Isuf Ismaili

Isuf Ismaili: Të flasim me një zë, të kemi vetëm një zë, atë të bashkimit

( Përshkrim takimesh e bisedash me arbëreshë në Krujë, në Lezhë dhe në Shkodër)

Në Krujën heroike, atë  ditë të 22 prillit, kishin ardhur stërnipërit dhe stërmbesat e Heroit Tonë Kombëtarë Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Pjesa më madhe e tyre vinin për herë të parë, arbëreshët tanë, vëllezërit dhe motrat tona të një gjaku, të një gjuhe, ata që nuk thyen, nuk u tretën, por qëndruan ballëlartë, duke pasur të shenjtë krenarinë e përbashkësisë sonë arbërore, të cilën e ruajnë të ngrohtë në shpirtin e zemrat e tyre. Në sytë, në fytyrat e tyre të çelura, në shkëlqimin e vështrimeve të tyre, në fjalët dhe në tërësinë e qenieve të tyre lexohej qartë dashuria vëllazërore, dashuria për tokën e të parëve. Nuk  ishte vështirë për të kuptuar vullkanin e emocioneve të fuqishme, të të gjithëve, që në minutat e para kur po i shtrëngonim duart. Vetë veshjet kombëtare, vetë çiltërsia në fytyra fliste shumë. Ka raste kur fjala nuk e ka forcën shprehëse, kur ndjeshmëria njerëzore është e një shkalle të lartë, kur njeriu lidhet pazgjidhshmërisht me damarët e atdheut, me tokën stërgjyshore (të tatë-mëdhenjve pjeq), siç janë të lidhur të gjithë atdhedashësit, të gjithë liridashësit, të gjithë ata që kanë dhembje për çdo gurë, për çdo mal a fushë, për çdo pëllëmbë të atdheut, siç patën dhembje arbëreshët në kohën e Skënderbeut dhe brezat e më pasmë, deri tek arbëreshët e tanishëm, të cilët e pohonin se kanë ardhur në tokën e të parëve, që duan me zjarrin e zemrave të tyre, e që po e prekin për herë. Por, shumë prej tyre nuk kishin folur në publik, megjithëkëtë vetë qenia e tyre fliste, meqë njeriu edhe pa folur shfaq aq shumë dashuri njerëzore e atdhetare sa mund të lexohet qartë kjo ndjeshmëri, kjo dashuri. Njerëzit me dinjitet kanë përkushtim dhe prirje të natyrshme të mbijetojnë në shekuj. E arbëreshët e kanë këtë dinjitet e kanë këtë forcë shpirtërore që shfaqet në organizimet e tyre, në veprimet e tyre, duke ruajtur të shenjtë gjakun e kulluar e traditat e etërve arbëreshë.

Me një grup motrash e vëllezërish arbëreshë bëmë një bashkëbisedim, të cilën po sjellë edhe për lexuesit në ngulimet arbëreshe dhe për lexuesit në trojet shqiptare.

Duke ecur drejtim të kështjellës së Krujës takova këngëtaren e mirënjohur e me një përvojë të gjatë Anna Stratigo, së bashku me dy arbëreshë të rinj. Ajo më thotë se kishte qenë në Prishtinë dhe se kishte kënduar kur ishte Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, më pas më thotë se në Shqipëri kishin ardhur të organizuar edhe nga shoqata: “ Arbëria”. Kur po ecnim nëpërmes tregut të vjetër të Krujës njerëzit shikonin me kureshtje. Veshjet e lashta arbërore ju bënin përshtypje. Kishin ardhur grupe muzikore nga Jugu e Veriu, nga Kosova e nga trojet shqiptare nën ish republikën jugosllave të Maqedonisë, po edhe nga trojet shqiptare nën Malin e Zi, kishte njerëz nga Presheva e vende të tjera shqiptare. Kishte ardhur nga Amerika edhe aktori i madh e atdhetari i flaktë Xhevat Limani edhe aktori tjetër po ashtu atdhedashës Pajazit Murtishi edhe ky nga Amerika. Kjo e tëra kishte krijuar një ambient të Arbërisë së lashtë. Ishte një gëzim i pa përshkruar, që po shfaqej në përgjithësi tek njerëzit. Kjo shfaqej në qëndrimet e tyre, në buzëqeshjet e tyre, në këngët e vallet, në fotografitë dhe filmimet, që bëheshin dhe në gjithë ambientin e hareshëm.

