Kërkohet nga institucionet e Kosovës implementimi i ligjit për personat me aftësi të kufizuara

Kërkohet nga insitucionet e Kosovës implementimi i ligjit për personat me aftësi të kufizuara

Institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë në zbatimin e ligjit për trajtimin e barabartë të personave me aftësi të kufizuara. Kështu u tha në tryezën e organizuar në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, ku u theksua se edhe pse Kosova njihet me ligjet më të avancuara në rajon, megjithatë problemi qëndron tek implementimi i tyre e pa integrimin e personave me aftësi të kufizuar nuk mund të thuhet se Kosova ka shoqëri gjithëpërfshirëse.

Drejtori i Departamentit të Rinisë në Ministrinë e Kulturës, Xhevat Bajrami, tha se si ministri po punon që të integrojnë një numër sa më të madh të personave me aftësi të kufizuara. Sipas tij, Departamenti i Rinisë ka paraparë shumë aktivitete për mbështetjen e grupeve të margjinalizuara, gjatë tërë vitit në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të zhvillojnë jetë të pavarur. “Ne si ministri jemi jashtëzakonisht të interesuar që të kemi inkuadrim dhe integrim sa më të madh të personave me aftësi të kufizuara, të grupmoshave të reja në aktivitete të ndryshme, me qëllim që edhe ata të jenë pjesë e barabartë e kësaj shoqërie. Ministria e Kulturës ka si qëllim të vetin të ngrit kapacitetet jo vetëm të zyrtarëve rinorë komunal dhe të organizatave siç janë qendrat e rinisë, por edhe ngritjen e kapaciteteve të cilat janë specifike që merren me këtë fushë”, tha ai.

Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Bujar Kadriu tha se 3 dhjetori duhet të ketë një vend të veçantë tek institucionet e vendit, ndërsa shtoi se integrimi i personave me aftësi të kufizuara duhet të merret seriozisht nga institucionet e Kosovës. Sipas Kadriut, institucionet e Kosovës kanë obligim të respektojnë mekanizmat ndërkombëtar, siç është MSA-ja, dhe mekanizma të tjerë të cilët duhet të përmirësojnë standardet e legjislacionet të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e personave me aftësi të kufizuara. “Moszbatimi i ligjeve prodhon efekt negativ tek personat me aftësi të kufizuara, sepse ne kemi ligjet më të avancuara në rajon por problem është tek zbatimi i tyre. Vet MSA-ja, i cili është obligativ për Qeverinë e Kosovës, konkretisht neni 106 e obligon Qeverinë që të bëjë ristandardizim të ligjeve me BE-në. Konsideroj që Qeveria e Kosovës duhet ta merr seriozisht këtë çështje sepse pa respektimin e personave me aftësi të kufizuara nuk kemi një shoqëri të barabartë dhe që është për të gjithë”, tha ai.

Që kjo kategori e shoqërisë të mos shihet ndryshe nga pjesa tjetër e saj, nga të pranishmit në këtë tryezë, u tha se janë mediat ato që kanë ndikuar në sensibilizimin dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për këtë çështje. Për Drita Topërlakun nga komuniteti i të shurdhërve, edukimi i fëmijëve të këtij komuniteti është shumë i dobët shkaku i mungesës së kuadrit të nevojshëm. “Në një klasë me qenë një nxënës i shurdhër me 30 nxënës që flasin apo edukatorja që nuk e njeh gjuhën e shenjave, është një problem shumë i madh. Ne si shoqatë jemi të fokusuar më së shumti në edukimin e fëmijëve të shurdhër. E dimë se edukimi i fëmijëve të shurdhët është shumë i dobët për shkak të kuadrove të cilat nuk i kemi. Fëmijët e shurdhët janë të diskriminuar, ne po mundohemi të lobojmë në Ministri të Arsimit dhe në Qeveri që patjetër komuniteti i shurdhër të ketë gjuhën e shenjave”, tha ajo.

Mungesa e bibliotekës për të verbëritë, emisionet për të shurdhëritë, infrastruktura ligjore për personat me aftësi të kufizuara, janë disa nga temat që përfaqësues të shoqatave të ndryshme ngritën sot me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Personat me aftësi të Kufizuara

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …