Jakup Krasniqi: Dëmin që “insajderi” ia shkakton buxhetit të Kosovës dhe PTK-së nuk ia shkakton gjithë “fisi” im

Jakup Krasniqi: Duhet ta përfaqësoni Shtetin e jo partitë politike të cilave ju përkisni!

Duke vëzhguar një kohë të gjatë, si pjesëmarrës aktiv e pasiv në politikën kombëtare dhe në përfaqësimet e shumta jashtë vendit edhe aty ku janë marrë vendime të rëndësishme për kombin e shtetin, në asnjë rast nuk kam bërë përpjekjen as më të voglën për të përfaqësuar grupimin politik të cilit  i kam takuar, por, gjithnjë kam mbrojtur interesin e kombit e të vendit që i takoja. Përfaqësuesit e zgjedhur apo të emëruar kudo duhet t’i përfaqësojnë interesat e vendit për çka edhe e kanë marrë besimin qytetarë.

Ka kohë që zhvillimet politike brenda përbrenda partive të ashtuquajtura politike në Kosovë po e konfirmojnë fuqishëm se demokracia pluraliste ka mbetur në labirintet e viteve të 90-ta dhe për 19 vjetet e lirisë nuk kanë bërë ndonjë progres veç përkeqësimit dhe të krijimit të partive të shefave apo të atyre familjare. Kështu nuk zhvillohet demokracia, nuk zhvillohet vendi dhe asnjë segment tjetër vital i shtetit! Kështu nuk ndërtohet shteti i se drejtës e as shteti i drejtësisë sociale. Kombi e shteti, kanë nevojê për një përfaqësim më të denjë, kudo ku përfaqësohet shteti. Përkundër kësaj shumë përfaqësues politik e të grupeve tjera shoqërore (SHC) po kërkojnë ngritje karriere në dëm të shtetit e qytetarëve që i përfaqësojnë dhe kështu po e dëmtojnë shtetin e ri e të pa konsoliduar të Kosovës. A e dinë ata njerëz, burra e gra qofshin, se ato prezantime që po i bëjnë në vend e jashtë tij nuk e nderojnë askënd dhe as veten e tyre?! Sidomos jashtë vendit  as deputetet e as qeveritarët e ndryshëm nuk i përfaqësojnë partitë politike, por kombin e shtetin! Kujdes, paraja publike po ju dërgon në Bruksel e Strasburg etj., për t’i përfaqësuar denjësisht shtetin e kombin. Këto ditë, në Strasburg patëm një përfaqësim me dinjitet nga deputeti i Nismës, Bilall Sherifi, por ai mbeti një zë i vetmuar! Por, gjithsesi një zë plotë dinjitet! Përfaqësimi i vendit duhet të behet vetëm me një zë të unifikuar.

Kjo do të thotë se në Kosovë nuk ka parti ideologjike progresiste, që drejtohen nga lider që synim parësor kanë politikën nacionale me parime politike, që qëllim kanë mirëqenien publike të shumicës qytetare. Parimet politike e programore, politikat ideologjike dhe reflektimi i atyre politikave në jetën e qytetarëve duhet të jenë qëllim parësor i politikë-bërësve përfaqësues. Vetëm mbi bazën e këtyre politikave transparente, qytetarët duhet t’ua japin besimin e tyre përfaqësuesve të zgjedhur.

Qëllimet egoiste ngado që vijnë ato, nga lartë apo poshtë, nga drejtuesit apo votuesit, nuk kanë shansin as më të voglin të sjellin zhvillim ekonomik e progres shoqëror. Dhe kështu, ndryshimet pozitive nuk mund të shihen as në horizont. Jo zgjidhjet e problemeve individuale (qofshin edhe ato të punësimit), por, politikat e mira qeverisëse, qytetarëve ju krijojnë perspektiva afatgjata për zhvillim, punësim e mirëqenie.

Gjithë historia jonë e lirisë dhe e pavarësisë (1999 – 2018) se deri tashme po e konfirmon ketë!

Të gjithë duhet që ta dimë se pa u shkëputur njëherë e mirë nga politikat që na sollën këtu ku jemi dhe jemi keq, zhvillimi e progresi mbeten vetëm dëshira të mira! Dëshirat e mbetura vetëm në fjalë, nuk i zgjidhin problemet e mëdha të grumbulluara nder vite! Apo, është duke na u përsëritur ajo që thotë Jens Reuter për feudalet shqiptarë të shekullit XIV , “që ishin në luftëra të vazhdueshme me njëri-tjetrin, ndiqnin vetëm e vetëm qëllimet e tyre të ngushta egoiste dhe nuk e ndienin  veten aspak të detyruar ndaj interesit “shqiptar” të përgjithshëm”. ( Jens Reuter: “Shqiptarët në Jugosllavi”, Botimpex, Tiranë 2003, f 14) Atëherë ato politika, thotë autori, me ftesën e feudalëve që pranuan vasalitetin osman, sollën Perandorinë Osmane në Shqipëri. (Po aty) Ishin politikat e feudalëve shqiptar të pas Pavarësisë (1912) (Toptani, Zogolli e kompani), që për pushtetin e tyre personal, ndihmuan dhe pranuan copëtimin e Shqipërisë që ia bëri Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913).

Histori të tilla të dhimbshme shpesh po na përsëriten! A kemi vullnet dhe kapacitet që t’i sjellim ndryshimet që na duhen? Kështu si po veprojmë, kapacitetet e ndryshimit nuk ndërtohen! Shumëçka duhet ndryshuar në jetën tonë politike!

Kontrolloni gjithashtu

Agim Musliu dhe Gurakuç Kuçi: SKENARËT PAS BANJSKËS DHE LUFTA HIBRIDE RUSO-SERBE NË KOSOVË

Në përvjetorin e sulmit në Banjskë, qëllimet e këtij akti të dhunshëm rifreskohen me një …