Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Zhvillime që godasin si kambana alarmi për qeveritarët

 Dënimi i humanistes beogradase, Natasha Kandiq është një kambanë që duhet të godas fortë në veshët e të gjithë atyre që e përgatiten Raportin e Dick Martit, i cili çoi në Rezolutën e Këshillit të Evropës për “hulumtimin” e trafikimit të organeve të njerëzve dhe krime të luftës nga pjesëtarë të UÇK-së. Po të ishte kështu, vërtetë do të ishte e tmerrshme! Po të ishte ashtu, ato do të ishin krimet më monstruoze të fundshekullit të shkuar. Duhet të jetë kambanë, mbi të gjithë ata që si miq kërkuan themelimin e Gjykatës Speciale, e mbi të gjitha duhet të jetë kambanë mbi ata qeveritarë që pa kushte iu nënshtruan presionit për tu dakorduar për themelimin e saj, që të ndiqen “krimet” vetëm të një etnie?! Pa dyshim kjo kambanë duhet t’i godas fortë veshët e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët pranuan me votën e tyre ta themelojnë një Gjykatë që merret vetëm me “krimet” e pretenduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kur këtij dënimi absurd te humanistes Kandiq, i shtojmë edhe shpalljen i pa fajshëm të V. Sheshelit nga Gjykata e Hagës, atëherë cili mbetet qëllimi i formimit të Gjykatës Speciale për Kosovën, e cila ekskluzivisht do të merret me dënimin e pjesëtarëve të UÇK-së?! A thua se shteti serb, ushtria e policia serbe në Kosovë na paskan qenë engjëj, ndërsa djaj na paskëshin qenë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?! Madje, për qeveritarët e Kosovës, kambanë edhe më e madhe duhet të jetë edhe hyrja e qeveritarëve serbë në Kosovë dhe thirrjet e tyre: “Kosova është Serbi”. Për të qenë absurdi edhe më i madh, në shërbim të asaj politike janë edhe anëtarë të kabinetit qeveritar të Kosovës. Kështu edhe mund të krijohet përshtypja nga shumë kush nga jashtë, se Serbia po e rikthen Kosovën si pjesë të saj. A ndjehen sado pak fajtor qeveritarët e Kosovës, të djeshmit e të sotshmit?!

Shikoni se çka shkruan mediet tona dje për rastin Kandiq: “Një gjykatë në Beograd ka dënuar aktivisten e të drejtave të njeriut, Natasha Kandiq, me një gjobë prej 4.400 eurosh, për siç thuhet, shkelje të nderit dhe dinjitetit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Lubisha Dikoviq. Aktivistja, Kandiq me guximin e saj shembullor qytetar kishte zbardhur fakte, sipas të cilave, gjenerali Dikoviq, ka pasur përgjegjësi të drejtpërdrejtë në masakrat që ndodhen ndaj popullatës shqiptare në Drenicë. Këto akuza nuk u përfillen nga institucionet e drejtësisë në Serbi, meqë prokurorët serbë nuk ngritën ndonjë akuzë ndaj gjeneralit serb. Për të qenë absurdi edhe më i madh, është aktivistja Kandiq, ajo që dënohet me gjobë vetëm pse akuzoi publikisht numrin një të ushtrisë serbe.”/RKL/

Krimet e Lubisha Dikoviq-it dhe të pjesëtarëve që ai i komandonte të kryera në Kosovë e sidomos në Drenicë, ku ai kishte përgjegjësinë komanduese, janë të tmerrshme dhe lehtë të verifikueshme. Këtu mund dhe duhet të të shtrohet një pyetje:

Kur, një humaniste siç ishte zonja Kandiq, kishte mundësi të hulumtonte dhe të gjente veprimet inkriminuese të Dikoviq-it, si u bë që Prokuroria e Gjyqësia e Serbisë, mos ta gjente asnjë dëshmi të atij krimi, ndërsa në anën tjetër ta dënonte humanisten pse kishte thënë një të vërtetë që dihet botërisht dhe mund të verifikohet lehtësisht?! Pra nga kjo shihet se shtetarët e rinj serbë, jo vetëm që nuk janë të gatshëm t’i dënojnë krimet e kryer në luftë e para lufte në Kosovë, por i dënojnë ata që marrin guxim t’i ndriçojnë ato krime.

I përmenda, rastin Kandiq dhe rastin Sheshel, për të treguar sesa absurd janë përpjekjet për të vetëndërtuar një Gjykatë Speciale për t’i dënuar pretendimet e Dick Martit të ngritur mbi gënjeshtrat serbe, kurse në anën tjetër, krimin dhe gjenocidin e verifikueshem të Serbisë në Kosovë te amnistohet. Nëse, nga Komuniteti ndërkombëtar e posaçërisht nga SHBA dhe BE nuk pranohet krimi e gjenocidi serb në Kosovë, atëherë si të kuptohet fushata 78 ditëshe e Aleancës Veri Atlantike mbi infrastrukturën politike, ushtarake e policore serbe në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë?

Konsideroj se rastet e përmendura ne një anë, fushata agresive e zyrtarëve serbë në Kosovë, në anën tjetër dhe Gjykata Speciale do të mbeten një referencë e shembull sesi nuk duhet të jetë “drejtësia selektive” për analet e Drejtësisë, por edhe sesi nuk duhet qeverisur me vendin! Apo, ndoshta në të ardhmen, e gjithë përgjegjësia do t’i mbetet Kuvendit të Kosovës, por jo edhe e atyre që i shtyn deputetet dhe shefat e tyre që ta merrnin një vendim të tillë të padrejtë deri në  absurd?!

Nuk ka asnjë dyshim se këtij kabineti qeveritar që ka bërë gabime të panumërta politike ndaj kombit dhe vendit në raport me politikat agresive serbe ndaj Kosovës, që ka shkelur aktin më të lartë të shtetit – Kushtetutën dhe ka kriminalizuar qeverisjen në çdo segment të saj, duhet t’i ndërpritet mandati jo nga opozita por nga qytetarët e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …