Koalicioni AAK-Nisma, është i natyrshëm, i domosdoshëm dhe me perspektivë për vendin

Nuk thuhet kot se, “bashkimi, gjërat në dukje të pamundshme i bën të mundshme, ndërsa përçarja të mundshmet i bën të pamundshme”. Kjo është parë dhe është vërtetuar sa e sa herë deri tani. Bashkimi i AAK-së me Nismën, ka qenë më se i domosdoshëm, meqë faktorët që i bashkojnë këto dy forca janë shumë më të qëndrueshëm, sesa ato pak gjëra që i ndajnë nga orientimi verbal,  ideologjik. Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj janë emra që i ka nxjerrë në sipërfaqe, lufta fitimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë dy komandantë ndër më të njohurit e më të suksesshmit gjatë luftës, por edhe pas luftës. Janë dy të akuzuarit e parë të Tribunalit të  Hagës që u akuzuan për krime lufte, u mbajtën gjatë në burgjet e Sheveningenit,  por të dy y shpallën të pafajshëm për të gjitha akuzat e fabrikuara nga prokurorja, Carla del Ponte, në mbështetje të  Beogradit zyrtar. Nga pesë parti parlamentare sa i ka Kosova, vetëm këta dy janë ish komandantë  të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë kryetarë partish, andaj bashkimi ka qenë dashur të ndodh shumë më parë, por edhe  tani nuk është  vonë.

Për më tepër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është treguar shumë i hapur edhe për një koalicon të gjerë të tërë opozitës. Ai ka thënë për mediet se se bashkimi i subjektit që ai drejton në koalicion me Nismën Socialdemokrate është një shembull se si të gjitha partitë opozitare mund të bashkohen për t’i ofruar vendit një program të mirë qeverisës. ”Po vijnë zgjedhjet, të rregullta janë në fund të vitit, por mund të vijnë edhe më të hershme në verë, ose dikur, ne dëshirojmë të japim nga vetja prova dhe shembuj se mund të bashkohemi të gjithë, t’i japim Kosovës një program qeverisës dhe ta largojmë nga qeverisa e vendit,  Qeverinë Kurti për shkak të humbjeve që ua shkakton qytetarëve të vendit në përgjithësi dhe rreziqeve të kësaj qeverisje për vitet që vijnë nëse vazhdojnë. Andaj apelojmë të gjithë që të bashkohen dhe veç kemi disa partneritete të dakorduara. Haradinaj u shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike opozitare në vend, dhe se për këtë bashkëpunim ai nuk ka asnjë kusht, përveç punës drejt anëtarësimit në NATO. Unë nuk e kam asnjë kusht  për bashkëpunim, me palët tjera politike dhe qytetare. I vetmi argument duhet të jetë se a kemi garanci që do t’i rrisim pagat, dhe jo ta lëmë  ushtarin siç e ka lënë Kurti, sepse  është rrezik për sigurinë. Pa asnjë kusht, pa asnjë kërkesë, pa asnjë temë, jam i hapur për çdolloj bashkëpunimi që ata e vlerësojnë, çfarëdo mënyre, nuk u qes kushte as për lista, as për poste, për ne e rëndësishme është që Kosova të anëtarësohet në NATO, pra të jemi të sigurt dhe ta garantojmë Kosovën, pa hyrë në NATO siguria jonë është gjithmonë çështje e hapur, ka thënë mes tjerash, Ramush Haradinaj.

Duke folur për këtë koalicion, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se koalicioni me AAK-në është lajm i mirë për Kosovën e qytetarët e vendit. Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për bashkimin e të gjitha forcave politike që kanë çka japin e që duan ta shohin ndryshe pozicionin e Kosovës, zhvillimin e vendit e rrugëtimin gjeostrategjik. Duke dëgjuar e respektuar zërin e mijëra njerëzve anë e mbanë Kosovës, se vendi më shumë se kurrë ka nevojë për bashkimin e energjive pozitive, bashkim në diversitet, bashkim në iniciativa. Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për një dinamikë të re opozitare, opozitë e fakteve, opozitë e angazhuar, opozitë që kritikon aty ku duhet, opozitë që jep alternativë”. Tani jemi bashkë me kryetarin Haradinaj me një projekt të ri, të përbashkët, i cili tashmë  ka nisur, është i hapur dhe i ftojmë të gjithë ata qytetarë të vendit  që mendojnë se Kosova më shumë se kurrë ka nevojë t’i bashkojë energjitë, tash është koha për t’i dhënë një dinamikë të re vendit”, ka thënë mes tjerash Fatmir Limaj, me rastin e  lidhjes së koalicionit me AAK-në.

Dihet tashmë se këtij koalicioni nuk do t’ i bashkohet PDK-ja, por kjo nuk do thotë që të mos bashkohet në koalicion pas-zgjedhor, sepse këto tri parti ndajnë vlera të përbashkëta dhe tashmë kanë  një elektoral  të qëndrueshëm.

Po kështu pritet që një pjesë e votuesve të hershëm me prejardhje nga Lëvizja e Rezistencës Aktive dhe lufta e UÇK-së, të kthehen e të votojnë për vlerat e luftës, të cilat Vetëvendosja,  jo vetëm i ka shpërfillur, por po bën përpjeke ta minimizojë numrin e veteranëve, me qëllim të zbehjes së luftës së UÇK-së. Ata që kanë moral njerëzor e kombëtar, nuk do të pajtohen me një inatzi, që është betuar të mos përmend as emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe të akuzuarve të tjerë nga Gjykata Speciale, përveç emrit të Rexhep Selimit, i cili  kurrë nuk pajtohet me këtë qëndrim përbuzës, naiv dhe arrogant të Albin Kurtit.

Vetëvendosja  e përçarë  nga brenda  po degradohet dhe pa votuesit e Vjosës, nuk do të marrë  as  25 deputetë

Gabimet e shumta të Kurtit e të Vetëvendosjes, si mos pranimi i Asociacionit që kishte qenë kauza kryesore  për fitore në zgjedhjet e fundit,  dhe tani pranimi i projekt-statusit, por duke e quajtur Vetë-menaxhim e jo Zajednicë, përpjekja për ta përçarë kombin  me ndërhyrje politike në Maqedoni, në Kosovën Lindore  e në Shqipëri, pajtimi me politikën  greke, me shekuj dhe historikisht antishqiptare, thurja e himnit  dhe lavdisë për kriminelin serb, Oliver  Ivanoviq, që kishte vrarë nëntë shqiptarë në Mitrovicë, në vitin 2000 me rastin e ndarjes së veriut të qytetit dhe dëbimit të 10 mijë banorëve autoktonë nga veriu, mos-mbajtjen gati të asnjë premtimi parazgjedhor dhe sa e sa të tjera nuk do të duhej t’ i pranonim më gjatë ata që kanë dhënë shumëçka nga familjet dhe jeta e tyre për çlirimin e Kosovës.

Fakti se gjashtë muaj pas fitores në zgjedhjet parlamentare, Vetëvendosja  fitoi vetëm katër komuna në zgjedhjet vendore, tregoi hapur se kauza e mashtrimit nuk e bëri të gjatë.  Po kështu, ndarja e buxhetit, duke  u dyfishuar financat këtyre komunave e duke i diskriminuar 34 komunat e tjera të Kosovës, flet më së miri se në cilën rrugë pa krye është futur Albin Kurti me kompaninë e tij qeveritare. Ai mendon se me këtë stimulim që u ka bërë katër komunave të paktën t i ruajë ato që i ka fituar dhe të mos mbetet lakuriq, në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Kjo është vetëm njëra anë e ligë, që Vetëvendosja me Kurtin në krye, ia ka shkruar qeverisjes së tij dhe mu për këtë do ta paguajë edhe tagrin që e meriton.  Andaj mobilizimi për ta liruar vendin nga keqqeverisja, nga  përçarja mbi baza kombëtare, nga injorimi i Qeverisë së Shqipërisë e shumë veprime të tjera, të pamatura, të papërgjegjshme dhe arrogante, është mbi të gjitha  obligim kombëtar, të cilin popullata liri-bërëse dhe liridashëse e vendit nuk do ta anashkalojë dhe nuk do të lejojë përshkallëzim edhe më tej të  kësaj politike, e cila, për herë të parë në historinë 25-vjeçare të Kosovës  pas çlirimit,  u ndëshkua me sanksione ekonomike e politike.

Ahmet Qeriqi

  1. 1. 2024

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Rashiti: Saqip Zymberi ka shumë shokë, po shokët nuk e paskan pasur shok Saqipin

Ismet Rashiti: Saqip Zymberi ka shumë shokë, po shokët nuk e paskan pasur shok Saqipin

Ka disa vite që veprimtari i orëve të para për Pavarësinë e Kosovës, ish i …