Isuf Ismaili: Radio Kosova e Lirë ushqim shpirtëror i liridashësve dhe atdhetarëve shqiptarë

Radio Kosova e Lirë është një nga vlerat dhe pasuritë më të mëdha të popullit shqiptar, sepse ajo nuk është thjesht një radio informative e kulturore, por mbi të gjitha ajo është një shtëpi e madhe në zemrat e liridashësve dhe shqiptarëve të ndërgjegjshëm e cila është formuar përmes mundimeve e sakrificave të mëdha, është sprovuar në flakët e luftës së për liri dhe bashkimit kombëtar. Është një radio që në vazhdimësi  dhe pa u luhatur e ka mbrojtur vijën më të çmuar atdhetare e njerëzore, duke u bërë zëdhënësja e U Ç K – ës heroike e madhështore, zëdhënësja e aspiratave më të çmuara për lirinë e njëmendët dhe bashkimin e Shqipërisë në kufijtë e saj etnik e të natyrshëm. Radio Kosova e  Lirë është përçuesja më e denjë e idealeve dhe veprave të dëshmorëve e heronjve shqiptarë të të gjithë hapësirës së Shqipërisë etnike.

Njeriu ynë jo vetëm mëson shumë nga emisionet e transmetimet, nga qëndrimet dhe përkushtimet e saj, por edhe e ndjenë  një siguri të madhe, se idealet e sakrificat dhe veprat e shenjta atdhetare do të shkëlqejnë në triumfin e tërësishëm të Shqipërisë së natyrshme, për t`u bërë Atdheu ynë një dhe i pandarë, në tërësinë e damarëve e pjesëve të tij që janë ushqyer me gjakun e kulluar e veprat e çmuara të heronjve dhe dëshmorëve në të gjitha kohërat e historisë sonë sa të dhembshme aq edhe heroike e madhështore

 

Radio Kosova e Lirë duke qenë fort e pashkëputshëm e lidhur me këto ideale, i ushqen shpirtërisht liridashësit dhe atdhetarët shqiptarë kudo që ata jetojnë e punojnë. Por, ajo bënë edhe një luftë pa kompromis me të shëmtuarën, me të keqen me veprat e ndyra të njerëzve  që bëjnë tradhti,  që mbjellin hutim, degjenerim, përulje e nënçmime njerëzore, kombëtare e shoqërore. Ajo është sëpatë e gdhendjes njerëzore, e  prerjes së shëmtive  e gjërave të ndyra, që jo rrallë herë shfaqen e përhapen nga medie të shumta e të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, prandaj Radio Kosova e Lirë shkon krenare dhe e çmuar në rrugën e lavdisë njerëzore e atdhetare.

Në këtë përvjetor  të Radios Kosova e Lirë uroj përzemërsisht që zëri i saj të jehojë gjithnjë e të shkëlqejë gjithashtu gjithmonë në kurorën e atdhetarizmit shqiptar e njerëzimit përgjithësisht!

 

Ju uroj suksese dhe shëndet e mbarësi në punë e në jetë të gjithë punonjësve të Radios Kosova e Lirë! 

Kontrolloni gjithashtu

25 vjet më parë, më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri të rëndë ishin vrarë shumë shqiptarë në fshatrat e Dukagjinit

25 vjet më parë,  më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri …