Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka shprehur shqetësim të thellë pas rastit të fundit të vdekjes së një punëtori në vendin e punës, duke theksuar se humbja e jetëve të punëtorëve po vazhdon të jetë një ndër problemet më serioze në fushën e sigurisë në punë në Kosovë. Sipas KMDLNj-së, vetëm gjatë vitit të kaluar kanë humbur jetën 32 punëtorë, shumica prej tyre në sektorin e ndërtimtarisë. “Vitin e kaluar në Kosovë humbën jetën 32 punëtorë, kryesisht në fushën e ndërtimtarisë”, thuhet në reagimin e organizatës. KMDLNj rikujton se prej vitesh ka kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e numrit të inspektimeve dhe forcimin e mekanizmave mbikëqyrës, me qëllim parandalimin e aksidenteve fatale në vendin e punës. Organizata ka propozuar gjithashtu që mjetet financiare të mbledhura nga gjobat për shkeljet e sigurisë në punë të destinohen për mbështetjen e familjeve të punëtorëve që humbin jetën, si dhe për punëtorët që pësojnë invaliditet të përhershëm si pasojë e aksidenteve në punë. KMDLNj u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete dhe të rrisin përgjegjësinë në zbatimin e standardeve të sigurisë në punë, duke theksuar se mbrojtja e jetës së punëtorëve duhet të jetë prioritet i pakompromis.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