Meqë unë isha i interesuar të intervistoja arbëreshët, Ana më thotë se aty ishte edhe presidentja apo drejtuesja e shoqatës: “Arbëria” dhe ajo quhet Rosa Carabone (Roza Karabone) . Po për shkak të aktiviteteve të shumta intervistën e bëmë në Lezhë dhe në Shkodër. Të nesërmen pra vajtëm në Lezhë dhe aty do të shikonim, se sa madhështore e se sa e rëndësishme ishte vizita që i bëmë qytetit të Lezhës e në veçanti varrit të Skënderbeut. Aty flitej me një çiltërsi të madhe për takimin dhe përkujtimet e festimet për një fitore të madhe të kohës së Skënderbeut.

Të përkujtojmë, se në prill të vitit 1467 Skënderbeu filloi një luftë madhështore e çlirimtare, kundër ushtrisë osmane (turke) që e mbante të rrethuar Krujën. Ushtria otomane u shpartallua dhe komandanti Ballaban Pasha u vra në këtë luftë. Lufta arbërore me Skënderbeun në krye u kurorëzua me fitore të madhe. Kruja tanimë ishte e lirë. Për këtë fitore arbërore dhe për nder të luftëtarëve trima e çlirimtarë, gratë e vajzat arbërore bënë manifestime. Emblemat e këtyre manifestimeve janë vallet. Këto organizime dhe përkujtime bëhen pas festës së pashkëve, tri ditë radhazi dhe bëhen rregullisht e për çdo vit në ngulimet arbëreshe në Itali. Sivjet ato u bënë në Krujë, në Lezhë, në Shkodër, në Shëngjin dhe Durrës. Arbëreshët në ngulimet e tyre, ose siç thoshin ata, në Arbëri atje ku jetojnë në Kalabri e Sicili, shpreheshin me emocione të shumta, duke thënë se kanë gëzim të madh, kanë hare të madhe, që erdhën në tokën e të parëve, në vendin e zanafillës së tyre, e takohen me vëllezërit e motrat e një gjaku e një gjuhe e të zemrës së përbashkët arbërore me dëshirën e bashkimit dhe të të shprehurit me një zë.

(Në foto Ana Stratigo, në mes me kitarë. Krujë, më 22 prill 2017)

Pas përkujtimeve dhe nderimeve te varri i Skënderbeut Ana Stratigo më tha se do të më njihte me presidenten e shoqatës “Arbëria” të Lungros. Nga grupi i vajzave dhe grave që shkëlqenin me rrobat e bukura popullore arbëreshe u shkëputën dy veta, që rrezatonin krenarisht përkatësinë arbëreshe , ballëlarta e të hareshme edhe për arsyen që kishin ardhur në tokën e të parëve, në mes të vëllezërve e motrave shqiptare, për të shfaqur bashkërisht me të tjerët atë shpirtin e qëndresës heroike të arbëreshëve, të cilët edhe pse të shkëputur nga trungu i Arbërisë së lashtë e kishin krijuar një Arbëri shpirtërore në ngulimet e tyre në Itali, në Kalabri e Sicili. Dhe aq  shumë ishin  të këndshme shprehjet e tyre: “Na jemi nga Arbëria” dhe “Punojmë për Arbërinë” sa që preknin çdo fije të shpirtit atdhedashës dhe njëkohësisht të ngjallnin emocione të fuqishme e po aq natyrshëm shfaqej edhe një respekt e dashuri vëllazërore.

“Gjaku ngë bunet ujë”, – thotë një shprehje arbëreshe, që do të thotë: “Gjaku nuk bëhet ujë”, shprehje edhe tek shqiptarët, gjaku nuk humbet, gjaku arbëror na jep shpirt e dritë, na ndriçon mendjen e na forcon afërsinë. Kështu natyrshëm filluan edhe intervistat, filluan pyetjet e mia që ua bëra arbëreshëve

Me arbëreshët, Lezhë, 23.4.2017

 Pranë meje qenë Roza Karabone (italisht Roza Carabone) dhe Saverina Bavaso (italisht Saverina Bavasso)  së bashku me një vëlla tjetër arbëresh. Pranë meje rrinte edhe nipi im Erblini.

Roza e flet arbërishten rrjedhshëm e bukur, por Saveriana e flet edhe shqipen e sotme standarde shumë bukur, meqë edhe e ka studiuar gjuhën shqipe në Kozencë, te profesori arbëresh  Françesko Altimari. Ajo na u gjet e gatshme për të na lehtësuar bashkëbisedimin. Ne natyrshëm e kuptonim edhe të shprehurit në arbërisht edhe pse ndonjë fjalë nuk e kuptonim, prandaj Saverina na lehtësoi edhe komunikimin me arbëreshët të tjerë, por edhe vetë ajo u përgjigj në disa pyetje.

