Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Dinjitet, drejtësi e dashuri ndryshe për kombin, atdheun e shtetin

Kur njeriu analizon mirë historinë shumëshekullore të popullit shqiptar, nga pellazget, te iliret e pastaj të albanët, epirotet e maqedonasit e vjetër deri të emri i sotshëm shqiptar, s’ka si mos të të bëjë për vete ky rrugëtim i gjatë e i vështirë i këtij populli. Mënyra sesi ky popull i lashtë u mbijetoi shekujve është më shumë se mbresëlënëse. E ky popull i lashtë erdhi deri këtu, duke iu falënderuar kujtesës se bartur nga brezi në brez, mbamendjes fantastike, trashëgimisë kulturore e filozofike të ngjeshur e të thuktë, me porosi goditëse e shprehje të thjeshta e shumë domethënëse, me lidhjet të forta familjare, fisnore, gjuhësore e kombëtare. Veti këto që i mundësuan popull shqiptar t’ju mbijetoi të gjitha rrebesheve dhe errësirave të historisë dhe kjo është një mrekulli tjetër në vete! Unë i përulem kësaj dhuntie të mrekullueshme të stërgjyshërve të mi! I përkulem edhe gjeneratës se Adem Demaçit dhe asaj të Adem Legjendarit, që kombit ia kthyen një të tretën e Tokës se grabitur! Më shumë se kaq ky brez nuk mund të bënte! Brezat e se ardhmes, mbase edhe mund të bëjnë!

Ndërsa ajo që më bënë shpesh të hezitoj t’i përkulem këtij populli fantastik qe dikur ishte besnik, është: mungesa e madhe e dashurisë “emocionale për shtetin”, të cilën gjë, para gati 160 viteve e kishte vërejtur shkencëtari gjerman Flamerajeri. Kjo mungesë e dashurisë emocionale për shtetin është tepër e fuqishme edhe sot, në secilin komunitet të organizuar të shoqërisë shqiptare (atyre që krijojnë opinion), edhe në komunitetin e intelektualëve, mbase edhe të secili qytetar si në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni Perëndimore. Madje kjo sëmundje e ka përfshirë edhe pjesën e Lëvizjes Kombëtare të Fshehtë për Çlirim, të cilës për një kohë të vështirë të veprimit të saj nuk mund t’i mohohet atdhedashuria dhe gatishmëria për të sakrifikuar për komb e shtet!

Pse hezitoj nganjëherë t’i përkulem?

Më bënë të hezitoj vetëm pushtimi i gjatë, madje tepër i gjatë dhe ky pushtim i gjatë e bëri popullin tim që mos ta dojë shtetin, por e deshi shumë vendin e vet – Atdheun – Shqipërinë; e deshi shumë gjuhën e Nënës – gjuhën Shqipe; e deshi shumë familjen e vet, pasardhësit e vetë, kulturën e filozofinë e vetë, të gjitha këto  të shkruara në koka e kokat ia përcillnin kokave të brezave dhe kjo është shtylla, mbase kryeshtylla që i bëri dhe e ruajti të veçantë popullin tim, nga u bë Kombi shqiptar, si të gjithë kombet tjera të Evropës, të cilët kombe e patën një rrugëtim më të lehtë se rrugëtimi i popullit tim!

Ata që e kishin më të lehtë  rrugëtimin nëpër histori duhet të na kuptojnë ne, që humbëm copa të mëdha të Atdheut, humbëm pjesë të mëdha të kombit, të cilët u detyruan të iknin në rrugët e Lindjes (Turqi, Siri, Liban e Misir etj.), e tani edhe në rrugë të Perëndimit e deri në Zelandë të Re e Australi. Ishte dhe është kështu se nëpër vite kishim pak njerëz me integritet, dinjitet e vizion të qartë për shtetin, zhvillimin e progresin! Gjatë historisë shumëshekullore, patëm edhe vitet që investuam shumë për shtetin, por atë dashuri e mbyti lakmia për pasurim personal e varfërim kombëtar. Kështu pat ndodhur pas 28 Nëntorit 1912, e kështu po ndodh edhe pas 17 Shkurtit 2017!

Tani jemi këtu ku jemi dhe jemi keq, e në ketë gjendje krejt çështja është: si të kalohet kjo gjendje, në ketë situatë më shumë se kaotike e më gjasa me mundësi të vogla zgjidhjeje fatlume. Zgjidhje fatlume sigurisht që ka, por jo me ketë shkallë të lartë të egoizmit e të lakmisë që ka mbërthyer të gjitha komunitetet e organizimit shoqëror të shqiptarët?!

Ka gjasa të vogla zgjidhjeje, pasi veç politikës qeverisëse të dështuar edhe të gjitha komunitetet që e krijojnë opinionin publik, nuk ngurrojnë që t’ i linçojnë të gjithë ata që guxojnë ta duan atdheun e vet e të bien ndesh me sundimtaret e Kosovës dhe ekzaltohen kur ndonjë i huaj i “lavdëron” apo u thur ditirambe po këtyre  sundimtarëve, që ne i njohim si “parën e kuqe”!

E pastaj eja e bëjë politikë të mençur në ketë vend ku mashtrimi është bërë kulturë dhe merimangë helmuese për çdo ndryshim?! Në ketë ambient është vështirë të besh politikë atdhetare,  racionale e largpamëse. Aty ku sundimtarëve u bëhet temena, sa herë që atyre u vije ndonjë mbështetje nga jashtë për të bërë ndonjë lëshim të “vogël” në territor a në sovranitet, është lehtë të qeverisës keq?! Edhe ato mbështetje që vijnë nga jashtë janë si ato të pleqnarëve tanë që nga pak ia mbanin hatrin më të fortit?! Ndryshe nuk flinte puna! Edhe para Pavarësisë e sidomos pas saj, bota demokratike i ka bërë favore të mëdha Serbisë në raport me Kosovën dhe në dëm të saj. Shembulli më i mirë, ndonëse jo i vetmi është Gjykata Speciale?!

Prandaj i përkulem popullit atdhedashës, por jo atyre që janë temenabërës karshi më të fortit! Temenatë vazhdoj që t’i kam zët edhe sot e gjithë ditën! Një gjë mbetet më se e sigurt, pas globalizmit të dështuar në qellim, duhet një dinjitet, dashuri, drejtësi e dije ndryshe për Atdheun, Kombin e Shtetin. Sidomos kjo vlen për kombet e vegjël e shtetet e reja! Të gjithë duhet ta dimë: Bota nuk sillet rreth nesh, pasi pak kujt në ketë botë gjaknxehtë i prishim pazare! Po kështu siç jemi tani, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni Perëndimore, pazare nuk i prishim askujt! Prandaj elitat tona politike e intelektuale (nëse mund t’i quajmë elita), duhet të ulen në Tokë për ta parë gjendjen ku jemi dhe ku synojmë të arrijmë! Kështu si kemi ecur në këto vitet e “tranzicionit demokratik”, nuk do të ketë  progres as për kombin e as për shtetin! E Progresi na duhet si buka e uji për jetën!

Jakup Krasniqi: Dialog po, por si bisedime në mes të barabartëve

Fjala dialog në fjalorin e gjuhës se sotme shqipe shpjegohet si “bashkëbisedim; rrahje e një çështje nga dy e më shumë veta”. Bashkëbisedimi ka kuptim kur zhvillohet në mes njerëzve, në rastin tonë, në mes delegacioneve shtetërore duhej të ishin krejt të barabartë. Nisur nga kjo duhet të themi se edhe dialogu Kosovë – Serbi, pas shpalljes se pavarësisë më 17 shkurt 2017 do të kishte kuptim vetëm nëse ky dialog do të ishte në mes shteteve të barabarta. Bisedimet që janë zhvilluar me ndërmjetësimin e Brukselit në mes të qeveritarëve të Kosovës e të Serbisë kanë qenë më shumë se të pabarabarta. Dhe si të tilla janë të predispozuara të mos prodhojnë normalizim të marrëdhënieve, Kosovë-Serbi, përkundrazi do të jenë kërcënim i përhershëm për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë! Për tu arritur normalizimi i raporteve në mes dy vendeve, Kosovë – Serbi dhe ngritur shkalla e sigurisë në rajon, këto bashkëbisedime duhet të riformatizohen, si në formë ashtu edhe në përmbajtje!

“Dialog”, “bashkëbisedimi” të përafërt si ky i Brukselit në mes shqiptarëve e serbëve ka pasur edhe deri në vitin 1998, por ai dialog ishte sa mes palëve të pabarabarta, po aq edhe në mes të shurdhëve, natyrisht e shurdhër ishte politika zyrtare e Beogradit, e cila me çdo kusht kërkonte nënshtrimin e shqiptarëve edhe përmes luftës e mjeteve të gjenocidit që ajo i përdori pa i kursyer. Ato mjete të pastrimit etnik e të gjenocidit e sollën edhe ndërhyrjen humanitare ndërkombëtare të NATO-së kundër Serbisë. Në mes shqiptarëve dhe serbëve kishte edhe bisedime me ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare siç ishin: Bisedimet në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën (1999), Bisedimeve të Vjenës (2006 – 2007), të udhëhequra nga emisari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti i Finlandës, Matti Ahtisari dhe tani Bisedimet me ndërmjetësimin e Brukselit (2012 – 2017).

Si në Bisedimet e Rambujesë e po ashtu edhe ato të Vjenës, në të dy rastet është përfunduar me Dokumente të Finalizuar Ndërkombëtare, por në asnjërin rast pala serbe nuk i ka pranuar rezultatet e bisedimeve. Ndërsa pala e Kosovës në të dy rastet, për të mundësuar zgjidhje politike, ka pas bërë kompromise të dhimbshme. Pra, asnjëri nga Dokumentet e Finalizuara nuk kanë qenë, vullnet i imponuar i shqiptarëve, por kanë qenë marrëveshje tw arritura në mes tri palëve. Nëse pala shqiptare, Delegacioni i Kosovës në Bisedimet me ndërmjetësimin e Brukselit shkon përtej Dokumentit Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen Përfundimtare të Statusit Politik të Kosovës, të njohur si Dokumenti i Presidentit Ahtisarit, ajo rrezikon pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit. Ndërsa, Bisedimet e deri tashme të zhvilluara në Bruksel janë komprometim i skajshëm pasi ato kanë shkuar në çdo “marrëveshje” të arritur mes palëve, përtej asaj që është biseduar dhe përfunduar në Vjenë! Pra, edhe Bisedimet që janë duke u zhvilluar në Bruksel, edhe kështu si janë, askush nuk mund të garantoj se pala serbe do të pranoi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe normalizim i marrëdhënieve do të thotë: njohje e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës dhe mos pengimi i saj në rrugën e shtetndërtimit. Gjë që në çdo rast zyrtarët më të lartë të shtetit serb e kanë refuzuar forcërisht dhe po kërcënojnë vazhdimisht edhe me fuqinë ushtarake!

Fakti se Kosova në këto bisedime është futur e pabarabartë me Serbinë duke e pranuar Kosovën me fusnotë, pra jo si vend sovran, është favorizuar skajshmërisht Serbia. Kjo pabarazi ka krijuar e ushqyer iluzione për Serbinë, që kjo e fundit të pretendoi sovranitet të dyfishtë ose se paku për shkëputje të një pjese territoriale të Kosovës apo edhe krijimin e një “ Republike Serbska” në Kosovë, diçka të ngjashme siç është, Republika Serbe e Bosnjës dhe Hercegovinës. Edhe pse pakica serbe e cila përbën 5% nga numri i përgjithshëm i popullsisë se Kosovës, është pakica më e privilegjuar në rajon dhe në Evropë?! Shkurt, Serbia nuk është e interesuar për jetësimin e të drejtave për qytetarët serbë në Kosovë, përkundrazi, ajo serbët e Kosovës po i përdor si “mish për top”!

Në një situatë të tillë shtrohet pyetja: Pse mos te riformatizohet Dialogu Kosovë – Serbi? Dialogu Kosovë – Serbi apo Serbi – Kosovë sido që të quhet, nëse nuk zhvillohet mes palëve të barabarta duhet të ndërpritet për t’u krijuar një bazë tjetër të bisedimeve për të arritur normalizimin, paqen e sigurinë në mes dy vendeve e dy kombeve. Vetëm bisedimet në mes palëve të barabarta janë garanci për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, bisedimet e barabarta duhet të rifillojnë gjithsesi, por ne një format tjetër të bisedimeve! Të gjithë jemi dëshmitarë se raportet ndërshtetërore, Serbi-Kosovë në fundvitin e kaluar e fillimvitin e sivjem, kanë prodhuar kërcënime të reja për konflikte të reja! Kjo gjendje nuk i nderon as palët në bisedime e as ndërmjetësuesin, Brukselin zyrtar. Nuk ka asnjë dyshim, se të gjitha kërcënimet kanë ardhur nga krerët më të lartë shtetit të Serbisë!

Në Bisedimet e Brukselit, Serbia në vend që të dilte e turpëruar dhe fajtore për gjenocidin e ushtruar në Kosovë më shumë se një herë, në fakt me krijimin e Gjykatës Speciale, faji i madhe i ka kaluar Kosovës se dërrmuar në çdo aspekt, politik, moral e material?! Në fakt me gjykatën Speciale, viktima do të ndëshkohet për të dytën a të shumtën herë! Nga këto bisedime, pala e Kosovës që mori pjesë atje, kanë dalë si “pula të lagura”.

Po, bisedimet Kosovë – Serbi janë të domosdoshme, por, veç asaj qe u tha, subjektet politike në Kosovë sa më parë duhet ta arrijnë një konsensus nacional, një konsensus i tillë në këto bisedime deri më tani ka munguar. Prandaj para se të fillojnë bisedimet në një format të ri që është domosdoshmëri që të mbahen zgjedhjet e reja në Kosovë. Serbia posa i përfundoj zgjedhjet për President, pse mos t’i mbajë edhe Kosova zgjedhjet e parakohshme kur në shumë fusha ka dështuar skajshmërisht.

P.S.

Ketë shkrim në formë të një analize e shkrova enkas për dy arsye. E para, për mbledhjen e paralajmëruar te dy qeverive shqiptare që pritet të mbahet në ditët në vazhdim, që  t’ju shërbejë atyre si një këshillë miqësore a përkujtim, kuptohet nëse ata kanë nevojë për këshilla që bazohen në përvojën politike të bisedimeve shqiptaro – serbe. Dhe e dyta, le t’ju shërbej delegacioneve të larta të BE-së e të SHBA-së që do jenë këto ditë në Kosovë, si një mendim ndryshe nga njeriu që në dy dekadat e fundit ka qenë pjesë aktive në politikën zyrtare të Kosovës në bisedimet me palën serbe, përveç Bisedimeve politike të Brukselit, të cilat nuk është dashur të zhvillohen, se paku jo në ketë format. Natyrisht, nëse ka kush ua përkthen këtyre të fundit në gjuhet e tyre!

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …