J. Krasniqi

Jakup Krasniqi: Pse kaq shumë urrejtje patologjike të disa qarqeve për shqiptarët e Shqipërisë?

“Nuk ka person që jeta e tij nuk ka nevojë të zhvillohet në sistemin simbolik koherent”   (Mary Douglas «Simbolet e natyrës)

 

Nuk kam për qellim të bëhem avokat i askujt, por nuk mund të pajtohem me deformimet që shfaqën në shoqërinë tonë. Për faktin se nuk po mund t’i kuptoj, pse disa anëtarë të LVV-së nga Shqipëria (Tirana) po i quajnë “Komisarë”?! Me çka dhe pse  po i dallojnë nga anëtaret e tjerë të VV-së nga Kosova! Pse kjo ndarje? A mos është kjo një “patologji sociale”, si pasojë e ndarjes dhe e tranzicionit të gjatë?

Nëse LVV-ja ka Komisarë, pse këta të Kosovës nuk qenkan të tillë? Prej nga kjo tendencë për t’i dalluar, shqiptarët e Shqipërisë, me një theksim të veçantë  ata të Tiranës, nga këta të Prishtinës? Mos është çështje e inferioritetit

Unë nuk vërej ndonjë dallim me bashkëkombësit e mi nga Tirana, flasim një gjuhë, kemi një kulturë, kemi të njëjtat tradita, kemi një komb e atdhe, pse dikush sheh dallime në mes komisarëve nga Tirana e komisarëve nga Prishtina. Apo, mos ata te Tiranës janë më qytetarë? Ndoshta mëkati i tyre është qytetaria. Edhe kontributi i kësaj pjese të kombit është në atë qytetari.

Vërtetë, do të isha kureshtar që të dija, ku është dallimi, mes anëtarëve të kësaj Lëvizje që janë nga Kosova dhe atyre nga metropoli i vetëm shqiptar, Tirana? Ne, shqiptarët e partive të tjera kur jemi nga Kosova a nga Shqipëria a kemi dallime? Si të dallohemi edhe ne? Kur e them ketë, nuk e mohoj faktin se edhe në Tiranë nuk zihen çorba të tilla të liga.

Madje në mediet tona, shpesh flitet për “marksistë-leninistët” e Kosovës që ishin luftëtarët më të vendosur të çështjes kombëtare ( të burgosurit politikë të viteve 1981- 1991). Por kurrë nuk flasin për komunistet jugosllavë që thirreshin po në të njëjtën ideologji?!

 Është vështirë që të dish, çka i ndan këta njerëz nga Tirana e i bashkon me Beogradin. Kjo nuk do të thotë se në Tiranë nuk ka njerëz që shikojnë më “njerëzisht” nga Beogradi sesa nga Prishtina?! Bile këto ditë patë një servilizëm të tepruar ndaj Beogradit nga një tiranas.

Pse kjo sëmundje patologjike ndaj çdo gjeje kombëtare (shqiptare) e njerëzore që vije nga Shqipëria (Tirana)?

Pse më të njëjtën gjuhë të përbuzjes nuk flasin për Komisarët e Beogradit që kombit tonë dje i shkaktuan dhimbje të mëdha, deri në gjenocid?!!! E sot ndaj asaj kohe shfaqen shenja të një nostalgjie?!

Unë nuk besoj se të gjitha mediet janë të një mendimi për ketë që po flasim. Apo, mbase ato po behën nganjëherë si delet, “nëse një mbytet në pus pas saj vrapojnë të gjitha”, nga frika se po mbesin pa pirë ujë në pusin e huaj?!

Është mirë që njerëzit e ri të kohës së demokracisë, mos të ushqehen me patologjinë e ish- sundimtarëve satrapë të viteve 70/80 të shekullit të kaluar, që rininë shqiptare e dënuan me mbi 250 shekuj burg. Është fjala vetëm për të dënuarit nga viti 1981-1989.

Është mirë që të brezi i ri i gazetarisë të ushqehet me Dashurinë e Rilindësve! E atyre Rilindësve që na Rilinden Skënderbeun dhe i vunë themelet e kombit tonë! Nga ato themele i kemi Shqipërinë e Kosovën. Të mira të këqija , këto që janë! Tonat janë, e pa to, ne nuk jemi askush!

Shkurt: po t’i bënin këto dallime të huajt, do ti thoshim RACIZËM, po këtij racizmi të brendshëm si t’i themi?! Veçse “patologji sociale”?!

Le të shpresojmë se edhe kjo “patologji sociale” është kalimtare si epidemia e gripit vjeshtor! Në Vjeshtë bien gjethet, për të dalë të rejat në Pranverë!

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …