtme pasi, si të thuash, ai ishte i dobët në politikën e brendshme dhe se Bosnja mund të ishte vendi ku ai do ta bënte atë. Ai nuk donte ta “prekte” Kosovën. Një gabim i madh i bërë nga bashkësia ndërkombëtare në Bosnjë është se injoron shoqërinë civile, duke menduar se duke ndikuar te liderët politikë mund të ndryshojnë situatën në atë vend. Mënyra e vetme për të miratuar një kushtetutë në Bosnjë dhe Hercegovinë është përfshirja e sektorit civil dhe propozimi i një modeli për liderët politikë. Gjithashtu, përfaqësuesi i lartë në Bosnjë po e vështirëson aktualisht.

 

Nacionalizmi vazhdon të rritet në rajon. A mund të ketë edhe një pajtim?

Nuk jam optimist se vendet e rajonit do të bëhen anëtare të BE-së, madje as Maqedonia e Veriut, sepse nuk ka shumë entuziazëm për zgjerim në mesin e anëtarëve të unionit. Mendoj se është më realiste që vendet e rajonit të kenë një marrëdhënie të ngushtë me BE-në sesa të anëtarësohen në të. Forcimi i partive të djathta në Serbi dhe vende të tjera është një histori e vjetër. Megjithatë, gjëra pozitive kanë ndodhur vitet e fundit, si fitorja e koalicionit Mozemo në Kroaci dhe marrja e pushtetit në Zagreb, si dhe hyrja e koalicionit Moramo në parlamentin serb. Në Sarajevë ka një koalicion të ngjashëm, në Slloveni ku Jansha u mund… Megjithatë, mund të shihen ndryshime në të menduarit e njerëzve dhe brezave të rinj.

 

Së shpejti do të bëhet një vit nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. U befasuat nga pushtimi?

U habita, edhe pse njerëzit kanë muaj që flasin për këtë. Nuk kishte kuptim që Rusia të bënte diçka të tillë kur ajo tashmë po merrte gjithçka, për shembull, faktin që Ukraina nuk është anëtare e NATO-s. Rusia nuk është një fuqi globale pas rënies së Bashkimit Sovjetik, por mund të themi se është një fuqi rajonale. Miti i të qenit një fuqi globale është shkatërruar, për shembull ai i ushtrisë së pathyeshme ruse. Domethënë, ka korrupsion në ushtrinë ruse, probleme serioze në zinxhirin komandues… Ata përdorin grupin Wagner dhe çeçenët sepse nuk kanë besnikërinë e ushtarëve të tyre.

 

E shihni fundin e luftës?

Është e vështirë për mua të imagjinoj dorëzimin e Rusisë dhe ndihma që Ukraina merr nga Perëndimi është e madhe. Është e vështirë të parashikohet e ardhmja, por nëse nuk ndodh diçka vërtet dramatike, mendoj se lufta do të zgjasë shumë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …