Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me izolim ndërkombëtar nëse Qeveria e re nuk e dërgon statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese brenda një afati të shkurtër. Hasani theksoi se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja nuk do të pranojnë më vonesa apo manovra në procesin e dialogut. BE-ja sot ka halle të tjera. Nuk besoj që ka vullnet në Evropë dhe në Amerikë që të tolerojnë një lojë fjalësh në dialog. Sa më shumë të vonohet Kosova, aq më e rëndë do të jetë situata për ne, deklaroi Hasani. Ai rikujtoi se marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit, është një detyrim ndërkombëtar për Kosovën dhe theksoi se nuk ka më hapësirë për shmangie apo interpretime. Kur merr detyrime ndërkombëtare, duhet t’i zbatosh. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë – politikanët, qytetarët, të gjithë, saktësoi Enver Hasani.