Komuna e Hanit të Elezit do të jetë pjesë e projektit “Informimi publik për shërbimet juridike falas”

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma, priti në takim pune Anita Kalanderi, Drejtoreshë Ekzekutive e Agjencisë për ndihmë juridike falas, Rrona Berisha nga GIZ-i dhe Brikena Avdyli nga Fondacioni Jahjaga. Mysafiret nga Fondacioni Jahjaga e njoftuan Kryetarin Suma në lidhje me projektin “Informimi publik për shërbimet juridike falas” i cili aktualisht po implementohet me përkrahjen e Zyrës së GIZ-it në Kosovë. Qëllimi i këtij projekti është informimi i publikut për shërbimet juridike falas, të cilat ofrohen në kuadër të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas. Sipas tyre, objektivat e projektit po planifikohen të realizohen në kuadër të një bashkëpunimi ndërinstitucional në nivel lokal dhe qendror, të koordinuara nga Fondacioni Jahjaga. Një tjetër cak i rëndësishëm i projektit është informimi i grave dhe të rinjve për shërbimet juridike falas, të cilat ndonëse ofrohen nga Agjencia, nuk janë aq të njohura nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Projekti është planifikuar të realizohet në 8 komuna dhe me këtë qëllim edhe Komuna e Hanit të Elezit është një nga Komunat e përzgjedhura ku planifikohet të implementohet ky projekt. Ndërsa kryetari Suma duke i falënderuar për vizitën dhe angazhimin e tyre që edhe komuna e Hanit të Elezit të jetë pjesë e këtij projekti, u zotua për bashkëpunimin e plotë që i njëjti të realizohet në plotni në interes të banorëve të komunës së Hanit të Elezit. Palët u pajtuan që gjatë muajit Mars të nënshkruhet edhe “Marrëveshja e Mirëkuptimit“ me ç’rast do të fillon edhe realizimi i projektit.

Kontrolloni gjithashtu

AAKV “Kastriotët” fitojnë dy çmime në manisfetimin kulturor-sportiv “Flakadani i Karadakut

Mbrëmë në edicionin e 23-të të festivalit të këngëve dhe valleve burimore shqipe, “Flakadani i …