“Jo në emrin tim”, protestat për ish-krerët e UÇK-së shtrihen në qytetet e Kosovës

Në disa qytete të Kosovës janë zhvilluar të premten protesta të organizuara nga degët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Tubimet janë mbajtur nën moton “Jo në emrin tim”, ndërsa protestuesit kanë shprehur mbështetje për ish-krerët e UÇK-së dhe kanë kërkuar drejtësi për ta. Në Gjakovë, qindra qytetarë janë mbledhur në qendër të qytetit, ku përfaqësues të OVL-UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve kanë kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së. Avdyl Zeneli ka thënë se veteranët janë të indinjuar me vendimin e Hagës, ndërsa Asmon Rama, djali i heroit Agron Rama, ka kërkuar që zëri për liri të dëgjohet. Në protestë ka folur edhe Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, i cili ka bërë thirrje për unitet politik rreth çështjes së ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se mbrojtja e luftës së UÇK-së lidhet edhe me kujtesën dhe të ardhmen e Kosovës. Protesta janë zhvilluar edhe në Deçan, Dragash, Suharekë dhe Malishevë. Në Dragash, ish-i burgosuri politik Bedri Halimi ka kërkuar që protestat të zhvillohen në mënyrë dinjitoze dhe pa ofendime ndaj faktorëve euroamerikanë, ndërsa Sali Shala nga OVL-UÇK ka thënë se historia e lirisë së Kosovës nuk mund të rishkruhet. Në Ferizaj, mijëra qytetarë janë mbledhur nën moton “Jo në emrin tim”, ku në fjalimet e tyre Afrim Mehmeti, Dioleta Rexhepi dhe këngëtari Veli Sahiti kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së dhe kanë theksuar qëndrimin e tyre se lufta e UÇK-së ishte luftë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Edhe në Prizren është zhvilluar protestë në Shadërvan, e organizuar nga OVL-UÇK, ndërsa tubime ishin paralajmëruar edhe në Besianë, Burim, Rahovec, Deçan, Gjilan, Kaçanik, Drenas dhe Prishtinë. Me moton “Jo në emrin tim”, organizatorët kanë bërë thirrje për vazhdimin e protestave në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Hamza paralajmëron pjesëmarrje në protestën e 1 tetorit: “Të gjithë bashkë kundër padrejtësisë”

Bedri Hamza ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një takim me udhëheqësit e …