Isuf Ismaili: Akademia e Studimeve Albanologjike: Konferenca e përbashkët shkencore “Një komb, një gjuhë”

Akademia e Studimeve Albanologjike: Konferenca e përbashkët shkencore “Një komb, një gjuhë”

Sipas njoftimeve që i morëm nga Akademia e Studimeve Albanologjike në Tiranë, para dy ditësh u mbajt në Prishtinë, në Institutin Albanologjik: “Konferenca e përbashkët shkencore “Një komb, një gjuhë”.

Teksti i poshtëm është marrë nga  Akademia e Studimeve Albanologjike

Dje, më 21 mars 2022, në Prishtinë, në zbatim të Marrëveshjeve të nënshkruara në dhjetor 2021 ndërmjet tri institucioneve: Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA), Tiranë, Instituti Albanologjik i Prishtinës (ILP), dhe Institutit të trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITShKSh, Shkup, për të diskutuar dhe miratuar veprimtaritë shkencore të përbashkëta që do të zhvillohen gjatë vitit 2022, u bë takimi i grupeve të punës të kryesuara nga drejtuesi e tri institucioneve: prof dr. Luan Përzhita (ASA), prof. dr. Hysen Matoshi (IAP) dhe prof. dr. Skëndër Asani (ITShKSh).

Vëmendjen kryesore në takim e mori miratimi nga të tri institucionet i organizimi në muajin nëntor 2022 i Konferencës së përbashkët shkencore “Një komb, një gjuhë”. Konferenca e merr shtysën nga 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit (Tiranë 1972) dhe do të trajtojë çështje që lidhen me gjuhën shqipe dhe, pazgjidhshmërisht me të, me kombin shqiptar, gjatë 120 vjetëve të fundit.

Konferenca do t’i zhvillojë punimet në të tri kryeqendrat dhe përkatësisht:

– më 22 nëntor në Shkup (datë që përkon me mbylljen e punimeve të Kongresit të Manastirit, 1908, si dhe të veprimtarisë “Ditë të Alfabetit”, të organizuara nga ITShKSh);

– më 23 nëntor në Prishtinë;

– më 24 nëntor në Tiranë (ku bëhet dhe mbyllja e punimeve).

Në Konferencë do të kumtojnë studiues shqiptarë dhe albanologë të huaj, si dhe do të ketë, ndër të tjera, përshëndetje nga ish-pjesëmarrësit në Kongresin e Drejtshkrimit. Këtë veprimtari të rëndësishme shkencore do ta prijë një vizitë e pjesëmarrësve në Shtëpinë e Alfabetit, në Manastir më 21 nëntor, organizuar nga ITShKSh.

Të gjitha aktet e Konferencës treditore “Një komb, një gjuhë!” do të botohen në një vëllim të posaçëm, i cili do t’u çelë rrugën botimeve të përbashkëta të çdo vitshme midis tri institucioneve albanologjike.

Në takim morën vëmendjen e duhur, edhe çështje të tilla, si: organizmi dhe institucionalizimi i përvitshëm (çdo shtator) i Panairit “Botime Albanologjike”, me botime nga ASA, ILP, ITShKSh; paraqitje (promovime) veprash të studiuesve nga ASA, ILP, ITShKSh (në vazhdimësi); zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit për botime të përbashkëta të veprave shkencore, botime artikujsh në revistat shkencore të tri institucioneve, kryerjen e recensimeve për vepra etj); organizmi i Lektoriumeve të mbartshme shkencore nga specialistë të fushave të Albanologjisë e kulturës kombëtare etj.

Kontrolloni gjithashtu

Ujësjellësi KRU “Prishtina” kërkon nga qytetarët që ta përdorin në mënyrë racionale ujin e pijshëm

Zëdhënësja e policisë Flora Ahmeti ka konfirmuar lajmin për vdekjen e tre personave në aksidentin te liqeni Badovcit

Zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti ka konfirmuar lajmin për vdekjen e tre personave në aksidentin …