Rosa Carabone

Është nder dhe gëzim i madh të flasim së bashku, – i thashë Rozës, – me vëllezërit e motrat tona arbëreshe, sepse ju keni ruajtur me një dashuri e përkushtim të madh atë gjakun e pastër arbëresh, ç`mund të na thoni diçka më shumë?

    Po është e vërtetë, se ne atje në katundet arbëreshe kemi bërë përpjekje të mëdha me të gjitha mundësitë tona shpirtërore, materiale e shoqërore të ruajmë gjuhën tonë arbëreshe, kulturën, vallet, këngët, veshjet e traditat e mrekullueshme të të parëve tanë dhe ia kemi arritur të jemi kështu origjinal e të vijmë edhe këtu në mesin tuaj në vendin e etërve tanë të dikurshëm dhe kemi shumë gëzim, sepse kjo na ka munguar shumë.

    Ju nga cili katund vini?

    Ne jemi nga Ungra (Lungro it.) në Kalbri.

    Ju  a jeni të organizuar në ndonjë shoqatë, në ndonjë organizatë?

    Ne jemi të organizuar, dhe këtu kemi ardhur pasi kemi bërë një veprimtari organizative për të festuar e për t`u gjendur në mesin tuaj, në mesin e vëllezërve dhe motrave shqiptare.

    Shoqata e juaj si quhet?

    Shoqata jonë quhet: Pro Loco “Arbëria”. Ajo është themeluar në vitin 1995 dhe është rinovuar në vitin 2015. Pjesëtarët e shoqatës mua më kanë zgjedhur drejtuese a presidente e e kësaj shoqate.

    Sa anëtarë ka shoqata “Arbëria” në Ungra ?

    Ne bëhemi rreth 100 pjesëtarë të kësaj shoqate.

    Shoqata e juaj organizon festime dhe përkujtime me karakter atdhetar e shoqëror, ç`mund të na flisni më shumë?

    Ne natyrisht jemi shumë të lidhur shpirtërisht me kulturën arbërore, prandaj bëjmë edhe manifestime të shumta. Bëjmë përpjekje të mëdha të jemi  vetvetja, prandaj ne duam të jemi vetëm pamja jonë, të ruajmë dhe të vazhdojmë ashtu si brezat kaluar arbëreshë kulturën tonë të pastër. Damarët e gjakut tonë janë të lidhur pazgjidhshmërisht me gjuhën arbëreshe, me datat historike arbëreshe me përkujtime dhe ne të gjitha këto i bëjmë me një dashuri të madhe edhe për Arbërinë edhe për Heroin Tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, por edhe me ju këtej, sepse edhe ju jeni gjaku ynë. Prandaj festat e përkujtimet tona lidhen me shpirtin e arbrit, që rron e nuk shuhet. Ne mblidhemi disa herë gjatë vitit për të festuar. Manifestime bëhen në shkurt e në gusht. Protogonistesti i këtyre manifestimeve është Skënderbeu. Këngët arbëreshe janë të vjetra, por të ruajtura me pastërtinë e shpirtrave tanë, prandaj edhe i këndojmë me pasion e dashuri të madhe. Ne krahas këngëve arbëreshe i këndojmë edhe disa këngë shqiptare, po me aq pasion dhe natyrisht me këtë duam të dëshmojmë lidhjet e fuqishme vëllazërore me ju shqiptarët.

    Ju a keni shkolla ku fëmijët arbëreshë mund të mësojnë në arbërisht?

    Fatkeqësisht ne nuk kemi shkolla ku mund të mësohet në arbërishten tonë.

Në pyetjen që ia bëra Rozës, se si është organizuar shoqata e tyre, unë do të bëj përpjekje sa më me vërtetësi të shkruaj fjalët e saj në arbërisht.

    Prolocu inë ka dy vjet. Jemi njëqind vetë që shërbemi te katundi. Na jemi drejtues shtatë vetë. U jam presidentja, Saverina sekretarja. Anembanë vitit bëmi manifestime, kemi prezantime historike për Skënderbeun, bëmi të ngrënit arbëresh në gusht. Këndojmë kalimeret për pashkë, bëjmi edhe kreshmit (Krishtlindjet) dhe merret një pemë e digjet në zjarr. Bëjmi javën e madhe të shenjtë, mblidhemi gjithë katundi.

Meqë Saverina e zotëron gjuhën standarde shqipe për mrekulli, nuk patëm vështirësi fare të komunikonim me arbëreshët edhe pse siç shihet edhe më sipër ne kuptohemi, por Saverina natyrisht na ndihmoi shumë, prandaj duke qenë, se shprehet natyrshëm dhe është e pajisur me njohuri të shumta ia drejtova disa pyetje

    Ju jeni stërnipërit dhe stërmbesat e arbëreshëve të vjetër ashtu si edhe ne këtu dhe ne jemi shumë të gëzuar, që ju kemi në mesin tonë, njëkohësisht neve na lini përshtypje të jashtëzakonshme, duke ju parë me këto veshje kombëtare të mrekullueshme, duke ju dëgjuar tek e flisni gjuhën vjetër arbërore, ju lutem si keni arritur të keni një vazhdimësi arbëreshe deri në ditët e kohës sonë?

  Edhe ne kemi një gëzim të madh që erdhëm në Shqipëri. Unë besoj se kemi pasur dy a tre veçori, të cilat na dhanë mundësi të vazhdojmë të flasim arbërisht dhe të kemi traditat tona. Njëra  veçanti është pozicioni ku jemi vendosur, territori që është nëpër male. Një veçanti tjetër është se katundet arbëreshe janë afër njëri me tjetrin dhe gjithashtu larg katundeve italiane. Kjo na ndihmoi t`i ruajmë traditat tona , të flasim gjuhën tonë dhe të ruajmë kulturën tonë. Pastaj priftërinjtë edhe sot e kësaj dite flasin arbërisht dhe mbajnë meshën në gjuhën tonë, sipas riteve ortodokse.

Saverina Bavasso

  Ju keni ardhur për herë të parë në Shqipëri, si ndjeheni në mes vëllezërve e motrave tuaja këtu në Shqipëri?

Domosdo, patjetër ne ngjajmë edhe mënyra e të priturit edhe të folurit me përzemërsi edhe kuptimi gjuhësor edhe respekti edhe mënyra si çelemi, themi ne andej, tregojnë për identitetin tonë të përbashkët  dhe patjetër jemi vëllezër e motra me shqiptarët.

    Gjergj Kastrioti- Skënderbeu si për juve edhe për neve është Krye-heroi ynë kombëtar dhe kështjella e tij në Krujë ka qenë madhështore, si u ndjetë kur e vizituat muzeun , kështjellën e tij në Krujë dhe varrin e tij në Lezhë?

    Po janë emocione të forta dhe kemi shumë gëzim, që na u dha rasti për t`i parë këto vende historike, të shenjta, janë vende që na mungojnë, janë histori që i kemi ruajtur, por që këtu tani në vendin e të parëve, u takuam dhe po sjellim në vëmendje e po festojmë së bashku, sigurisht kjo është shumë e rëndësishme, shumë e madhe. Këto janë shenja shumë të mira, janë shenja historike, janë gjurmët e porositë e Skënderbeut.

    Roza më tha pak më përpara, se ju nuk keni shkolla ku mund të mësohet në arbërisht, në mungesë të këtyre shkollave ju sigurisht gjuhën e mëmës- arbërishten e flisni në shtëpi e në vende të tjera.

    Po sigurisht po, ne arbërisht flasim brez pas brezi, flasim pra edhe sot në familjet tona, në shtëpitë tona, kështu nga etërit tanë  e deri te fëmijët kemi një vazhdimësi të pasur gjuhësore e kulturore arbëreshe.

    A keni organizata apo institucione për kulturën dhe gjuhen arbëreshe?

    Po, po kemi. Shoqatat dhe organizatat tona janë aktive për t’i ruajtur vlerat tona arbëreshe. Shoqata jonë “Pro loko “Rroftë Arbëria” do të dijë t`i ruajë vlerat tona, do t`i mbajë vlerat kulturore dhe historike tona. Edhe në katunde tjera ka shoqata të tilla. Shoqatat natyrisht kanë rol te rëndësishëm në jetën tonë, sepse përmes tyre nxitet që të ruhet edhe më tej kultura dhe gjuha jonë.

    Si jeni të organizuar dhe a organizoheni bashkë në katunde të tjera?

    Atë që ne e bëjmë nga ana administruese, bashkitë ose komunat bashkohen me projekte në festa dhe vetvetiu bashkohen arbëreshët për të kënduar, vallëzuar dhe festuar. Kështu ne kemi një pasuri të madhe folklorike dhe ne mblidhemi për të ruajtur kulturën dhe gjuhen dhe kështu veprojmë për Arbërinë.

    Kur ju i bëni festat në çfarë kohe?

    Varet nga katundi në katund. Për shembull ne në Ungra i bëjmë festat në shkurt dhe në verë, në fshatrat tjera për një maj, në disa të tjera për pashkët etj. Festat lidhen me rëndësinë që kanë datat në katund. Për gëzimin dhe për rëndësinë e festës vijnë edhe arbëreshë nga katunde të tjera, por edhe ne shkojmë kur ata kanë festa.

    Në Ungro fjala vjen a keni ju institute siç ka për shembull në Frasnita muze etnografik?

    Jo, jo, por ne kemi institute për historinë tonë.

    A mund të kemi edhe më tej vazhdimësi të sigurt arbërore?

    Po kjo varet edhe nga katundet, sa shumë janë të lidhura me kulturën, gjuhën dhe festat arbëreshe. Për derisa ne flasim në familje dhe jashtë saj gjuhën arbëreshe, nuk ka asnjë rrezik se do të shuhemi, por në ato katunde ku zbehet për çdo ditë gjuha dhe kultura arbërore patjetër që ka rrezik.

    Ku janë të shtrira fshatrat arbëreshe?

    Janë pesëdhjetë katunde të shtrira më së shumti rreth Kozencës, po ka edhe në Sicili,në Molizë  dhe në Pulia.

    Arbëreshët janë katolikë apo ortodoksë?

    S’jemi ortodoksë por jemi katolikë, por me ritin ortodoks.

    Priftërinjtë janë arbëreshë apo të huaj?

    Më të shumtit janë arbëreshë.

    Në mungesë të shkollave  ka mundësi që fëmijët arbëreshë të mësojnë arbërishten në kishë?

    Po ka mundësi të mësohet arbërishtja kur ka ndonjë projekt, por jo gjuha standarde shqipe, ajo mund të mësohet në universitet.

    Po ju a keni pasur vështirësi për të mësuar gjuhën standarde shqipe?

    Jo jo absolutisht jo.

Dikush më tha se kishte arbëreshë që kishin ardhur nga Brazili. Po e kërkoja ndonjë prej tyre. Se kush qe ai që  më njohu me një arbëresh që quhet Augusto Vicchio, nuk e di, por atij ju afrova e përshëndeta dhe i thashë se kisha dëshirë të bashkëbisedonim, ai pranoi me kënaqësi, prandaj ia bëra disa pyetje.

 

Ju jeni arbëresh që keni ardhur nga Brazili?

Saverina u gjend pranë nesh me një arbëresh më të moshuar që njihnin arbërishten dhe shqipen standarde në një nivel më të lartë, ndaj na ndihmuan për të pasur më të lehtë bashkëbisedimin me Auguston.

    Unë kam qenë në Brazil së bashku me prindërit e mi, por në moshën tre vjeçare më kanë prurë ca arbëreshë të tjerë në Kalabri, meqë prindërit atë kohë m`i vranë ca banditë të atjeshëm. Po unë e di se në Brazil janë rreth njëzet katunde, të cilat janë të populluara me puro arbëreshë. Ata kanë vetëm një fjalë dhe thonë: “Na jemi gjaku shprishtë, gjaku arbëresh.”

    Po ti di gjë, se a janë të organizuar arbëreshët, a kanë shoqata?

    Unë nuk e di, por unë kam tridhjetë vjet që jetoj në Kalabri. Unë kam gëzim të madh që kam ardhur këtu dhe them se kur jemi unik me ju të tërë bashkërisht, jemi shumë të  fortë.

Natyrshëm më vijnë në mendje disa fjali të shkëlqyera të profesorit dialektolog Gjovalin Shkurtaj tek libri i tij: “Shpirti i arbrit rron” të botuar në Tiranë, në vitin 1984. Ai ndër të tjera shkruan: “ … njohja dhe studimi i këtyre ngulimeve ka rëndësi jo vetëm sepse ata kanë zanafillën nga Shqipëria, por edhe për arsyen se arbëreshët, në disa epoka historike, ashtu si edhe sot qëndruan me mendje e me zemër pranë nesh”

Ata gëzojnë kurdoherë kur gjenden pranë nesh, ashtu siç gëzojmë edhe ne dhe janë krenarë e jemi krenarë, se në damarët tanë qarkullon gjaku i përbashkët arbëror dhe dashuria vëllazërore.

Ata na thonë: “- Të flasim me një zë, të kemi vetëm një zë, atë të bashkimit”, “- Kur popujt të tjerë bashkojnë shtete, ne të bëjmë, patjetër, ura të bashkimit vëllazëror.”

Shkodër, 23. 4. 2017

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …