KKSB në Shtime mbajti mbledhjen e fundit për vitin 2016

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi ( KKSB ), ka mbajtur mbledhjen e fundit, për vitin 2016 ku në rend dite kishte pikën Gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunën e Shtimes dhe pikën të ndryshme.

Mbledhjen e ka drejtuar nënkryetari i komunës së Shtimes, z. Fatmir Rashiti.

Fillimisht ai ka falënderuar anëtarët e KKSB-së për angazhimin që kanë treguar gjatë këtij viti lidhur me sigurinë në komunë duke dhënë rekomandime konkrete për çështjet që i kanë kontribuuar sigurisë së qytetarëve.

Nënkryetari, z. Fatmir Rashiti, në këtë takim, ka bërë një retrospektivë të aktiviteteve të zhvilluara nga FSK-ja, Policia e Kosovës, Bashkësia Islame në Shtime, përfaqësuesit e komuniteteve, OJQ-të, drejtoritë e caktuara etj, me ç’rast edhe i ka falënderuar duke konstatuar se në komunën e Shtimes siguria për qytetarët, falë angazhimit të përbashkët të anëtarëve të KKSB-së, nuk është rrezikuar asnjëherë gjatë vitit.

Kapiteni i FSK-së, z. Naim Bajraktari, duke falënderuar për bashkëpunimin ka thënë veç tjerash se, aktivitetet e FSK-së kanë qenë gjithherë në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të interesave të institucioneve shtetërore.

Zv. Komandanti i Stacionit Policor, në Shtime, z. Nexhmedin Ahmeti, ka bërë të ditur se policia do të dalë me një raport të përgjithshëm sa i përket sigurisë, në muajin janar. Ndër të tjera bëri të ditur se Policia ka shtuar patrullimet brenda natës në gjithë territorin e komunës së Shtimes.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Shtime, z. Isa Tërshani, ka thënë se sukseset e prezantuara nga nënkryetari, z. Fatmir Rashiti, për çështjen e sigurisë së qytetarëve qëndrojnë, por ende është prezent dukuria e vjedhjeve nëpër shtëpi që duhet të luftohet nga secili prej nesh duke ndihmuar organet e rendit. Sa i përket ekstremizmit ai ka shtuar se nga komuna e Shtimes nuk ka asnjë rast të raportuar për shkuarjen në vatrat e luftës, në Siri apo gjetiu duke potencuar se Bashkësia Islame ndjek parimin që “çdo njëri që dëmton njerëzit, nuk ka vend te ne”.

Znj. Jasmina Hysaj që përfaqëson OJQ-të në KKSB, veç tjerash, ka thënë se si qytetare e komunës së Shtimes ndihem shumë e sigurt duke pasur parasysh angazhimin e përgjithshëm të mekanizmave të sigurisë në komunë.

Skënder Dauti nga Zyra për Mbrojtje dhe Shpëtim, duke falënderuar për bashkëpunimin, veç tjerash ka thënë se gjatë vitit që po lëmë pas, komuna e Shtimes është përballur me fatkeqësi natyrore-vërshime dhe përmbytje të tokave me të mbjella bujqësore ku falë angazhimit të shumë akterëve, nuk ka pasur pasoja në njerëz.

Këtë mbledhje e ka përcjellur edhe Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Shtimes, z. Rrahman jakupi, i cili ka përgëzuar dhe ka falënderuar KKSB-në për punën gjatë vitit 2016.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi në 25-vjetorin e rënies, ka nderuar kujtimin për luftëtarin e UÇK- së dhe dëshmorin e kombit, Sadri Fazli Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, bashku me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, në 25-vjetorin …