Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Gara politike për të marrë përgjegjësi publike, për të qeverisur vendin, duhet të jetë e ndershme

Në demokracinë parlamentare, gara politike zhvillohet mbi baza programore e ideologjike dhe është krejt e natyrshme. Lufta më argumente pozitive, dyshuese e negative qoftë edhe atëherë kur bëhet vetëm për anët e dobëta të kundërshtarit në kufijtë e të lejueshmes edhe mund të kuptohet, pasi në secilën garë ka shtyrje e ndërskamca, por nuk është i lejueshëm degradimi pa pardon i individit, apo edhe i një pjese të madhe a të vogël të kombit, siç po ndodh goxha shpesh në hapësirën tonë kombëtare.

Gara politike për të marrë përgjegjësi publike, për të qeverisur për kombin e vendin, vërtetë duhet të jetë një garë e ndershme, ku duhet të fitoj ai i cili merr besimin e popullit (qytetarëve). Ndonëse kjo shpesh nuk donë të thotë, se në ketë garë fiton më i miri, më i meritueshmi,  më i dijshmi, shpesh fitoren e arrin ai që fiton besimin e shumicës qytetare.

Natyrisht edhe shpesh nuk fiton ai që është më i duhuri. Në gara të tilla, jo rrallë fiton edhe ai që arrin të mashtrojë më shumë, por, ky është sistemi demokratik, i cili nuk është sistem i përsosuri, por më të mirë nuk ka krijuar shoqëria njerëzore, thoshte V. Çerçili. Të gjithë pajtohemi se sistem të përsosur nuk ka, por deri më sot nuk kemi parë as parti e individ të përsosur. Nisur nga kjo që u tha, askush dhe asnjëherë nuk duhet të pretendojnë të shfaqen si parti a individë të përkryer, pasi edhe në rrafsh botëror nuk kemi apo nuk kemi parë diçka të tillë, mbase edhe nuk kemi për të parë! Ketë nuk e shohim shpesh edhe në vendet me demokraci të konsoliduar, por ama në ato vende në çdo rast sundon ligji e jo Maliqi!

Neve, në ketë vit e patëm rastin të shohim dy raste zgjedhjeje në dy vende (shtete) që më të drejtë konsiderohen si vendet amë të demokracisë botërore, në SHBA dhe në Francë, por askush nuk mund të thotë se atje kishte zgjedhje të përkryera! Por ishin zgjedhje demokratike të lira e të pa manipuluara. Zgjedhje të përkryera në Tokën tonë vështirë se ekzistojnë, ketë nuk mund ta pretendojmë as në zgjedhjet tona të 11 qershorit 2017! Të cilat gjithsesi duhet të jenë të lira, të drejta e demokratike. Por, gjithnjë duhet të synojmë zgjedhje që premtojnë se paku fillimin e zgjidhjeve që i duhen vendit e qytetarëve tanë. Prandaj le të janë këto zgjedhje një garë të ndershme, ku vërtetë secili kundërshtar politik, në rend të parë  i shfaq përparësitë e përkushtimet e veta e në anën tjetër le t’i shfaqin të metat dhe dobësitë e kundërshtarit dhe kjo të bëhet jo me gjuhë armiqësore, por me një gjuhë të kulturuar, e argumentuese të vlerave apo të dobësive të gjithsecilit.

Shkurtë, në fund të fundit gara le të jetë ashtu siç thotë poeti Koçi Petriti: “Buzëqeshjen tjetrit ia çmoj për buzëqeshje, nëse e njeh si fitoren e humbjen në ndeshje”. Kushdo që përpiqet ta denigrojë  tjetrin deri në absurditet, duhet ta dinë se e denigruar është kultura dhe edukata e tij, pra i denigruar është vet ai!

Gara zgjedhore le të jetë pa pardon, por në kufijtë e njerëzores se lejueshme sa herë që qëllim parësor është qeverisja e mirë për vendin e kombin! Gjithnjë duke pasur parasysh se jemi pjesë e një kombi me vlera e vese të përbashkëta! Populli ynë për debatin, rrahjen e mendimeve e të ideve e ka një urti e cila thotë: “Me shpata le të gjuhemi, me lugje le të duhemi”! ( Me fjalë të gjuhemi e më zemra të duhemi). Ketë urti popullore e ka hasur dhe e ka përcjellë deri tek ne, mbledhësi i trashëgimisë kulturore të debatit nder shqiptarët, tregimtari ynë popullor, Anton Çeta.

Kjo ishte kultura dhe edukata shqiptare që e kemi të trashëguar ndër breza! Është mirë që ta nxjerrim mësimin e duhur nga kjo trashëgimi e artë edhe në ditët tona!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …