Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer, ka riafirmuar qëndrimin e tij në mbështetje të ndërhyrjes së NATO në Kosovë në vitin 1999, duke e cilësuar atë si një veprim të domosdoshëm për të parandaluar një gjenocid të ri në Ballkan. Në një intervistë për “Der Spiegel”, Fischer tha se bombardimet ndaj ish-Jugosllavisë ishin të pashmangshme përballë zhvillimeve në terren dhe rrezikut të përshkallëzimit të dhunës. Ai madje pranoi se vonesa në kuptimin e plotë të natyrës së konfliktit përbën një nga momentet për të cilat ndjen përgjegjësi personale. Duke iu referuar tragjedisë së Srebrenicës në vitin 1995, ai theksoi se Evropa tashmë kishte parë pasojat e mosveprimit, duke nënvizuar se rreziku i një skenari të ngjashëm në Kosovë ishte real. “Në vitin 1995, ne ishim dëshmitarë të masakrës së Srebrenicës në Bosnjë… Nëse mund ta fajësoj veten për diçka në rastin e Kosovës, është vetëm se më duhej kaq shumë kohë për të kuptuar natyrën e vërtetë të këtij konflikti,” u shpreh Fischer. Ai shtoi se, nëse regjimi i atëhershëm serb nën Slobodan Milosheviç do të kishte vazhduar me politikat e tij, pasojat për rajonin dhe për procesin e zgjerimit të Bashkimi Evropian do të kishin qenë të rënda, madje duke e rrezikuar të ardhmen evropiane të Ballkanit. Deklaratat e Fischerit rikthejnë në debat një nga vendimet më të diskutueshme, por edhe më vendimtare të fund-shekullit XX në Evropë, ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
