Protesta në Pejë kundër demarkacionit

Klubi i Intelektualëve të Rugovës: Rezolutë kundër Demarkacionit

 Klubi i Intelektualëve i Rugovës

Prishtinë, më 24.8.2016

 Rezolutë:

-Dërguar institucioneve të Republikës së Kosovës:

presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve të Kuvendit, kryetarit të Qeverisë, ministrit të Jashtëm, ministrit të Brendshëm dhe mediave

Me nismën e Këshillit Drejtues të Klubit të Intelektualëve të Rugovës: prof. dr. Riza Smaka, prof. dr. Mujë Rugova, prof. dr. Zymer Neziri, prof. dr. Ali Muriqi, si dhe me pjesëmarrjen e prof. dr. Salih Kelmendit e të dr. Jeton Kelmendit nga Akademia Shqiptare-Amerikane në Nju-Jork; të Forumit të Intelektualëve të Rugovës: Idriz Muriqi, kryetar, dhe Ali Lajçi, kryetar i KD-së; të përfaqësuesit të Degës së PDK-së Pejë, Salih Lajçi, nënkryetar; të Lëvizjes Vetëvendosje, Dega në Pejë, prof. ass. dr. Bashkim Lajçi, kryetar; të AAK-së, Dega në Pejë, Salih Lukaj; të shumë intelektualëve të tjerë dhe të pjesëtarëve të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; të përfaqësuesve të pushteti lokal në Rugovë; Agron Nikçi, BT I, dhe Rexhep Kurtbogaj, BT II; të përfaqësuesve të LDK-së në Rugovë: Mustafë Xh. Lajçi, Nëndega I, dhe Blerim Rexhëbogaj, Nëndega II; të përfaqësuesve të rrethinës së Pejës: mulla Sadri Zekaj (Podgur) dhe Rasim Mulaj (Llukë e Epërme); të përfaqësuesit të Shoqatës së Avokatëve të Kosovës dhe të Shoqatës së Juristëve të Kosovës, Bekë Lajçi; të LDK-së, Rrokaqielli, Pejë (2500 banorë), Agim Nikçi, si dhe të shumë qytetarëve, në takimin e mbajtur në Pejë, më 22.8.2016, lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, njëzëri u miratua kjo

REZOLUTË

Jemi kundër ratifikimit, më 1 shator 2016, të Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilën, më 25 gusht 2015, në Vjenë, e kanë nënshkruar zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, si dhe nga pala malazeze e kanë nënshkruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq, sepse territori i Republikës së Kosovës dëmtohet për mbi tetë mijë hektarë, rrezikohet sisitemi i mbrojtjes së saj, kurse ujërave të pellgjeve Bjelluha dhe Mokna-Vaganicë, të cilat janë furnizues të mëdhenj të Drinit të Bardhë, mund t’u ndërrohet drejtimi dhe, si pasojë e këtij veprimi, Rrrafshi i Dukagjinit do të rrezikohej për furnizim me ujë bashkë me Fierzën, Komanin dhe Vaun e Dejës, prandaj

– Komisioni Shtetëror ka bërë gabim të papranueshëm, duke mos e përfillur kufirin inicial ekzistues të vitit 1945, që është bazë juridike kushtetuese,

-në bazë të hartave zyrtare të Jugosllavisë II, të Malit të Zi, të Serbisë, dhe të Kosovës,

-të zgjidhjeve kushtetuese e ligjore (të Jugosllavisë II, të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Kosovës),

-të së drejtës historike të fituar (1946-2016),

-të leksikoneve gjeografike dhe të enciklopedive,

-të teksteve shkencore,

-të analizave kritike,

-të opinioneve akademike,

-të opinioneve kundërshtuese të opozitës paralmentare,

-të dëshmive kundërshtuese të ekspertëve në Kuvendin e Kosovës, më 3 gusht 2016,

-të protestave kundërshtuese të qytetarëve,

-të mbi 200 mijë nënshkrimeve kundërshtuese të qytetarëve të Kosovës,

-të qëndrimeve kundërshtuese të qytetarëve të Rugovës, të Podgurit (Komuna e Burimit), të katundeve të anës së Pejës deri në Rekë (Komuna e Deçanit),

-e, para së gjithash, duke u mbështetur në ndërgjegjen kombëtare e shtetërore,

APELON

-te deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të votojnë kundër ratifikimit të versionit të Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, të Komisionit Shtetëror për Demarkacion, në krye me Murat Mehën;

-Qeverisë së Kosovës i kërkon të mos ushtrojë presion në deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që, në kundërshtim me përcaktimet e drejta, të votojë, më 1 shtator 2016, Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, e nënshkruar në Vjenë, më 25 gusht 2015, nga zëvendëskryeministri i Qeverisë Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni;

– Kërkon të mos ushtrojë presion mbi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, veçanërisht mbi deputetët e pozitës, që me indinjatë po e kundërshtojnë ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, e nënshkruar në Vjenë, më 25 gusht 2015, nga zëvendëskryeministri i Qeverisë Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, sepse ky problem është çështje shtetërore dhe nuk ka lidhje me këtë koalicion qeverisës apo cilindo qoftë nesër dhe bëhet fjalë për një çështje madhore të territorit të vendit;

-Autoriteteve të Malit të Zi u bëjmë apel, që, me mirëkuptim, deri në demarkacionin përfundimtar të kufirit Kosovë-Mal i Zi, të pranueshëm dyanshëm, që të përfillin linjën kufitare Çakorr-Mokna-Glloxhi-Murgash-Smilevicë-Hajlë-Zhleb, që është parakusht për kultivimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Këshilli Drejtues i Klubit të Intelektualëve të Rugovës

Prof. Dr. Riza Smaka, Prof. Dr. Mujë Rugova, Prof. Dr. Zymer U. Neziri,

Prof. Dr. Ali Muriqi, Prof. Dr. Shemsedin Dreshaj

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …