Komandanti i KFOR-it Ozkan Ulutash takon ambasadorët e Quint-it

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, ka zhvilluar një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, si dhe me përfaqësues të Turqisë dhe Bashkimit Evropian në Kosovë.

Gjatë takimit, gjeneralmajori Ulutash paraqiti vlerësimin e tij për situatën e sigurisë në rajon, duke ritheksuar përkushtimin e KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Në këtë kontekst, komandanti i KFOR-it vlerësoi kontributin e kahershëm të të gjithë pjesëmarrësve në mbështetje të misionit të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, në ditën kur shënohet 27-vjetori i hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe nisjes së misionit të KFOR-it, është bërë e ditur se po planifikohet një zvogëlim i numrit të trupave në këtë mision.

Komandanti i NATO-s për Evropën, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, ka thënë se do të ketë një “optimizim” të pranisë së NATO-s në Kosovë, si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë dhe rritjes së kapaciteteve të institucioneve vendore të sigurisë.

“NATO dhe KFOR-i janë tërësisht të përkushtuar për sigurinë në Kosovë. Pikërisht falë këtij përkushtimi është përmirësuar situata e sigurisë, pasi organizatat e sigurisë në Kosovë kanë rritur kapacitetet e tyre. Kushtet ekzistuese krijojnë mundësi për optimizimin e mëtejshëm të madhësisë dhe pranisë së KFOR-it”, ka deklaruar ai.

Kontrolloni gjithashtu

Haradinaj vlerëson lartë figurën e Sahit Jasharit: Një burrë që m’i mësoi rrugët e lirisë

Ish-komandanti i UÇK-së, Daut Haradinaj, ka ngushëlluar familjen Jashari për vdekjen e Sahit Jasharit. Ai …