Investitorët italianë të interesuar për bashkëfinancime me bizneset kosovare

Në Ambasadën e Italisë në Prishtinë, të mërkurën u mbajt konferenca me temën “Mundësitë e  bashkëpunimit me Kosovën”, ku përfaqësuesit e Rajonit Autonom Italian,  Friuli Venezia Giulia dhe Kompania italiane “Fines S.p.A”, prezantuan përvojën e tyre dhe njëkohësisht shprehën interesimin për bashkëpunim me kompanitë kosovare.

Të pranishëm në këtë forum ishin Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, Ambasadori i Italisë në Kosovë – Andreas Ferrares, Mauro Del Savio – President i Finest S.p.A, Franco Jacob – Presidenti i Këshillit Rajonal Autonom të Friuli Venezia Giulia dhe investitorë italianë.

Me këtë rast, Ministri Stavileci duke falënderuar Ambasadorin Ferrares për mbështetjen që po i jep vendin tha se në kuadër të këtyre hapave investitorët italianë janë të mirëseardhur dhe se Qeveria e Kosovës do t’i ofrojë mbështetjen e duhur.

”E dimë potencialin që ka Italia dhe bizneset italiane, sepse tashmë kemi të pranishëm biznese të shtetit tuaj edhe në Kosovë, të cilat bashkëpunojnë me bizneset e vendit tonë prandaj ne si Qeveri do të jemi në mbështetje të investimeve italiane në të gjitha fazat”, tha ai.

Ai vlerësoi organizimin e këtij forumi si një mundësi e mirë për tu njohur me praktikat italiane të bizneseve, të cilat do të ishin një ndihmë e mirë për bizneset vendore.

Me tej ministri Stavileci u tha investitorëve italianë se Kosova është duke kaluar në një periudhë stabile, të qetë dhe  të përshtatshme për investime.

Nga ana e tij, Andreas Ferrares tha se Kosova duhet të krijojë kushte më të mira për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe se Italia është mjaft e interesuar që të investojë në Kosovë.

Ndërsa, Presidenti i Finest S.p.A, Mauro Del Savio, duke prezantuar aktivitetin e subjektit që drejton tha se ajo ofron ekspertizë ekonomike dhe këshilla për zhvillimin e  kompanive me qëllim të promovimit të tyre në tregun ndërkombëtarë.

Kontrolloni gjithashtu

Zyra për Komunitete dhe Kthim pranon dhe shpërndan donacion për nxënësit nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian

Zyra për Komunitete dhe Kthim e komunës së Ferizajt ka pranuar një donacion nga Qendra …