leoni

James Hooper

James Hooper: Marrëveshja gjithpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton edhe shkëmbim territoresh

 Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit kritikoi kancelaren gjermane Angela Merkel dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi bllokuan një marrëveshje të mundshme,  pa pasur një alternativë. Hooper tha se situata e krijuar kërcënon stabilitetin dhe se Shtetet e Bashkuara e kanë vullnetin të angazhohen por duan të shohin perspektivën për një zgjidhje. Tani  duhet të presim të shohim a do të ketë një zgjidhje, sepse ka tre alternativa mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse duan një marrëveshje, e vetmja mundësi është ajo e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Nuk besoj se ka asnjë shans për një marrëveshje graduale ose të pjesshme.

Marrëveshja e zonjës, Ashton kur ishte shefe e politikës së jashtme të BE-së, ishte e pjesshme dhe graduale dhe asnjëra nga palët nuk e zbatoi atë plotësisht. Shoqata e komunave serbe parashikohej nga marrëveshja dhe nuk u zbatua, nuk u pranua, u bë shumë e debatueshme në Kosovë, ku u pa si një mënyrë për Beogradin të ndërhynte në politikën e Kosovës. Kryetarët  Thaçi dhe Vuçiq po negocionin një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe arsyeja që ajo dështoi ishte në fakt jo se serbët dhe shqiptarët nuk mund të binin dakord, në fakt ishin shumë pranë marrëveshjes. Problemi ishte se populli i Kosovës nuk donte të pranonte një shkëmbim territori si pjesë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Po ashtu as Gjermania, zonja Merkel nuk donte ta pranonte dhe kështu e bllokoi. Unë i kuptoj shumë mirë ndjeshmëritë që mund të kenë gjermanët për paprekshmërinë e kufijve dhe territorit, që vijnë nga Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e Ftohtë, por kjo nuk funksionon në Ballkan, atje është ndryshe.

Zëri i Amerikës: Çfarë nuk funksionon?

James Hooper: Nuk kishte kufi mes Kosovës dhe Serbisë. Ishte një kufi i brendshëm që është zhvendosur dhe ndryshuar brenda Jugosllavisë, nuk ishte një kufi i jashtëm mes dy vendesh, kështuqë kufiri i jashtëm duhej të caktohej dhe për të duhet të arrihej marrëveshje. Sipas mendimit tim, suksesi që pati zoti Haradinaj për ta bllokuar këtë në Kosovë, përmes tarifave dhe suksesi që pati kancelarja Merkel – dhe mendoj që kundërshtimi i saj ishte më vendimtar sesa ai i zotit Haradinaj – për ta bllokuar, do të thotë se Evropa, Bashkimi Evropian, ose më saktë Gjermania nuk është e gatshme të pranojë këmbime territori, si çmim për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë. Pra realiteti i parë i vështirë është se nuk ka më vend për marrëveshje të pjesshme, graduale. Së dyti, nëse marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, meqenëse nuk mund të ketë një të tillë të pjesshme. Për ta arritur atë – dhe kjo nuk është pranuar, megjithëse është pranuar nga Presidentët Thaçi dhe Vuçiq – duhet të ketë një këmbim territori. Ky është realiteti. Unë e kuptoj kur shqiptarët e Kosovës, paraqesin kërkesat e tyre maksimale dhe thonë se nuk duan ta pranojnë, por kjo do të thotë se nuk do të ketë marrëveshje dhe mendoj që ajo që bëri zonja Merkel që mendoj se ishte bërë me një koordinim, të paktën de facto, sepse duket se ka ngjashmëri mes veprimeve të tyre, mes bllokimit nga brenda të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse nga ana e zotit Haradinaj në Kosovë, dhe bllokimit në Berlin në nivelin evropian nga kancelarja Merkel. Përshtypja ime është që ata nuk i kuptojnë këto realitete. Dhe nëse unë nëse nuk ka vend për një marrëveshje të pjesshme dhe nuk duan të paguajnë çmimin e shkëmbimit të territoreve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, realiteti i tretë është që rrjedhimisht do të ketë dhunë dhe flas këtu mes Kosovës dhe Serbisë. Ato do të fillojnë të rrëshqasin gradualisht dhe papritur do të shpërthejë dhuna.

Sepse Serbia është një shoqëri shumë nacionaliste dhe siç po shohim edhe Kosova është shoqëri nacionaliste, po të kesh parasysh mbështetjen që pati zoti Haradinaj. Kur ke nacionalistë të fortë nga të dyja anët, mundësia për dhunë rritet në mënyrë të konsiderueshme, sepse ka më pak aftësi që njerëzit të ushtrojnë vetëpërmbajtje. Gjëja kryesore që unë kritikoj është se kancelarja Merkel dhe kryeministri Haradinaj, bllokuan një marrëveshje gjithëpërfshirëse pa pasur një alternativë tjetër nga ana e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Christopher Hill

Prokuroria për krimet në fushën e teknologjisë, në Serbi, fillon hetimet për kërcënimet që iu kanë bërë, ambasadorit Hill

Një prokurori për krimet në fushën e teknologjisë në Serbi ka filluar hetimet lidhur me …