Kadri Ferati: Mbresa nga një pushim veror

U zgjuam herët në mëngjes, ende pa lindur dielli. Ishte mëngjes i freskët, i këndshëm, mëngjes që shëronte mushkëritë. Ishte mëngjes i vendlindjes. M’u kujtuan fjalët e babës plak që thoshte se duhej zgjuar para se të lindte dielli, për t’ia marr shëndetin  me t’u dukur rrezet e para. Kështu i kishte thënë  babai i tij që kur ishte i vogël, kështu edhe kishin vepruar, prandaj ruante shëndet të mirë edhe pas të tetëdhjetave të tij. Po t’a pyesje se kur ke qenë te mjeku, do përgjigjej – Nuk e mbaj mend!…


Ndalesën e parë e bëmë në Grykën e Carralevës, afër një burimi, ku gjendej edhe një dërrasë në të cilën shkruante “KEMI FLIA”. Ishte shumë herët për të gjetur flia, por u freskuam me ujin e burimit. M’u kujtua një kërkesë e një mërgimtari, i cili e kishte porositur bashkëfshatarin e tij që po shkonte në vendlindje, që t’ia sillte një shishe ujë nga kroi i fshatit. Dhe kishte pasur të drejtë. Uji i kroit do ketë qenë po aq i mirë sa edhe ky ujë. Sapo u nisëm, ende pa u kyçur mirë në rrugë, një vogëlush, diku rreth 10 vjeç trupoi rrugën duke vrapuar drejt nesh me një tufë lulesh të thara.


-Doni lule për çaj, zotni.


-Ku i ke marr, i them.


-I kam mbledhur duke ruajtur bagëtinë.


-Sa kushtojnë, e pyes.


-Pesëdhjetë cent.


-A shkon në shkollë?


-Po.


-Në cilën klasë?


-Në të tretën.


-A po mëson hiq?


-Po, shumë mirë.


Më kënaqi kur më tha ashtu.


-Qe një euro, ndërsa çajin shitja tjetërkujt!


Më falënderoi dhe iku me vrap. Ishte i lumtur! Isha i lumtur edhe unë që takova një fëmijë aq të vogël që po rritej me idenë se me punë, të mirat e vendit të vet mund t’i shndërronte në kapital.


Ndalesën e dytë e bëmë në Prizren, në qytetin e këngës << Në Prizren, o , m’a t’bukrin vend … Qytetin e vendimeve të mëdha për kombin shqiptar. Mundohem t’ua shpjegoj fëmijëve historinë e këngës, por nuk e di se sa do më kuptojnë. Pasi hamë mëngjes, shëtitëm qendrën e qytetit dhe bëmë foto. Me t’u nisur, u ngatërruam në rrugicat e lagjeve të qytetit. Një pronar dyqani që gjendej mu në një udhëkryq, mbase ishte lodhur nga pyetjet e udhëtarëve se kah i bie rruga për në Shqipëri, në një copë kartoni kishte shkruar “SHQIPËRIA” dhe kishte bërë një shigjetë përfundi shkrimit. Me dy-tri ndihma qytetarësh dolëm nga qyteti. M’u kujtua rruga nga Zagrebi për në Beograd. Askund asnjë shenjë se jemi në rrugë të drejtë.


Ndalemi në një vendpushim, pas një rrugëtimi të gjatë dhe e pyes një punëtor se a mos jemi duke shkuar për Beograd. ‘’Mirë jeni, thotë kroati. Deri afër kufirit të Serbisë nuk do e gjeni mbishkrimin. Si do e shkruajmë kur Beogradi na ka djegur e shkatërruar.’’ ‘’Keni të drejtë , i them unë. Edhe ndaj nesh ka vepruar njësoj.’’ Përse, mendoj unë,  shqiptarët nga të gjitha anët nuk vendosin në çdo vendkalim kufitar dhe në çdo udhëkryq se në cilin drejtim gjenden vendet dhe qytetet tjera shqiptare? Ne nuk kemi arsye mos t’i kemi. Është bezdisëse kur detyrohesh të ndalosh dhjetëra herë për t’u informuar se nga është rruga e qëlluar për në një vend shqiptar.


Arritëm në kufirin shqiptaro-shqiptar. Aq sa ishte kufiri iritues, po aq dhe formalitetet që kryheshin aty. E vetmja gjë e mirë ishte se në të dy anët e kufirit flitej shqip. Me t’u nisur, u them vajzave, Sarandës dhe Dianës, të fillojnë punën e tyre. Njëra kishte për detyrë të fotografonte e tjetra të incizonte.


Ndalesën e radhës e patëm në Durrës, por vetëm shkurt.


Ne ishim nisur për në Vlorë. Rruga ishte e gjatë, ndoshta edhe nga fakti se fëmijët pyesnin shpesh se kur do të mbërrijmë. Po rridhnin ngadalëë edhe orët e pas ditës. Në mendje më vinin vargjet: “Rruga për qytet ishte po ajo / e më e gjatë m’u duk vetëm mua”. Gjatë udhëtimit hasëm në një rrugë që në të dy anët kishte drunjë të gjatë. Në shumë nga ta vareshin qese llastiku me pemë të ndryshme, ndërsa disa nga pronarët kishin improvizuar vendin për shitje. Ndalem pran një shitësi dhe e pyes se a jemi larg nga Vlora. Shitësi qeshi dhe na tregoi se veç kemi arritur. Vërtetë, posa arritëm te kthesa e parë, shihej Vlora madhështote, Vlora e famshme e Pavarësisë së Shqipërisë. U vendosëm në një apartament privat të cilin na e kishte rezervuar një mik. Ishim të lumtur. Për herë të parë në Shqipëri. Për herë të parë në Vlorë. Vlora ishte më e bukur se që kishim mundur ta merrnim me mend. Mbase, nuk e kanë thënë kot, “çka i pëlqen zemrës edhe syrit i duket i bukur”. Fëmijët, edhe pse ishin orët e mbrëmjes, nuk u duruan pa u zhytur në ujin e vakët e të kthjellët të detit.


Mikpritja ishte shumë e mirë. Sigurisht që mjafton të thuhet se mikpritja ishte shqiptare dhe s’ka se si të jetë ndryshe. Shpejt u akomoduam.


Në lokalin më të afërt, në njërën anë të tij ishte kafene e në tjetrën dyqan ushqimor. Aty bisedoj me pronarin. Ai kishte ardhur nga Italia, ku jetonte  përkohësisht me familjen. Kishte blerë këtë lokal dhe mendonte që një ditë të kthehej për të jetuar në vendlindje. Më prezantoi djalin e madh, që ishte rreth 15 vjeç. ‘’Quhet Mikelanxhelo, dhe nuk din mirë shqip, ndërsa djali i vogël e flet shqipen më mirë, më thotë.’’ ‘’Do e mësoj edhe ky, gjatë këtij pushimi, i them.’’ Desha t’i them edhe se i paska harxhuar gjysmën e shkronjave të alfabetit për një emër italian, por nuk ia thash. I thash se, edhe unë kam një emër të huaj, por pak më të shkurtër, ndërsa Mikelanxhelos i drejtohem:  ‘’Eja të luajmë një lojë shahu.’’ ‘’Por ky nuk din mirë, thot pronari i banesës’’ i cili më shoqëronte, e kishte përgatitur shahun duke pritur ndonjë kundërshtar. ‘’Për atë duhet të luaj që të mësohet më mirë, i them unë’’ dhe ia filluam.


Të nesërmen, në njërën nga shitoret deshëm të blejmë një kapelë për Lorikun e vogël. Në një lokal na presin dy zonja rreth të pesëdhjetave. ‘’Nga Kosova jeni? , na drejtohet njëra’’. ‘’ Po, i përgjigjem, jemi nga një pjesë e Dardanisë’’. Pronarja nuk e zgjati më tej, e as unë nuk tentova të jap sqarime të tjera. ‘’Jeni për herë të parë në Vlorë?’’, interesohet të dijë pronarja. ‘’Po, i them unë, hera e parë në Shqipëri. Vlora po na pëlqen shumë. Qenka më e bukur se që e mendonim dhe paska njerëz të mrekullueshëm’’. ‘’Besoj se do kaloni mirë, disi e përmbyllë bisedën pronarja’’. ‘’Deshëm të blejmë një kapelë për djalin e vogël dhe i drejtohem vajzës së vogël : -do të bleshë edhe ti diçka, Vjosa?’’ Zonja e lokalit ndërhyri: ‘’Vjosa quhesh?  Sa emër i bukur, dhe vazhdon, edhe unë vijë nga ajo anë. Unë kam qenë infermiere dhe kam punuar këtu. Tani kemi hapur këtë lokal’’, dhe na dha ca këshilla praktike se si t’i ruajmë fëmijët nga dielli dhe uji. ‘’Ne nuk kemi mundur të vijmë një kohë të gjatë këtu, por jemi mundur t’i pagëzojmë fëmijët tanë me emra që i kemi dashur. Vjosa ka lindur në mërgim, vazhdova unë, por flet shqip, dhe reciton bukur. Eja, i them Vjosës, thuaje vjershën “Unë sot jam e lumtur”, le ta dëgjojnë zonjat’’. Vjosa doli para tyre:


 



 


Unë, sot, jam e lumtur


 


Unë, sot, jam e lumtur


Se mami më ka thënë


Ti je e bukur bija ime


E ëmbël si sheqerpare


Se je kosovare


 


Edhe pse kam lindur në mërgim


Unë jam kosovare


Prandaj shqip dua të flas


Dhe në shkollë shqipe dua të shkoj


Gjuhën e mamit mos ta harroj



 


 


 


Derisa po recitonte, dy zonjat e përcillnin me vëmendje të madhe. Zonjës që po bisedonte tërë kohën me ne, filluan ti shkojnë lotët. I fshiu lotët dhe pasi ofshau tha:  ‘’Të lumtë bija ime. Edhe unë e kam një mbesë, si Vjosa, në Angli… ‘’ Oh, na falni zonjë, ndërhyra unë,  nuk deshëm t’ju emocionojmë’’. ‘’Jo, ne u kënaqëm, ndërhyri zonja tjetër, e cila tërë kohën po dëgjonte me vëmendje’’.


Ne i falënderuam për pritjen që na e bënë dy zonjat dhe për këshillat e vlefshme. Një kohë të gjatë më është sjellë në mend ai takim krejt i rastësishëm dhe tepër mbresëlënës. Mendoja për mbesën e Zonjës, vallë qe sa nuk e ka parë, a fletë shqip, a do ketë ardhur te gjyshja t’ia heq  mallin që e përvëlonte në gjoks? Sa e sa gjyshe e prindër do presin të shohin fëmijët, nipërit e mbesat e tyre të degdisur dyerve të botës , siç ishim edhe ne?


Tani që po ofrohen pushimet verore, gjithnjë e më tepër po mendojmë se cilat vende të trojeve tona shqiptare do të vizitojmë. Të shijojmë bukuritë natyrore të jashtëzakonshme dhe të marrim përshtypje dhe emocione që vetëm në trojet shqiptare dhe me njerëzit e mrekullueshëm të këtyre trojeve mund të shijohen. 


 


Qershor 2010


Kadri Ferati

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …