Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka deklaruar se Kosovës i nevojitet një forcë e specializuar e ngjashme me Xhandarmërinë, por ka kritikuar faktin që kjo çështje po ngrihet gjatë kohës së fushatës zgjedhore. Sipas Kastratit, Kosovës i duhet një forcë e ngjashme me xhandarmërinë. Nuk është e domosdoshme të quhet kështu, por duhet të jetë e trajnuar dhe e pajisur fuqishëm, jo më pak se njësia speciale ROSU, ka deklaruar ai. Kastrati ka theksuar se kjo forcë do të kishte rol kyç në:
- parandalimin e kalimeve ilegale;
- luftimin e terrorizmit dhe krimit të organizuar;
- pengimin e infiltrimeve si rasti i Banjska;
- dhe garantimin e sigurisë për qytetarët në zonat kufitare.
Ai ka shtuar se një strukturë e tillë duhet të posedojë armatim dhe pajisje më të avancuara sesa ato që ka aktualisht Policia e Kosovës. Megjithatë, ish-komandanti i FSK-së ka kritikuar mënyrën dhe kohën e trajtimit të kësaj teme, duke thënë se krijimi i një force të tillë nuk mund të bëhet me vendime të shpejta politike gjatë fushatës. “Kjo kërkon analiza profesionale, studime të detajuara, planifikim për numrin e pjesëtarëve, pajisjet, trajnimet dhe koston financiare. Nuk bëhet me një nënshkrim në kohë zgjedhjesh”, ka theksuar Kastrati. Ai ka kujtuar se edhe transformimi i FSK-së ishte bërë mbi bazën e studimeve shumëvjeçare me ekspertë ndërkombëtarë, duke shtuar se i njëjti model duhet të ndiqet edhe për çdo strukturë të re të sigurisë në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
